Lufta në Siri/ “Al-Nusra” josh luftëtarët shqiptarë me një pagesë prej 150 dollarësh në muaj

0
150

lufta ne siriNga 65 shqiptarë që janë identifikuar të kenë luftuar në Siri, 7 prej tyre kanë humbur jetën. Luftëtarët shqiptarë rekrutoheshin në Siri duke u bërë fillimisht pjesë e një sekti fetar dhe më pas kundrejt një shume prej 150 dollarësh luftonin në krah të grupit terrorist “Al-Nusra”. Ndërkohë, për familjen e një prej xhihadistëve që ka humbur jetën në Siri, është dhënë një shumë prej 750 dollarësh. Sipas familjarëve të personave që rekrutoheshin në Siri, asnjëri prej tyre nuk informohej paraprakisht për misionin për të cilin çoheshin atje, ndërkohë që shumat monetare ishin mënyra joshëse për secilin prej këtyre personave. Ndërkohë që një faqe në “Facebook” po promovon xhihadistët shqiptarë, që luftojnë për shtetin islamik në Irak dhe Sham, shkruan agjensia e lajmeve ne internet, BalkanInsight. Faqja në Facebook, ka 429 pëlqime, vlerëson aktivitetet e xhihadistëve shqiptarë që luftojnë në Siri dhe shërben si një pikë informimi në shqip për luftëtarët. Në një postim më 6 maj, një komunikatë shpall armëpushimin e arritur mes ISIS dhe Al-Nusra, një organizatë e lidhur me Al Kaedën. “Me kërkesë të liderit të Al Kaedës, Ajman al-Zavahiri, fronti Al Nusra, që është një degë e Al Kaedës, ka pezulluar të gjitha veprimet kundër ISIS”, – thuhet në postim, duke shtuar të tjera detaje për marrëveshjen mes dy grupeve militante. Të tjera postime shoqërohen me foto që promovojnë xhihadistët shqiptarë, që luftojnë për ISIS. Në një mesazh më 4 maj, persona të armatosur rëndë pozojnë në një foto, duke e përshkruar veten si xhihadistët shqiptarë. “Muxhahedinët shqiptarë, Allahu i mbrojtë”, – lexon postimi. Një prej tyre është Lavdërim Muhaxheri, një shqiptar nga Kosova, përsërit vazhdimisht propagandë për ISIS si lider i shqiptarëve që luftojnë për këtë grupim islamik. Qendra Ndërkombëtare për Studime mbi Radikalizimin, ISRA, me bazë në Londër, beson se janë rreth 300 luftëtarë shqiptarë nga Kosova.

 

Grupet terroriste

Ushtarët shqiptarë dërgohen në Siri për të luftuar pro celulave terroriste, të cilat duan të sjellin Sheriatin, që do të thotë feja islame mbi ligjin dhe institucionet. Nga hetimet e organit të akuzës është zbuluar se këto grupe kërkojnë rrëzimin e Bashar Al Assadit dhe vendosjen e Islamit të dhunshëm. Krahas bandave radikale, në Siri ekziston edhe ushtria e luftëtarëve për liri, të cilat duan të hedhin poshtë regjimin diktatorial të Assadit, por me idealin e ngritjes së institucioneve të ligjit dhe demokracisë. Nga hetimet rezulton se të gjithë shqiptarët që kanë shkuar në Siri, bëjnë pjesë në grupet e shpallura si terroriste, dhe jo në formacionet e ushtrisë së lirë siriane apo e njohur si ushtria e opozitës, që kërkon rrëzimin e regjimit të Bashar Al Assadit. Sipas dosjes voluminoze, 85 vullnetarët shqiptarë që kanë luftuar apo vazhdojnë të jenë në front, janë të rreshtuar krah grupeve të njohur si “Al-Nusra”, “Dowle” dhe nëngrupeve të tjera të krijuara nga celulat e “Al-Kaedës”, që synojnë ngritjen e një shteti islamik të Irakut dhe Sirisë. Këto grupe, të quajtura si më agresivët dhe më të suksesshmet në luftime, janë renditur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe SHBA-ja në listën e grupeve terroriste. Imami i vetëshpallur i xhamisë së Unazës së Re, Genc Balla dhe ai i fshatit Mëzes, Bujar Hysa, bashkë me besimtarët myslimane tashmë të arrestuar, përveç nxitjes së urrejtjes dhe thirrjeve e propagandimit për luftë, dërgonin vullnetarë shqiptar mes këtyre grupeve terroriste. Kjo është edhe arsyeja se pse Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur akuzat zyrtare ndaj tyre. Sipas dosjes, të gjithë shqiptarët, që kanë luftuar dhe luftojnë në Siri, janë pjesë e njësitit ushtarak, të drejtuar nga Lavdërim Muhaxheri nga Kacaniku, i njohur në Siri, si i prijësi i shqiptarëve në xhihad.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency