Pas 15 ditëve/ Ish-punonjësit mbyllin grevën e urisë, Qafzezi: Dëgjuam komisionerin Füle

0
116

greva qafzeziFüle: U bëj thirrje grevistëve që të mos vënë jetën e tyre në rrezik

Qafzezi: Kemi pritur një reagim të qeverisë shqiptare dhe Ramës, por mungoi vullneti

 Pas kërkesës së komisionerit për Zgjerimin e BE-së, Stefan Füle, ish-punonjësit e larguar nga punë mbyllën dje grevën e urisë. Dy ditë më parë, ish-punonjësit e larguar padrejtësisht nga administrata i dërguan një letër komisionerit Füle, ku i kërkonin që t’i jepte një zgjidhje çështjes së tyre. Komisioneri u ktheu përgjigje ditën e djeshme, ku u shpreh se po ndjekin çështjen e tyre dhe u kërkoi që të braktisnin grevën. “Sa i përket grevës së urisë, kam njohuri, e di dhe jam njohur me ta. Dhe e shoh me shqetësim, dhe u bëj thirrje grevistëve që të mos e vënë jetën e tyre në rrezik dhe i siguroj se ne flasim në mënyrë të rregullt me qeverinë dhe do të vijojmë ta bëjmë këtë”, – u shpreh komisioneri gjatë konferencës, ku u prezantua raporti i Komisionit Evropian për statusin e vendit kandidat. Pas 15 ditësh grevë, kryetarja e Shoqatës së të Larguarve nga Puna, Nertila Qafzezi, gjatë një prononcimi për mediat deklaroi mbylljen e grevës së urisë. Sipas saj, ndërprerja e grevës erdhi pas deklaratës së komisionarit Füle, i cili u ka ofruar mbështetjen e tij grevistëve. “Kemi pritur një reagim të qeverisë shqiptare dhe Ramës, por mungoi vullneti i qeverisë. Megjithatë, greva jonë arriti të sensibilizonte opinionin. Sot (dje) u njohëm nga mediat për deklaratat e komisionerit Füle, i cili e ndiqte me vëmendje çështjen tonë. Duke marrë parasysh të gjitha, ne vendosëm që të ndërpresim grevën”, – u shpreh Qafzezi.

 

Mbyllja e grevës

Në ditën e 15-të të gjithë ish punonjësit e larguar nga puna shfaqën shenjë dobësie dhe në orët e para të mëngjesit të djeshëm mjekët u kërkuan që të braktisnin grevën. Por grevistët ishin të vendosur deri në momentin kur komisioneri Füle u shpreh se do të kërkojë të zgjidhë çështjen e tyre. “Veprimi ynë për të hyrë në grevë erdhi si rezultat i paligjshmërisë së largimit nga administrata të rreth 8 mijë punonjësve. Që në fillim kemi paraqitur 5 kërkesa. Të garantohet transparencë për të larguarit nga administrata pas datës 1 tetor 2013. Të kthehen në punë të shkarkuarit pa të drejtë. Të zbatohet ligji i nëpunësit civil. Të zbatohen vendimet e gjykatave. Të merren përgjegjësitë për shkarkimet nga administrata. Në mbështetje të kësaj greve na janë bashkuar edhe Shoqata e punonjësve të policisë. Ne kemi qenë të ngujuar në këtë çadra në kushte teje të vështira”, – u shpreh Nertila Qafzezi.

 

Greva

Për herë të parë, ish-punonjës të shkarkuar nga puna u futën në një grevë urie. Të gjithë të larguarit kërkonin rikthimin në punë dhe që qeveria të zbatonte vendimet e gjykatave. Qeveria nga ana e saj e quajti grevën politike dhe nuk pranoi të hynte në bisedime me grevistët. Për 15 ditë pjesa më e madhe e grevistëve janë shoqëruar më shumë se 3 herë në spital dhe më pas u riktheheshin çadrave të grevës së urisë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency