Rindërtohet shkolla “Eqerem Çabej”/ Basha: Të vendosur për të mundësuar një cilësi më të mirë jete për qytetarët e Tiranës

0
129

shkolla eqrem cabejKryebashkiaku Lulzim Basha ka zgjedhur t’u urojë 1 qershorin fëmijëve të kryeqytetit, nga shkolla e rindërtuar tërësisht “Eqerem Çabej”. Kjo shkollë e rindërtuar nga Bashkia e Tiranës, me një investim prej 126.6 milionë lekësh do të ofrojë kushte moderne mësimi për 900 nxënës.“Dua t’u uroj të gjithë fëmijëve të kryeqytetit “Gëzuar 1 qershorin!”, por dua ta bëj këtë urim nga një vepër e re që Bashkia e Tiranës u ofron fëmijëve të kryeqytetit, por edhe familjarëve, prindërve të tyre, që është shkolla “Eqerem Çabej”, tërësisht e rindërtuar sipas parametrave më modernë europianë. Pas një inspektimi të hollësishëm të ndërtesës së re, unë them se ky është një shembull që duhet ndjekur dhe do të ndiqet në çdo shkollë të re të kryeqytetit, në ato që po përfundojnë, në të tjera që janë në punë e sipër dhe në të tjera që prapë se prapë, shpresojmë t’i fillojmë me zhbllokimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës, me shpresë në ditët e javët e ardhshme” – deklaroi Basha.

 

Shkolla  

Shkolla u zgjerua me ndërtimin e  një shtese anësore, ku  janë  përftuar ambiente  të reja, si biblioteka, salla polivalente, zyrat për administratën, laboratorë dhe palestra. Edhe në këtë shkollë, ashtu si në investimet e tjera të Bashkisë, është instaluar sistemit i ngrohjes qendrore me peletë. “Shkolla paraqet në tërësinë e saj standardin europian, ashtu siç mësojnë fëmijët e vendeve të BE, ashtu siç meritojnë fëmijët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë. Ka ngrohje për sezonin e dimrit, ka përdorim të energjisë diellore, falë  një projekti me Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim që gjej rastin ta falënderoj, për ndihmën që na dha në këtë projekt pilot dhe të uroj që ky projekt të shtrihet edhe në shkolla të tjera të kryeqytetit; ka një palestër ultra moderne, në katin e dytë të shkollës dhe do të ketë edhe një ambient sportiv, sapo të zgjidhet çështja e ambientit para-shkollës me Ministrinë e Shëndetësisë, zgjidhje e cila nuk do të kontribuojë vetëm në dhënien e kësaj hapësire sportive, shkollës “Eqerem Çabej” por do të shërbejë po kështu, për të krijuar një arterie të re rrugore që lidh rrugën e “Dibrës” me pjesën tjetër të qytetit”- tha Basha. Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka shprehur vendosmërinë e tij, për të vijuar me përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët e Tiranës, pavarësisht vështirësive me të cilat po përballet gjatë muajve të fundit.  “Puna për ta bërë Tiranën një qytet modern e europian, ku jetohet më mirë, mësohet më mirë, ka shanse më të mira për punësim dhe shijohet më mirë jeta vazhdon, pavarësisht vështirësive. Unë jam i vendosur, ditë pas dite, tullë pas tulle, shkollë pas shkolle, rrugë pas rruge, ta sjellim Tiranën dhe qytetarët e saj, gjithnjë e më pranë standardit europian, siç reflekton edhe sot shkolla e rindërtuar “Eqerem Çabej” – u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës.

 

 Rikualifikohet lulishtja / Bashkia aktivitete të shumta me rastin e 1 Qershorit në Tiranë

Bashkia e Tiranës ka bërë rikualifikimin e lulishtes para stadiumit “Selman Stërmasi”. Në këtë lulishte ka nisur sistemimi i terrenit, janë vendosur stola të rinj, kosha, pemë, lule e gjelbërim. Nënkryetari i Bashkisë Enno Bozdo ka theksuar se në bashkëpunim me partnerë, Bashkia e Tiranës po shton gjithnjë e më shumë gjelbërimin në Tiranë. “Bashkia e Tiranës do të vazhdojë të ketë në vëmendjen e saj krijimin, shtimin e hapësirave të gjelbra, ashtu siç ju keni qenë dëshmitarë që ne kemi vepruar çdo vit. Vetëm këtë vit janë rreth 4 mijë pemë dhe shkurre dekorative që janë mbjellë në Tiranë, duke përmirësuar cilësinë e ajrit dhe shtuar hapësirat e gjelbra. Edhe pse ky është një vit i vështirë për ne, në një farë mënyrë kemi humbur partneritetin me qeverinë qendrore pasi ju e dini që Bashkia e Tiranës vazhdon të operojë pa buxhet por kemi gjetur një mbështetje të shtuar nga partnerët tanë, subjekte private dhe banka. Është tamam rasti për ti falënderuar të gjithë dhe veçanërisht Alpha Bank. Ju e shikoni çfarë mjedisi i mrekullueshëm është krijuar këtu dhe në vijim do të përfundojë dhe pjesa tjetër e lulishtes. Me një program specifik që ne kemi do të pasurojmë me stola dhe me kosha të gjitha hapësirat e gjelbra të Tiranës dhe të gjitha rrugët kryesore të Tiranës”- u shpreh nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo.  Bashkia e Tiranës organizoi aktivitetin sportiv “Festojmë së bashku 1 Qershorin” ku morën pjesë fëmijë nga mosha 7-12 vjeç.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency