Vrasja misterioze/ Tetë plumba vajzës 21-vjeçare shtatzënë, familja fshehu krimin

0
329

 Anxhela Tato

vrasja diberFatmira Dushku Ekspertiza mjekoligjore: Fatmira Dushku është vrarë mesnatën e së martës, ishte 5-muajshe shtatzënë

 Familja e shiti ngjarjen si vdekje nga ataku kardiak, policia ndaloi varrimin, duke dërguar trupin në morg

 Policia bllokon ceremoninë mortore duke dërguar trupin e 21-vjeçares për ekspertizë mjekoligjore, e cila zbuloi se e reja ishte vrarë 8 plumba. Historia tronditëse ka ndodhur në një fshat të Dibrës, ku pas sinjalizimeve të policisë është zbuluar gënjeshtra e familjes së 21-vjeçares, sipas të cilëve vajza kishte vdekur nga një atak në zemër. Përballë heshtjes dhe mosveprimit të familjarëve policia është detyruar të ndërhyjë vetë, duke u nisur në drejtim të fshatit ku do të zhvilloheshin ritet e fundit mortore. Blutë kanë ndërprerë dhe ndaluar familjen që të varroste 21-vjeçaren, duke marrë arkën mortore për ta dërguar në spitalin e Peshkopisë. Trupi i pajetë i Fatmira Dushkut i është nënshtruar ekspertizës mjekoligjore, nga ku ka rezultuar se vajza është vrarë. Në trupin e saj ka plagë tejshpuese të shkaktuara nga armë zjarri. Hemorragjia dhe mosndërhyrja mjekësore i ka kushtuar me jetë 21-vjeçares. Por më tronditëse është fakti se vajza ishte 5-muajshe shtatzënë dhe familja e saj fshehu krimin. Kjo ka bërë që blutë të ngrenë dyshime se e reja të jetë vrarë nga të afërm të saj, duke shoqëruar në polici babain dhe dy vëllezërit e vajzë, si autorët kryesorë të dyshuar. Mësohet se e ndjera është fëmija i dytë i një familjeje me katër fëmijë. Policia dyshon se aktin e rëndë e ka kryer i ati i saj, me dyshimin se nuk ka kapërdirë dot shtatzëninë. Familja e shiti ngjarjen si fatkeqësi, duke bërë me dije se vajza kishte pësuar atak kardiak.

 

Ngjarja

 Ekspertiza ka nxjerrë se vajza ka qenë 5-muajshe shtatzënë dhe është qëlluar me 8 plumba. 21-vjeçarja dyshohet të jetë vrarë nga familjarët. Policia ka shoqëruar babain dhe dy vëllezërit e vajzës, ndërkohë që dyshimet kryesore bien mbi vëllain e madh, 25 vjeç, dhe babain, për të cilët është prerë edhe urdhër arresti. Fatmira Dushku, 21 vjeçe, dyshohet se është vrarë përgjatë orëve të para të ditës së djeshme, ndërkohë që në orët e para të mëngjesit, familja Dushku ka hapur dyert e mortit. Kanë hapur fjalën sikur vajza kishte ndërruar jetë orëve të mbrëmjes së të martës dhe ditën e djeshme kanë nisur kryerjen e ceremonisë mortore. Mirëpo, kanë qenë fqinjët e familjes Dushku të cilët, me sa duket, kanë dëgjuar krismat e armës dhe kanë lajmëruar policinë. Në mesditë efektivë të hetimit të Krimeve të Rënda kanë mbërritur në Sllovë dhe kanë bllokuar varrimin e vajzës. Menjëherë trupi i saj i pajetë është sjellë për autopsi në spital dhe brenda 6 orësh janë nxjerrë konkluzionet e para në lidhje me krimin. Sipas të dhënave të policisë, bëhet me dije se vajza është qëlluar me tetë plumba, ndërkohë që dyshimet si shkak i vrasjes lidhen me një histori dashurie të Fatmirës. Referuar të dhënave të pakta që vijnë nga Dibra, mësohet se vajza është ekzekutuar nga i ati ose vëllai i saj, ndërsa policia i ka vendosur të dy në pranga orëve të vona të mbrëmjes së djeshme. Pritet marrja në pyetje e babait, nënës dhe tre vëllezërve të viktimës, më i vogli prej tyre është në moshën 14 vjeç. Nuk dihet se me çfarë arme është qëlluar vajza, ndërkohë që policia në banesën e familjes Dushku ka sekuestruar një armë gjahu me leje, të cilën e përdornin i ati dhe vëllai i saj.

 

Policia/ Merret në mbrojtje familja e gjyqtarit Idriz Mulkurti pas shantazhit të Dritan Dajtit

Ndryshojnë masat e sigurisë për trupën gjyqësore që po gjykon të pandehurin Dritan Dajti, nën akuzë për vrasjen e katër policëve. Një ditë pas shantazhimit nëpërmjet një fotoje të njërit nga familjarët e gjyqtarit, kryesuesi i trupës gjyqësore së bashku me familjen e tij është marrë në mbrojtje nga reparti RES. Mulkurti është i dyti gjyqtar që vendoset nën ruajtje, ndërkohë që më shumë se dy vjet më parë nën mbrojtje u vendos familjarisht edhe një tjetër anëtar i kësaj trupe, gjyqtari Ardit Mustafa. Por burimet e policisë pohojnë se përveç masave tashmë të kthyera në një rutinë edhe për vetë ndërtesën e Krimeve të Rënda, kur sa herë që ka proces gjyqësor ndaj Dritan Dajtit ndërtesa kontrollohet edhe me qen që nuhasin lëndët shpërthyese, masa të tjera sigurie përfshijnë edhe anëtarët e tjerë të kësaj trupe. Pas seancës së të martës, e cila ka shkaktuar një gjendje alarmi në trupën gjyqësore të Krimeve të Rënda ka reaguar Gjykata me një njoftim për mediat. Në të thuhet se Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dënon ashpër kërcënimet, presionet dhe shantazhet që po u bëhen gjyqtarëve të saj, me qëllim për të shmangur vëmendjen nga ecuria e procesit, pengimit të ushtrimit të funksioneve të tyre dhe zgjatjen e bllokimit të proceseve gjyqësore.

 

KLD/ Isuf Shehu në krye të Gjykatës së Kukësit, Sandër Simoni sërish kryetar i Krimeve

Këshilli i Lartë i Drejtësisë emëron Isuf Shehun kryetar të Gjykatës së Kukësit. Vendimi u mor pas shqyrtimit të të gjitha kandidaturave që kishin konkurruar për të drejtuar këtë Gjykatë. Shehu ushtronte detyrën e gjykatësit po në Kukës. Ndërsa në krye të Gjykatës së Krimeve të Rënda është rizgjedhur për herë të dytë Sandër Simoni, kryetari aktual. KLD-ja është mbledhur në orte para të ditës së djeshme, ku në rend të diskutimit janë 18 pika. Ndër më të rëndësishmet është shqyrtimi i masave disiplinore të kërkuara nga ana e ministrit të Drejtësisë për katër gjyqtarë: Lindita Hoxha dhe Valbona Duraj të Gjykatës së Shkodrës dhe gjyqtarëve Ibrahim Hoxha e Kaçe Agolli të Gjykatës së Tiranës.

 

Vlorë/ Gjykata e Apelit liron gjeneralin Syrja Gjoka, do të hetohet në gjendje të lirë

Gjykata e Apelit e Vlorës ka liruar nga arresti me burg gjeneralin e komandantit të Brigadës Logjistike, Syrja Gjoka. Argumentimi ishte se gjenerali nuk paraqiste rrezikshmëri shoqërore apo tendenca për t’u larguar jashtë vendit. Komandanti i Brigadës Logjistike të Forcave të Armatosura, u arrestua nga policia dhe prokuroria ushtarake në 16 maj, me akuzën e shpërdorim detyre dhe dëm ekonomik ndaj shtetit me vlerë 6 milionë lekë të reja. Në 19 maj gjykatë e Beratit konfirmoi masën e arrestit me burg për gjeneralin, vendim që u apelua nga Gjoka, për të përfituar lirimin nga Gjykata e Apelit në Vlorë. Gjoka i cili drejton Brigadën Logjistike pranë Forcave të Armatosur prej gushtit të vitit 2012, akuzohet se kur ka shërbyer në repartin ushtarak 3002 të Kuçovës si komandant i bazës Ajrore ka abuzuar me detyrën me veprime të kundërligjshme, duke shembur dhe tjetërsuar objekte ushtarake pa miratimin e eprorëve. Ministria e Mbrojtjes i ka kërkuar gjithashtu Presidentit të Republikës Bujar Nishani, shkarkimin e gjeneralit, por që ende nuk është deklaruar të jetë marrë një masë e tillë nga komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.

 

Shkodër/ Qëllojnë njëri-tjetrin, plagosen 2 persona

 Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur pasditen e djeshme në Shkodër, ku dy persona kanë mbetur të plagosur me armë zjarri, njëri prej tyre në gjendje kritike për jetën. Sipas policisë, bëhet fjalë për shtetasit Kiras Lekë Peraj, 31 vjeç, dhe Alban Bandulla, 37 vjeç. Mësohet se gjendja shëndetësore e Perajt është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa Bandulla ndodhet në sallën e operacionit në spitalin rajonal të Shkodrës në gjendje të rëndë shëndetësore. Po sipas policisë, dyshohet se dy shtetasit kanë mbetur të plagosur pasi kanë qëlluar ndaj njëri-tjetrit, por po hetohet për motivet e këtij akti. Ndërkohë, po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency