Kreu i Prokurorisë/ “Kemi prova për përfshirjen e ushtrisë në trafikun e drogës”

0
149

Anxhela Tato

foto nga takimi per drogen adriatik llalla nasip naco elvis cefa bashkim dedja 3Prokurori i Antimafias së Leçes ngre kambanën e alarmit: Është rritur sasia e drogës që futet nga Shqipëria në Itali

 Krimi i organizuar, Cattaldo Motta: Standardi i ri në këtë luftë, hetimi elektronik dhe konfiskimi i pasurisë

 Në sezonin e hashashit, deklarata të nxehta nga kryeprokurori Adriatik Llalla dhe prokurori i Antimafias së Leçes, Cataldo Motta. Kreu i akuzës ka surprizuar të gjithë duke pohuar ekzistencën e provave për përfshirjen e ushtrisë në transportin e drogës në Gjadër. “Një ndër problemet më shqetësuese për situatën e kriminalitetit në vend mbetet krimi i organizuar, korrupsioni, trafiku i lëndëve narkotike. Prokuroria për Krimet e Rënda ka filluar hetimet lidhur me këtë rast, nisur nga deklaratat publike të bëra në Kuvendin e Shqipërisë, ashtu dhe mbi bazën materiale referuese nga policia e shtetit, kryesisht nga komisariati i policisë Lezhë. Momentalisht është në fazën e hetimeve paraprake”, – tha kryeprokurori Llalla. I pyetur nga gazetarët nëse është regjistruar procedimi, kryeprokurori Llalla tha se “patjetër është regjistruar në procedim penal. Vijojnë hetimet të cilat do të njiheni ditën në vijim”. Ndërsa në përgjigje të pyetjes se “a ka prova konkrete Prokuroria?”, Llalla tha se “normalisht që ka”. Prokurori i Antimafias italiane në provincën e Leçes, vendi ku do të shkarkohej droga e cila u planifikua të transportohej me avionin e rrëzuar javë më parë në Divjakë, deklaron nga Tirana se përveç këtij rasti, për të cilin kanë nisur hetimet si nga Italia dhe Shqipëria, nuk rezulton asnjë rast i trafikut të drogës me avionë nga Shqipëria drejt Italisë. Këtë deklaratë prokurori Cataldo Motta e bëri gjatë një tryeze me prokurorë të Ballkanit Perëndimor, tryezë e organizuar nga Prokuroria e Përgjithshme shqiptare.

 

Porta hyrëse e drogës

Veç të tjerash, Motta vlerësoi se 44 miljet detare që ndajnë Vlorën me Leçen e bëjnë këtë krahinë portën hyrëse të marijuanës shqiptare për në Itali dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian. “Dihet që në Shqipëri ka kultivim të madh sasish lëndësh narkotike dhe që Shqipëria është një furnitor i madh i kësaj lënde. Dhe është një fakt i njohur që Vlora është nga Leçe 44 milje detare larg, dhe kështu që tregu i parë për shpërndarjen e marijuanës është Leçe”, – tha Motta. Ndërsa vlerësoi bashkëpunimin me policinë shqiptare në sekuestrimet e kryera kohët e fundit të marijuanës në Itali, por gjithashtu ka pranuar se ka pasur një rritje të sasisë që tentohet të trafikohet nga Shqipëria. Më shumë se sa sekuestrimi i lëndës narkotike është rritur sasia që ka hyrë në Itali. Një formë e trafikut bëhet nëpërmjet emigracionit të jashtëligjshëm, kështu që jo e gjithë sasia e lëndës narkotike është e destinuar të konsumohen aty, një sasi është e destinuar për vendet e Evropës veriore”, – tha Motta. Prokuroria i Antimafias vlerësoi deklaratën e ministrit të Drejtësisë Nasip Naço për ndryshime për fuqizimin dhe një autonomi më të gjerë për zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm.

 

Luftë e përbashkët

Gjatë zhvillimit të takimit rajonal të prokurorëve të përgjithshëm të Ballkanit Perëndimor, Prokurori i Antimafias italiane në provincën e Leçes, Cattaldo Motta, u shpreh në lidhje me masat për luftën ndaj krimit se është e nevojshme ngritja e një skuadre të përbashkët hetimore pasi sipas tij krimi është i shtrirë kudo. “Krimi i organizuar është shtrirë kudo. Për këtë nevojitet edhe përmirësim i veprimtarisë së hetimeve. Në këtë kuadër duhet të implementohen sisteme efikase kundër veprimeve kriminale. Nevojitet bashkëpunim i hetimeve dhe jo vetëm mes policisë, pra një skuadër e përbashkët e hetimeve. Ne nuk jemi më të mirë se ju, thjesht fatkeqësisht jemi mësuar më shumë se ju, prej një kohe të gjatë në luftën kundër këtij fenomeni”, – u shpreh Cattaldo Motta. Në këtë kuadër prokurori i Antimafias theksoi se një sërë masash si përfshirja e hetimeve elektronike dhe konfiskimi i pasurisë do të shtojnë luftën ndaj krimit. “Përmirësimi i strukturave dhe infrastrukturës hetimore është një tjetër pikë e rëndësishme. Kjo ka të bëjë me përfshirjen e hetimeve elektronike në procesin e hetimeve. Po ashtu, konfiskimi i pasurisë së kriminelëve është një tjetër aspekt, i rëndësishëm. Kjo metodë është përdorur për herë të parë në Gjermani, dhe nuk është aspak antikushtetuese, por përkundrazi është në kuadër të intensifikimit të luftës ndaj krimit”, – tha Motta.

 

Monitorimi i Policisë së Shtetit nga ajri

Policia e Shtetit nisi dje monitorimin e territorit me avionë gjurmues nga ajri, në kuadër të masave të ndërmarra për parandalimin e goditjen e kultivimit të bimëve narkotike. Prej ditësh në aeroportin e Rinasit është pozicionuar skuadra e monitorimit, e cila përbehet nga një avion gjurmues, dy pilotë si dhe ekspertët e përdorimit të pajisjeve elektronike të kontrollit, flotë kjo e mundësuar nga shteti Italian dhe Guardia di Fiananza. Për koordinimin e këtij operacioni ditën e djeshme në ambientet e Drejtorisë së Policisë është zhvilluar një takim me përfaqësues të palës italiane dhe asaj shqiptare. Sipas Policisë së Shtetit veprimtaria për monitorimin e territorit filloi ditën e djeshme, ku faza e parë është monitorimi përmes avionit, proces i cili do të pasohet nga veprimet në terren të forcave vendore të policisë të mbështetura nga forcat speciale, me qellim asgjësimin e sipërfaqeve të konstatuara. Burime bëjnë me dije se në planet e fluturimit tashmë të fiksuara ndërmjet policisë shqiptare dhe përfaqësuesve italian, bën pjesë i gjithë territori, kryesisht zona e Lazaratit si dhe malësitë e zonës së Shkodrës.

 

Sfida ndaj krimit/ Adriatik Llalla: Po shtohen grupet kriminale brenda zyrtarëve të lartë

Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të ndikonte në uljen e kriminalitetit në vend. Duke pohuar se ka dijeni që krimi i organizuar arrin deri tek zyrtarët, prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, nga takimi rajonal me homologët e Ballkanit Perëndimor, kërkoi mbështetjen e vendeve të Bashkimit Evropian në këtë drejtim. Sipas kryeprokurorit, sfida e krimit të organizuar përballohet jo vetëm me forcimin e shtetit ligjor, por edhe me rritje ekonomike, ndaj sipas tij një vendim pozitiv për statusin e kandidatit në qershor do të ndikonte në zhvillimin e vendit, e rrjedhimisht në luftën ndaj grupeve kriminale.

 

Problematika

“Po shtohen grupet kriminale edhe brenda zyrtarëve por kjo kërkon rritje të shtetit ligjor. Tashmë mendoj se në vendin tonë ka ardhur koha për ngritjen e funksioneve të përbashkëta me vendet e rajonit, të cilat kërkojnë bashkëpunim me vendet e rajonit. E kuptojmë shqetësimin lidhur me krimin e organizuar ballkanik. Ajo që po mundohemi të krijojmë është besimi në BE se po luftojmë krimin. Lufta ndaj krimit ndërinstitucional kërkon mbështetjen e ndërkombëtarëve. Ballkani ka nevojë për mbështetje të gjithanshme për luftën e këtij krimi. Kjo sfidë përballohet me rritje ekonomike. Pavarësisht se Shqipëria po punon për këtë rritje nuk mund të krahasohet me atë të vendeve të BE, prandaj kërkohet suport më i madh i vendeve të BE. Marrja e statusit është një hap shumë i madh drejt integrimit. Pas pak javësh KiE do të vendosë për këtë, besoj se e meritojmë pasi ky zhvillim do të ndikonte në rritjen ekonomike dhe do të ndikonte edhe në uljen e normës së kriminalitetit pasi një vend i zhvilluar ekonomik nuk ka përse të kërkojë alternativa kriminale për tu pasuruar. Ky sugjerim është në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar. Ajo që kërkon Shqipëria është mbështetja më e mëdha për ta shndërruar në efikasitet më lartë”, – u shpreh kryeprokurori Adriatik Llalla. Pavarësisht se pohoi rritjen e forcës kundër grupeve kriminale dhe trafikut të drogës, Llalla tha se vitet e fundit vendi po përballet me grupe kriminale të sofistikuara më shumë se organet e shtetit. “Ky takim dëshmon frymën e bashkëpunimit mes vendeve tona, veçanërisht në drejtësi. Vitet e fundit ka pasur shtim të numri të ekstradimeve dhe personave të ndaluar. Trafiku i këndës narkotike është në rend të ditës në të gjitha vendet. Shumë vende e konsiderojnë Ballkanin si vend transit të lëndës narkotike por edhe si prodhues të saj veçanërisht të kanabisit. Vendet e Ballkanit janë të vetëdijshëm për këtë fenomen dhe të vendosur për ta luftuar. Nga ana e saj prokuroria ka shtuar ndjeshëm forcën kundër këtyre grupeve kriminale. Po ashtu në bashkëpunim me vendet e rajonit dhe ato të BE-së është arritur të goditen disa grupe kriminale. Shqipëria këto vitet e fundit po përballet me grupe kriminale të sofistikuara më shumë se policia”.

 

 

Kreu i Gjykatës së Lartë/ “T’i jepen më shumë kompetenca prokurorit të Përgjithshëm”

 Kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, nga ky takim, ngriti nevojën e ridimensionimit të kompetencave të prokurorit të Përgjithshëm, madje, siç cilësoi ai, edhe me ndryshime kushtetuese nëse është e nevojshme. “Është e nevojshme të forcohet pavarësia e prokurorit në fazën e zhvillimit dhe kontrollit të hetimeve, të rritet efiçenca e tij, të forcohet roli institucioni i Prokurorit të Përgjithshëm, ridimensionim i kompetencave të tij, duke bërë ndryshimet ligjore të përshtatshme, nëse është e nevojshme edhe ndryshime kushtetuese”, – u shpreh Zaganjori në tryezën rajonale me prokurorë të Ballkanit Perëndimor.

 

Ministri i Drejtësisë/ “Parandalimi i shkeljes së ligjit kërkon ndryshime të legjislacionit”

 Ministri i Drejtësisë, Naço, në fjalën e tij, u shpreh se pavarësisht se në rastet e shkeljes së kuadrit ligjor nga gjykatësit janë marrë masat nga dikasteri që ai drejton, sërish është e domosdoshme ndryshimi i legjislacionit siç theksoi ai, për parandalimin e këtij fenomeni. “Të bindur se krimi nuk njeh kufi, qeveria shqiptare është në procesin e ndryshimit të kuadrit ligjor për luftën ndaj krimit të organizuar. Për të luftuar çdo fenomen negativ, që implikon sistemin e drejtësisë, do të kërkojmë rritjen e bashkëpunimit midis aktorëve të sistemit të drejtësisë, si dhe padyshim me përkrahjen e vazhdueshme të faktorit politik vendas e të huaj. Prioriteti ynë do të ketë në fokus: Intensifikimin e luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit, trafiqeve dhe pastrimit të parave; Shkëmbimin e eksperiencës në fushën e bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar; Forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Prokurorive të Ballkanit Perëndimor, në procesin e përafrimit të legjislacionit në përputhje me acquis-in e Bashkimit Evropian. Këtij qëllimi i përgjigjet edhe procesi i ndryshimeve të legjislacionit material dhe atij procedural si dhe implementimi i tyre nga agjencitë ligjzbatuese”, – tha Naço. Duke folur për punën e qeverisë shqiptare Naço tha se falë edhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, është rritur numri i personave që shkelin ligjin po ashtu edhe i ekstradimeve. Ndër të tjera ai garantoi ndërkombëtarët se shqiptarët që punojnë e jetojnë në vendet e BE e kanë marrë mesazhin se askush nuk mund të jetë mbi kuadrin ligjor. “Marrëveshje të rëndësishme me këto vende të miratuara gjatë vitit 2013 kanë sjellë rritje të numrit të ekstradimeve, ku janë dorëzuar rreth 80 subjekte ekstradimi, pjesa më e madhe në Itali. Garantoj partnerët ndërkombëtarë se shtetasit shqiptarë e kanë marrë mesazhin se askush nuk mund ta shkelë ligjin si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Një ligj i zbatuar nga të gjithë do të jetë motoja jonë. Puna jonë do të intensifikohet me qëllim parandalim të krimit të organizuar, trafikut të lëndëve narkotike”, – u shpreh ministri Naço.

 

Nënkryetari i KLD-së/ “Jemi në krah të Prokurorisë në hetimet e gjyqtarëve”

 Nënkryetari i KLD-së, Elvis Cefa, ka ofruar mbështetjen ndaj Prokurorisë së Përgjithshme për të gjitha hetimet që do zhvillohen ndaj gjyqtarëve të dyshuar për korrupsion. Cefa në fjalën e tij u shpreh se bashkëpunimi rajonal do të rriste akoma edhe më tej nivelin kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Kemi fatin të asistohemi nga partnerët ndërkombëtar të cilët edhe na kanë kritikuar për çështje të veçanta. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në kuadër të zhvillimit të vendit, përvoja e viteve të fundit tregojnë se i kemi kapacitetet e duhura për të arritur te suksesi. Publiku kërkon forcimin e betejës dhe rezultate konkrete nga puna jonë dhe përpjekje intensive për të garantuar të drejtat e njeriut. Pritshmëria e publikut dhe partnerëve ndërkombëtarë është për rritjen e transparencës, kemi rastin te tregojmë që dimë ta bëjmë punën tonë. Kam bindje se sfidat e Shqipërisë janë të ngjashme me vendet e rajonit, jo vetëm për shkak të afërsisë gjeografike, por edhe për shkak të kushteve historike. Struktura të përbashkëta mes Prokurorive do të rriste nivelin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit në të gjithë rajonin. KLD gatishmëri për bashkëpunim me vendet e rajonit, me të cilët ka afërsi gjeografike edhe jo vetëm. Kushtet lehtësuese për shkëmbimin proaktiv për gjetjet nga hetimet apo edhe shkëmbimin eksperiencave. KLD do jetë në krah të Prokurorisë së Përgjithshme dhe asnjë lloj imunitetit nuk do të pengojë hetimet ndaj gjyqtarëve te dyshuar për korrupsion”, – tha nënkryetari i KLD-së, Elvis Cefa. Pjesëmarrës në takim ishin: Bashkim Dedja kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori kryetar i Gjykatës së Lartë, Nasip Naço ministër i Drejtësisë, Elvis Cefa zv.kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë si dhe Cataldo Motta prokuror i Antimafias në Leçe të Italisë, Eric Bisschop zëvendësprokuror Federal i Belgjikës, Veselin Vučković prokuror i Përgjithshëm i Malit të Zi, Gerhard Jarosch president i Shoqatës Ndërkombëtare të Prokurorëve, Goran Sahilovic prokuror i Përgjithshëm i Bosnjës-Hercegovinës.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency