Vendimi i Gjykatës / Shkeli lirinë me kusht, urdhër mbrojtje për gruan e dhunuar

0
180

Anxhela Tato

Padia e T.Gjikolës për dy episode agresioni nga bashkëshorti Eduard Gjikola, i dënuar me 1 vit e 8 muaj burg

Dëshmia e 2 fëmijëve të çiftit Gjikola: Babi pi shpesh dhe kur është i dehur rreh mamanë

 

Images“Eduard Gjikola nuk duhet ti afrohet në një distancë prej 100 metër bashkëshortes dhe as shkollës ku studiojnë dy fëmijët e tij”, – pjesë e urdhrit të mbrojtjes lëshuar nga ana e Gjykatës së Tiranës në favor të shtetases T.Gjikola. Sipas vendimit të togave të zeza i dënuari Gjikola sapo ka dalë nga qelia ka nisur sërish të përndjekë dhe të dhunojë fizikisht e psikologjikisht nënën e dy fëmijëve të tij. Çdo skenë është zhvilluar në prani të dy fëmijëve, të cilët janë pyetur në cilësinë e dëshmitarit në gjyq. Eduard Gjikola është personazh i skedar për policinë dhe në ngarkim të tij gjykata ka caktuar masën e dënimit me 1 vit e 8 muaj burg në vitin 2013 për akuzën e dhunës. Mesa duket për Gjikolën nuk ka mjaftuar ky dënimin duke iu rikthyer sërish “tundimit” të rrahjes së gruas T.Gjikola. Para togave të zeza paditësja ka rrëfyer dy episode kur bashkëshorti i ka ardhur në banesë, duke shkelur urdhrin e mbrojtjes dhe e ka goditur dhe ofenduar në prani të dy fëmijëve të miturit. Bëhet fjalë për datat 3 dhe 4 maj të këtij viti kur Eduard Gjikola është paraqitur në banesën e vet dhe nën efektin e alkoolit ka nisur të qëllojë me shqelma e grushte gruan e tij. Frika për jetën e saj dhe mirëqenies e dy fëmijwve ka detyruar T.Gjikolën që t’i drejtohet komisariatit të policisë numër 6 duke kërkuar urdhër mbrojtje. Të njëjtën padi e ka paraqitur edhe në Gjykatën e Tiranës, duke u shprehur se ndjehet e kërcënuar dhe e trembur nga bashkëshorti agresiv, i cili paraqet rrezikshmëri të lartë për të.

Padia

“Paditësja T.Gjikola, me kërkesë padi drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë Tirane ka kërkuar Lëshimin e urdhrit të Mbrojtjes në familje nga i padituri Eduard Gjikola. Nga hetimi gjyqësore dhe aktet doli se paditesia është banore në Unazën e Re. Paditësja T.Gjikola dhe i padituri Eduard Gjikola janë burrë e grua dhe  nga martesa kanë dy fëmije . Bazuar në ligjin nr.9669, datë18.12.2006  “Masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare” e paditura i është drejtuar Komisariatit të  Policisë Nr.6, Tirane për tu vënë në mbrojtje nga i  padituri për shkak të dhunës që ushtron ky i fundit ndaj paditëses. T.Gjikola shpjegon se i padituri burri i saj Eduard Gjikola ka qenë i dënuar me burg për dhunë në familje dhe menjëherë sa ka dalë nga burgu ushtron dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj dhe fëmijëve të tij. Ky fakt provohet nga dhuna e vazhdueshme që ushtron i padituri dhe pasqyruar në kërkesë-padi, siç janë incidenti Nr.1- para disa ditësh në banesë duke ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike ndaj paditëses, duke e sharë dhe fyer. Të pranishëm dy fëmijët e paditëses. Incidenti Nr.2- në datën 03.04.2014 në banesë duke ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike. Paditësja shpjegon se në datën 03.04.2014 rreth orës 18:00 i padituri ka ardhur në shtëpi i dehur dhe filloi të shajë dhe ofendoj, e më pas filloi ta qëlloi me shkelma dhe me grushte. Të pranishëm dy fëmijët e paditëses. Nga shpjegimet e paditëses del se ajo ndihet e kërcënuar dhe e frikësuar për jetën nga veprimet e të paditurit, prandaj kërkon qe të miratohet urdhri i menjëhershëm i mbrojtjes. Gjykata duke parë sa më sipër dhe duke parë dhe kërkesën e paditëses për pyetjen e fëmijëve, çmoi dhe pyeti të dy fëmijët, të cilët në seancë gjyqësore shpjeguan se babai i tyre pi shpesh dhe kur pi rreh mamanë, pra paditësen”.

I padituri

“Nga ana tjetër rezultoi se i padituri ka qenë i dënuar penalisht për veprën penale të dhunës në familje, të parashikuar nga nenin 130/a paragrafi 4  i Kodit Penal. Është dënuar 1 vit e 8 muaj me kusht për një periudhë prej 2 vjetësh, sipas vendimit të datës 30.05.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Sa sipër rezulton se i padituri është person i dhunshëm   edhe pse është nën efektin e lirimit me kusht, ai përsëri vazhdon që të ushtroi dhunë ndaj paditëses, e cila e ndjen veten të frikësuar dhe e kërcënuar. Gjykata në lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, për masat mbrojtëse ndaj dhunës në familje duhet të mbështetet në nenin 10 të ligjit nr.9669, datë18.12.2006  “Masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”. Nga sa sipër gjykata konkludon se kërkesa është e bazuar ne ligj”.

Vendimi

“Miratimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes datë 05.04.2014  më ndryshimet si më poshtë; 1-Detyrimin e të paditurit Eduard Gjikola (dhunuesin) që të mos kryejë ose të mos kërcënojë se do të kryeje vepër të dhunës në familje ndaj paditëses (viktimës) apo pjesëtarëve të familjes së viktimës, ku autoritet përgjegjëse të përdorin mjetet e arsyeshme për të mbrojtur viktimën dhe për të parandaluar vazhdimin e dhunës. 2-Të paditurit Eduard Gjikola i ndalohet t’i afrohet në distancë prej100 m paditëses T.Gjikola dhe fëmijët e saj. 3-Ndalimin e të paditurit Eduard Gjikola t’i afrohet shkollës së fëmijëve. 4-Paditësit Eduard Gjikola i ndalohet t’i afrohet shtëpisë ku paditësja T.Gjikola dhe fëmijët e saj do të qëndrojnë. 5-.I padituri Eduard Gjikola të largohet nga banesa bashkëshortore për një periudhë prej 3 muaj, duke filluar nga data 16.04.2014 deri në datën 16.07.2014. – Mos zbatimi i këtij urdhri përbën vepër penale”.

 

Durrës

Arrest me burg për inspektorin, lejoi ndërtimin pa leje

Pas një hetimit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, gjykata vendosi arrestin me burg për shtetasin Enver Shaba (Shala), administrator i një kompanie ndërtimi, akuzuar për “Ndërtim të paligjshëm”, si edhe për shtetasin Fiqiri Dema, me funksion Kryeinspektor i Inspektoratit Urbanistik Vendor të Komunës Rrushkull, Durrës. Të dy këta persona, në zbatim të vendimit të Gjykatës, janë arrestuar gjatë ditës së shtunë nga ana e forcave të Policisë së Shtetit. Nga hetimi i Prokurorisë së Durrësit, rezulton se shtetasi Enver Shaba ka kryer një ndërtim të paligjshëm 7 kate + garazh në zonën e Shkëmbit të Kavajës, shumë pranë detit. Ky objekt pa leje, rezulton që në mënyrë formale të jetë konstatuar nga kryeinspektori i INUV, Fiqiri Dema, i cili nuk ka ndërmarrë asnjë veprim tjetër për raportimin e këtij rasti, si edhe për ndërhyrjen për prishjen e tij. Në kohën kur është konstatuar si ndërtim i paligjshëm nga ana e kryeinspektorit Dema ndërtesa ka qenë 4 kate në ndërtim dhe garazh, por ai ka shënuar në proces-verbalin përkatës vetëm 2 kate + garazhd. Pavarësisht konstatimit, megjithëse të pasaktë, kryeinspektori nuk ka kryer asnjë veprim tjetër. Dhe, në kohën kur në kuadër të hetimeve të kryera nga Prokuroria, është realizuar verifikimi në terren, ka rezultuar se ndërtimi që është pjesë e hetimit, ishte ngritur në 7 kate.

Hetimet

Prokuroria e Durrësit, më datë 30.10.2013, ka regjistruar procedimi penal të vitit 2013, për kryerjen e veprës penale “Ndërtimi i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a i K.Penal. Pas hetimeve të kryera është konstatuar se kjo vepër dyshohet se është kryer nga shtetësi Enver Shaba dhe për këtë shkak është proceduar me datë 13.05.2014, me regjistrimin e emrit të këtij shtetasi  si person ndaj të cilit zhvillohen hetime për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a pg 2 të Kodit Penal, ndërsa ndaj shtetasit Fiqiri Dema me detyrë Kryeinspektor i INUV në Komunën Rashbull, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal. Procedimi fillimisht është regjistruar mbi bazën e referimit të akteve për ndjekje penale, me shkresën me nr.2983, date 29.10.2013 të Komisariatit Policisë Durres. Kjo e fundit rezulton se ka ardhur në dijeni për kryerjen e një ndërtimi të paligjshëm me një shkrese të INUK, Dega Durrës, pasi ka kërkuar mbështetje nga forcat e policisë për pezullimin e ndërtimit shumë katësh, pa leje, në zonën bregdetare, Shkëmbi i Kavajës, ndërtim i cili kryhet nga shtetasi Enver Shaba. Nga hetimi i kësaj çështje, konstatohet se objekti pa leje të organeve kompetente ka filluar shumë kohë përpara se të fillonin procedurat e konstatimit të ndërtimit të paligjshëm dhe nxjerrjes së vendimit nr. 20 datë 23.10.2013 nga Kryeinspektori i Inspektoratit Urbanistik Vendor të Komunës Rushbull, është nxjerr vendimi “Për prishje të Objektit” në të cilin është përshkruar se objekti është 2 kat dhe një kat nën tokë. Këto akte duket se janë tepër formale pasi sipas aktit të ekspertimit dhe tabelës fotografike të mbajtur me datë 25.10.2014, rezulton se objekti është 4 kat dhe jo dy kat sa është përshkruar në këto akte. Në mospërmbushje të rregullt të detyrës të parashikuar nga neni 5, gërma “d e dh” të ligjit nr. 9780, datë 16.07.2007 “Për inspektimin e ndërtimit” i ndryshuar, si dhe pikës 8 të VKM nr. 862, datë 05.12.2007 “Për unifikimin e procedurave të kontrollit të territorit nga Inspektorati ndërtimor urbanistik Kombëtar e ai vendor” ka vepruar shtetasi Fiqiri Dema, me detyrë Kryeinspektor i INUV në Komunën Rashbull, i cili ka lejuar ndërtimin dhe më pas në mënyrë krejt formale duke ditur që ndërtimi po kryhej në tokë publike dhe në zonë me rëndësi kombëtare, nuk ka prishur objektin dhe kallëzuar faktin për ndjekje penale.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency