Shtohen përfituesit / Kategoritë që përfitojnë ndihmë ekonomike dhe pagesë invaliditeti me ligjin e ri

0
116

Kush mund të bëjë kërkesën për ndihmë ekonomike?

 Si do të bëhet aplikimi për në zonën pilot

 

timthumbLigji “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, ka pësuar një sërë ndryshimesh. konkretisht janë shtuar kategoritë që mund të përfitojnë ndihmë ekonomike apo pagesë invaliditeti. “Të ardhura të familjes” janë të ardhurat e të gjithë anëtarëve të familjes nga çdo lloj burimi, përfshirë dhe ata anëtarë që jetojnë dhe punojnë jashtë shtetit. Nuk përfshihen në të ardhurat e familjes pagesat që marrin anëtarët e familjes me aftësi të kufizuar, në kuptim të këtij ligji”, – përcakton ligji i ri.

Përfituesit e ndihmës ekonomike janë:

-Familjet në nevojë
-Jetimët, të cilët nuk janë në institucione.
-Prindërit me më shumë se 2 fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë.
-Viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesit shoqëror, deri në çastin e punësimit të tyre.

Me ligjin e ri shtohet dhe:

-Viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, që nuk trajtohen në institucionet e përkujdesjes shoqërore.

-Viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.

Nuk përfitojnë

-Shtetasit shqiptarë që banojnë jashtë vendit si emigrantë, me përjashtim të personave dhe të familjeve të tyre të caktuar me punë pranë përfaqësive tona diplomatike dhe organizmave
ndërkombëtarë.
-Azilkërkuesit, të cilët nuk kanë marrë statusin e azilit.
-Shtetasit shqiptarë, shtetasit e huaj ose personat pa shtetësi, të cilët kanë nevojë për ndihmë emergjente, si pasojë e fatkeqësive natyrore dhe e luftërave. Me ligjin e ri nuk përfitojnë dhe:

– Personat që, me vendim të formës së prerë të gjykatës, vuajnë dënimin me heqje lirie.

– Personat që trajtohen në institucionet e përkujdesjes rezidenciale publike, të financuara nga fondet e buxhetit të shtetit, për masën e ndihmës ekonomike apo pagesën për aftësinë e kufizuar.

Kërkesa për ndihmë ekonomike

Kërkesa për të përfituar ndihmë ekonomike bëhet me shkrim nga:

-kryetari i familjes ose njëri nga anëtarët madhorë të familjes

– secili prej bashkëshortëve, në rastet kur ata janë në proces zgjidhjeje martese dhe nuk ka ende vendim gjykate të formës së prerë

-Kërkesa dhe dokumentacioni për të përfituar ndihmë ekonomike paraqiten tek administratori shoqëror në njësinë e qeverisjes vendore. Kriteret, procedura dhe dokumentacioni për përfitimin e ndihmës ekonomike, si dhe nivelet minimale dhe maksimale të masës për përfitimin e saj përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave

Aplikimi

Aplikuesi, për përfitimin e ndihmës ekonomike në zonat pilot (Tiranë, Durrës, Elbasan), kur gjykon se vendimi zyrtar i organit përkatës është i padrejtë, mund t’i paraqesë ankesë me shkrim kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore. Ankesat bëhen brenda 7 ditëve pas marrjes së njoftimit. Organi i njësisë së qeverisjes vendore shqyrton ankesën dhe njofton me shkrim ankuesin brenda 5 ditëve pas marrjes së ankesës. Aplikuesi, për përfitimin e ndihmës ekonomike, kur gjykon se vendimi i marrë nga organi i qeverisjes vendore nuk është i drejtë, i paraqet ankesë me shkrim drejtorit të zyrës rajonale të Shërbimit Social Shtetëror. Ankesat dorëzohen brenda 5 ditëve nga data e marrjes së vendimit nga njësia e qeverisjes vendore.

Invalidët

Pagesa për personat me aftësi të kufizuar jepet në formën e një kësti mujor, në lekë. Masa e pagesës për këta individë dhe për kujdestarët e tyre përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Përfituesve, të klasifikuar me vendim të KMCAP-it në grupet e aftësisë së kufizuar, u ndërpritet pagesa pas 24 muajsh punësimi. Procedurat në rastet e rikthimit në skemën e përfitimit të pagesës së aftësisë së kufizuar përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, – përcakton ligji i ndryshuar. Ndihma ekonomike dhe pagesa e personave me aftësi të kufizuar shpërndahen një herë në muaj me vendim të këshillit të njësisë së qeverisjes vendore. Këshilli i njësisë së qeverisjes vendore publikon, brenda 24 orëve nga marrja e vendimit, listën e plotë të përfituesve të ndihmës ekonomike dhe pagesën për personat me aftësi të kufizuar.

 

Rikthehen pensionet për 23 mijë minoritarët që jetojnë në Shqipëri

Greqia do të rikthejë pensionet për të moshuarit minoritarë. Lajmi është dhënë nga Guvernatori i Instituti të sigurimeve, sipas të cilit nga këto pensione përfitojnë rreth 23.000 persona. Guvernatori tha se rivendosja e pensioneve për të moshuarit nga minoriteti grek në Shqipëri dhe për të riatdhesuarit nga ish-Bashkimi Sovjetik, është urdhëruar nga kryeministri Antonis Samaras dhe do të zbatohet shumë. Vendimi hyn në fuqi në 1 qershor. Pensionet për minoritarët u hoqën 2 vjet më parë, dhe për rikthimin e tyre u vendos si kusht, qëndrimi për mbi 20 vjet në Greqi dhe që përfituesit të mos merrnin pension në asnjë vend tjetër. Pensionet kapin shifrën e 360 eurove në muaj dhe prej tyre kanë përfituar rreth 18.000 minoritarë grekë në Shqipëri, apo persona që kanë mundur të sigurojnë dokumente, që vërtetojnë lidhje me kombësinë greke.

 

Një pjesë e grevistëve përfundojnë në spital, Qafzezi: Kryeministri të mos heshtë

Dita e katërt e grevës i ka gjetur ish-punonjësit e larguar nga puna me probleme të rënda shëndetësore. Një pjesë e tyre janë shoqëruar për në spital. I pari që u ndje keq ishte grevistit Mehmet Cemurati, ish-gardist, duke paraqitur probleme dhe luajte tensioni. Pas ndërhyrjes së mjekëve, u bë e mundur stabilizimi i gjendjes shëndetësore të tij, e më pas kthimin sërish në tendat e grevës. Po dje, është ndier keq dhe një tjetër grevist. Bëhet fjalë për Petrit Fejzullai, ish-financier ISKSH, punonjës në Drejtorinë Rajonale Tiranë, i cili është marrë me autoambulancë, duke u përcjell më pas për në spital. Edhe Fejzullai ka paraqitur luhatje të theksuara tensioni, duke bërë të mundur ndërhyrjen e menjëhershme të mjekëve, e më pas transportimin e tij në spital. Ndërkohë Ludovik Berisha, ish-inspektor zjarrfikëse Berat është dërguar me urgjencë në spital, pasi është ndjerë keq. Bëhet me dije se grevisti është ndjerë keq, pas një luhatje tensioni. Kryetarja e Shoqatës së të Larguarve nga puna, Nertila Qafzezi, theksoi se Kryeministri nuk duhet të hesht sa i takon kësaj situate. “Kryeministri deri më tani ka heshtur, siç kanë bërë ministrat e tij. Ata duan që kjo çështje të mbyllet. Ne duam një ambulancë në dispozicion”, – përmendi Qafzezi. Edhe gjatë ditës së djeshme deputetët demokrat, Flamur Noka, Jozefina Topalli, Albana Vokshi dhe Mesila Doda kanë vizituar grevistët. Deputetja e Partisë Demokratike Jozefina Topalli bëri me dije se kryeministri Rama po bën sjellje enveriste. “Ata po sakrifikojnë me një akt sublim, për një gjë që është buka e gojës, e fëmijëve të tyre. Zotëria që është në atë godinën aty, (Kryeministri) duhet ta bëjë diçka, sepse ja thotë ligji. Ata janë hequr nga puna në mënyrë të pa drejtë. Përfaqësojnë të gjithë ata njerëz që janë hequr padrejtë. Kjo është sjellje enverizmi”, – tha Topalli. “Shërbimi mjekësor po sillet me arrogancë. Grevistët dërgohen në spital dhe lihen rrugëve”, – u shpreh Flamur Noka. “Mjekët po kryejnë kontrollet rutinë. Kushtet në fillim nuk ishin të mira. Si fillim e kishin lënë në korridorin e spitalit, e më pas lanë një dhomë enkas për ta. Do kërkoja një sensibilitet për këtë rast, pasi është një nga rastet e vështira. Do kërkoja mbështetje dhe ndihmën e atyre njerëzve që e ndjejnë se kanë disa nga bashkëqytetarët e tyre dhe prania e tyre ka vlerë. Pasi këta persona po bëjnë akte të mëdha. Ata janë në kushte të vështira.”- përmendi Mesila Doda. Ndërkohë Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, gjatë një vizite në Përmet ka kërkuar që greva e urisë të mos politizohet, por nuk ofroi asnjë zgjidhje për zgjedhjen e kësaj çështjeje.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency