Ligji i ri për tregun e sigurimeve, çfarë ndryshon

0
121

 Ervin Kaduku

siguriRiformulohen klasat për sigurimin e jetës për rreziqet e mëdha si sigurimi i mjeteve lëvizëse mbi shina, i avionëve, anijeve, mallrave që transportohen, kreditit, garancive

 Ritmet e rritjes së tregut të sigurimeve në krahasim me vendet e tjera vazhdojnë të jenë shumë të ulëta dhe kjo është një prirje që ka ardhur në rritje gjatë viteve të fundit. Referuar vlerësimeve të Bankës Botërore, tregu i sigurimeve në Shqipëri mbetet pas të gjitha vendeve të Evropës Juglindore dhe Qendrore. Volumi i primeve ka arritur në 0.66% të PBB-së, ndërsa konsumi i sigurimeve është 20 euro për banor. Sigurimet e detyrueshme MTPL dominojnë tregun, duke përbërë 57% qind të totalit të primeve të sigurimit të Jo-Jetës. Kjo nxit nevojën për hartimin e një ligji të ri për veprimtaritë e sigurimit dhe risigurimit, i cili mori miratimin në parim dhe nen për nen nga Kuvendi. Tashmë në tryezat e ligjvënësve për diskutim është ligji për funksionimin e AMF-së, i cili pritet të shoqërohet me shumë diskutime.

Por, duke iu rikthyer edhe një herë ligjit të miratuar për sigurimet dhe risigurimet, ishte Banka Botërore, ajo që, për të rritur performancën në këtë treg, rekomandoi si masë kryesore përmirësimin e kuadrit rregullator, duke dhënë dhe bashkëpunimin dhe kontributin e saj në hartimin e këtij ligji.
Ky kuadër i ri ligjor ka për qëllim forcimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurimeve në vend duke synuar një harmonizim optimal me interesat e konsumatorit në këtë fushë.
Bazuar në këtë qëllim, ai vendos parime e përcakton rregullat, veprimtarinë dhe procedurat për krijimin, organizimin, administrimin, funksionimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë së sigurimit, risigurimit dhe ndërmjetësimit, në mënyrë që ky treg, të funksionojë në një treg të sigurt, të qëndrueshëm e transparent. Dokumenti ligjor përmban 273 nene, të organizuara në 15 krerë. Disa nga risitë kryesore janë:

 

Përmirësimi i klasave të sigurimit

Përmirëson klasat e sigurimit ndaj rreziqeve që mbulon veprimtaria e sigurimit, duke riformuluar klasat për sigurimin e jetës, si dhe duke klasifikuar rreziqet e mëdha, siç janë sigurimi i mjeteve lëvizëse mbi shina, i avionëve, anijeve, mallrave që transportohen, kreditit, garancive etj. Ky klasifikim është përputhur me direktivat evropiane në fushën e sigurimeve.

 

Përmirësimi i drejtimit të shoqërive të sigurimit

Duke i konsideruar shumë të rëndësishme drejtimin dhe vendimmarrjen në shoqëritë e sigurimit, projektligji përmban dispozita që synojnë rritjen e përgjegjësisë dhe të llogaridhënies së personave që administrojnë dhe drejtojnë shoqërinë e sigurimit. Administrimi i shoqërisë së sigurimit kryhet me një nivel, nga Këshilli i Administrimit, i cili ushtron edhe funksione mbikëqyrëse. Kriteret që duhet të plotësojnë anëtarët e këtij Këshilli zgjerohen dhe forcohen, krahasuar me ligjin ekzistues, si dhe parashikohen rregulla për parandalimin e konfliktit të interesit dhe të transaksioneve me palë të lidhura.

Veprimtaria e Këshillit të Administrimit mbështetet nga Komiteti i Auditimit, i cili monitoron veprimtarinë e shoqërisë së sigurimit, veçanërisht raportimin financiar dhe kontrollin e brendshëm.

 

Administrimi i rrezikut
Ligji parashikon rregulla të hollësishme për administrimin e rrezikut nga shoqëritë e sigurimit, duke mbajtur një nivel të mjaftueshëm kapitali, në raport me volumin, klasat e sigurimit dhe natyrën e rreziqeve. Lidhur me mjaftueshmërinë e kapitalit, projektligji parashikon që:

– Fondi i garancisë së shoqërisë së sigurimit të mos jetë më i ulët se 1/3 e kufirit minimal të aftësisë paguese të saj. Ky fond përbëhet nga:

– kapitali bazë, i cili nuk duhet të jetë më i ulët se niveli i kërkuar i aftësisë paguese;

– kapitali shtesë.

Gjithashtu, në të parashikohen rregulla të hollësishme për administrimin e likuiditetit, primet e sigurimit, krijimin e provigjoneve të mjaftueshme teknike dhe matematike, masa për rimëkëmbjen financiare etj.

 

Mbikëqyrja me fokus riskun

Mbikëqyrja me fokus riskun është një nga risitë kryesore të projektligjit. Sipas metodologjisë së re, shoqëritë e sigurimit i raportojnë AMF-së një informacion të detajuar për veprimtarinë e tyre. Gjithashtu, këshillat drejtuese të tyre informojnë menjëherë AMF-në, në rast se u rrezikohet likuiditeti ose aftësia paguese, u përkeqësohet gjendja financiare nën kufijtë e përcaktuar në këtë ligj, si dhe mund t’u rrezikohet përfundimi apo revokimi i licencës.

AMF analizon problematikat, identifikon zonat me rrezik më të lartë në veprimtarinë e shoqërisë së sigurimit dhe nxjerr urdhrat përkatës për përmirësimin e menaxhimit të saj, me qëllim uljen e nivelit të riskut sipas kufijve të pranueshëm. Zbatimi i kësaj mase bën të mundur parandalimin e problemeve financiare, përpara se të krijohen rreziqe të mëdha në veprimtarinë e shoqërisë së sigurimit.

Mbikëqyrja nga AMF kryhet nëpërmjet analizës financiare dhe inspektimit në vend. Në ligj përcaktohen rregulla të hollësishme për kryerjen e procesit të inspektimit.

Një risi tjetër, që rrit rolin mbikëqyrës të AMF-së, është përcaktimi i rregullave për mbikëqyrjen e grupit të sigurimit. Ky grup përbëhet nga dy ose më shumë persona juridikë, ku të paktën njëri është shoqëri sigurimi dhe tjetri ka ndikim të rëndësishëm në shoqërinë e sigurimit. Grupi ekziston kur një shoqëri është mëmë e një ose disa shoqërive të sigurimit apo risigurimit. Në këtë rast, mbikëqyrja e AMF-së orientohet jo vetëm ndaj shoqërisë së sigurimit, por edhe ndaj grupit në të cilin bën pjesë kjo shoqëri.

Risi e ligjit është edhe dhënia e së drejtës AMF-së që të vendosë masa ndaj shoqërive të sigurimit, me qëllim parandalimin, korrigjimin apo ndërprerjen e rrethanave ose veprimeve që përbëjnë shkelje të dispozitave të tij apo të akteve nënligjore. Këto masa synojnë parandalimin e problemeve financiare që mund t’i krijohen shoqërisë së sigurimit, në dallim nga ligji ekzistues, sipas të cilit masat merren pasi krijohet problemi.

 

Përforcimi i mbrojtjes së konsumatorit

Ligji ka në themel të tij sigurimin e një mbrojtjeje sa më efektive për konsumatorët, të cilëve u ofrohen produkte nga shoqëritë e sigurimit. Ai parashikon rregulla më të detajuara për detyrimin e siguruesit që t’i japë informacion të plotë të siguruarit, para nënshkrimit të kontratës dhe gjatë zbatimit të saj mbi produktet që sigurohen, kushtet e kontratës së sigurimit, përfitimet që rrjedhin prej saj, si dhe tarifat e primet që duhet të paguajë. Gjatë zbatimit të kontratës siguruesi duhet të informojë të siguruarin për ndryshimet që kanë ndodhur pas nënshkrimit të kontratës, siç mund të jenë ndryshimet në legjislacion, në objektin e licencës etj. Në rastet e mosdhënies së informacionit apo kur ai është i rremë, i siguruari ka të drejtë të zgjidhë kontratën dhe të kërkojë pagesën e dëmshpërblimit për dëmin e shkaktuar.

Risi në këtë fushë është e drejta që u jepet shoqërive të sigurimit që të ushtrojnë veprimtari promocionale për produktet që ato ofrojnë në treg.

 

Procedurat për ushtrimin e veprimtarisë së sigurimit

Shoqëritë e sigurimit, për të ushtruar veprimtarinë e tyre, duhet të licencohen nga AMF dhe ky proces kryhet në dy faza: miratimi paraprak dhe licencimi. Procedura e licencimit ka mbetur e pandryshuar, por janë përfshirë kushte shtesë, që duhet të përmbushen nga shoqëritë e sigurimit.

Risi e ligjit është edhe krijimi i mundësisë shoqërive të sigurimit dhe risigurimit të vendeve anëtare të BE-së që të licencohen për të ushtruar veprimtari në vendin tonë, duke themeluar degë ose duke ofruar shërbim të drejtpërdrejtë.

 

Kontrolli i brendshëm dhe auditimi

Shoqëritë e sigurimit, sipas ligjit, janë të detyruara të krijojnë sistemin e kontrollit të brendshëm për monitorimin e veprimtarisë së tyre. Objektivat e këtij sistemi kontrollues janë identifikimi i llojeve të rreziqeve, ndaj të cilave është e ekspozuar shoqëria e sigurimit, si dhe matja, administrimi dhe monitorimi i nivelit të tyre.

Gjithashtu, shoqëritë e sigurimit detyrohen të krijojnë njësinë e auditimit të brendshëm, si pjesë përbërëse e kontrollit të brendshëm. Auditimi ligjor i shoqërisë së sigurimit kryhet vetëm nga persona juridikë, të licencuar për këtë veprimtari dhe të miratuar nga AMF.

 

Ndërmjetësit, aktuarët dhe vlerësuesit e dëmeve

Ligji trajton edhe rregulla për ushtrimin e veprimtarisë së disa profesioneve, siç janë:

– Ndërmjetësit (agjent dhe broker), të cilët licencohen nga AMF. Për veprimtarinë e agjentëve parashikohet thjeshtim i procedurave, krahasuar me ligjin ekzistues, duke i dhënë të drejtën të ushtrohet vetëm me miratim të AMF-së.

– Aktuarët, të cilët licencohen nga AMF dhe kryejnë detyra të llogaritjes së provigjoneve teknike, tarifave të primit etj.

– Vlerësuesit e dëmeve, të cilët licencohen nga AMF dhe bëjnë vlerësimin e dëmeve dhe përcaktojnë masën e dëmshpërblimit.

 

Shkeljet e dispozitave

Krahas masave mbikëqyrëse administrative, AMF-së i jepet e drejta të vendosë sanksione me gjobë për personat që kanë kryer kundërvajtje administrative.

 

Vijueshmëria e veprimtarisë

Fillimi i zbatimit të këtij ligji nuk do të ketë efekte negative ne treg. Kjo sepse,sipas këtij ligji,shoqërive, që aktualisht janë të licencuara dhe ushtrojnë veprimtari në tregun e sigurimeve u jep të drejtën e përshtatjes me ligjin e ri, brenda dy vjetësh nga miratimi i tij. Për agjentët dhe brokerat parashikohet një periudhë përshtatjeje deri në 6 muaj.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency