Brenda apo jashtë sistemit

0
116

Brikena Bogdo

brikena bogdo Mirë se vini në epokën e re të ideve! “Kur inteligjenca e teknologjisë do të prevalojë mbi inteligjencën e njeriut, atëherë do të jetë shkatërrimi i botës” (A. Einstein). Kjo do të jetë kriza e re e epokës së të ardhshmes, zhvillim i teknologjisë, më shpejt sesa zhvillimi i trurit të njeriut. Ja pse nuk na voliten më heronj të muskujve apo të imazheve gjigante, karizmatike, me fjalë boshe. Nuk është koha e heronjve, por është koha e ideve. Dhe këto ide duhet, së pari, të jenë konkrete, por njëkohësisht, e rëndësishme është, të jenë të besueshme, të implementueshme, si dhe gjithëpërfshirëse.

Këto ditë, në media u ndeshëm me një nga intervistat më interesante të z. Drew Sullivan, kryeredaktor i Organizatës për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Ai, për shumë arsye, e radhiti Shqipërinë ndër vendet me gjendje emergjente, edhe më të rëndë sesa Amerika e viteve 1930, kohë kur po lulëzonte krimi i organizuar dhe trafikimi i pijeve alkoolike, trafik që po rriste pa kufi të ardhurat e kapobandës së Çikagos, ku mbretëronte Al Capone. Ai po bënte shumë para, në atë kohë, nëpërmjet një aktiviteti kriminal, siç quhej tregtimi i pijeve alkoolike, por ajo që filloi të përbënte, më së shumti problem, ishte që ky bandit po korruptonte politikanët, të cilët më pas menaxhonin situatën me strukturat policore dhe sigurisht me gjyqtarët, duke e bërë krejt të pamundur arrestimin e tij.

Amerika tentoi fort, por edhe pati dëshirë, vullnet, infrastrukturë, ide, për ta zgjidhur. Në Shqipëri, me të gjithë alarmin e faktorit ndërkombëtar, me të gjithë kërkesat e vazhdueshme të Bashkimit Evropian, për të ulur nivelin e korrupsionit, sidomos në gjyqësor, nuk shohim reforma konkrete që të kenë efekt. Ndoqëm, përpara dy ditësh, reformën “Naço”, të përbërë nga tetë nene, për një përmirësim të funksionit të KLD-së, në luftën kundër korrupsionit. Disa pika u konsideruan shumë të rëndësishme, sidomos fakti, që gjyqtarët e KLD-së, nuk do jenë më të paprekshëm. Por, ende lihet e papërmendur një pikë kyçe e gjyqësorit, kontrolli i dobët i vendimeve gjyqësore dhe zbardhja e tyre në kohë. Pikërisht, ky është problemi kryesor, që ngre i gjithë faktori ndërkombëtar.

Një jurist, me flokë të bardha, me eksperiencë vitesh, me një karrierë të shkëlqyer në gjyqësor, me tregonte se si një gjyqtar, kishte dhënë një vendim krejt, në shkelje të ligjit. Në pamundësi për të reaguar si jurist, i drejtohet gjyqtarit me ironi: “Sa shumë mund, djersë, e lodhje, të është dashur të justifikosh juridikisht këtë vendim antiligjor?”

Në Gjermani. janë ngritur struktura të posaçme kontrolli për vendimet e gjyqtarëve, pasi e shikojnë si një pikë kyçe për cilësinë e gjyqësorit. Ndërkohë, në Shqipëri, edhe nëse shikohet si prioritare kontrolli i vendimeve dhe ligjshmëria e tyre, qëndron një problem tjetër, po aq serioz. Kush do t’i kontrollojë këto vendime? Sa i aftë është dhe sa vullnet ka ky organ, që të hedhë poshtë një vendim të padrejtë të kolegut të tij? Sa profesionalizëm ka për të kontrolluar ligjshmërinë e vendimeve të gjyqtarëve?

Gjithsesi, mund të hidhen shumë alternativa për të mundësuar një reformë reale dhe kontroll real në gjyqësor. Mund të ishte shoqëria civile, por që ndërkohë, është krejt inekzistente, e pambështetur, e paorganizuar, në një zë të përbashkët. Një mundësi tjetër do të ishin profesionistët e fushës, të paangazhuar politikisht, si dhe në strukturat e shtetit. Por, këta njerëz lihen në hije. Një alternativë tjetër do të ishte struktura, qoftë edhe brenda sistemit, por shumë të qarkullueshme dhe të ndryshueshme. Por, alternativa më demokratike do të ishte zbardhja e vendimeve gjyqësore online, ku gjithkush ka akses për të klikuar. Kjo do të zbardhte publikisht paaftësinë, korrupsionin, mungesën e ligjshmërisë të gjyqtarëve dhe të gjithë sistemit.

Ajo që sot po vlerësohet, më së shumti efikase, është evidentimi i rasteve konkrete, hap pas hapi, vendim pas vendimi, për t’u parë ligjshmëria e tyre, në mënyrë që, edhe largimet nga sistemi të jenë konkrete. Beppe Grillo, në Itali, sapo ka hedhur një ide konkrete kundër zyrtarëve të korruptuar. Do ta konsideroja figurë politike “online”, pasi të gjithë luftën e tij politike e mbështet në shërbimet e internetit, që sigurisht konsiderohet e ardhmja e zhvillimit njerëzor. Grillo hedh idenë e ngritjes së një site, ku gjithkush mund të hedhë të dhëna për zyrtarët e lartë, për banesat e tyre, aktivitetet e tyre, udhëtimet, e gjithçka që lidhet, drejtpërsëdrejti me të ardhurat dhe jetesën luksoze. Ai kërkon, jo vetëm një nisëm konkrete antikorrupsion, por edhe denoncime reale nga të gjithë qytetarët që nënkuptojnë gjithëpërfshirje, e cila është e domosdoshme, për suksesin e reformave rrënjësore.

Por, në Shqipëri diskutimi mbetet tek sistemi dhe efikasiteti i tij. A mund të zgjidhet kjo situatë qerthull, brenda sistemit? Ky sistem është efikas për të vënë nën kontroll të rreptë gjyqtarët? Për të zgjidhur këtë dilemë, midis sistemit dhe individit, i kthehemi çështjes dhe ëndrrës amerikane, se si e zgjidhi ngërçin me krimin dhe korrupsionin? Amerika zgjodhi rrugën jashtë sistemit, pasi sistemi i korruptuar, ndërkohë, ishte krejt i pabesueshëm dhe inefiçent, për publikun. U krijuan hallka të posaçme, jashtë sistemit. Qeveria e Uashingtonit, emëroi disa persona, të paprekshëm (ishin një grup oficerësh policie, të cilët nuk i raportonin strukturave të zakonshme). Gjithashtu, emëruan prokurorë federal, jolokalë, në mënyrë që të mos mundeshin të korruptoheshin.

Se si e ngriti në piedestal figurën e dhënësit të drejtësisë, apo figurën e policit amerikan, tashmë ne të gjithë e dimë. Më 21 janar e 2011, indinjata bëri xhiron e botës, pikërisht me përdhosjen e figurës së policit të veshur. Në Amerikë, të gjithë kontribuojnë në mënyrë vullnetare, për të forcuar këtë figurë, thelbi kundër krimit të organizuar.

Kryeministri i vendit, Edi Rama, pretendon në mënyrë filozofike, që sistemi bën individin. Ndërkohë, që edhe Amerika, në raste ekstreme, ka dalë jashtë sistemit. Pra, edhe Amerika, me një sistem të fuqishëm, ku trafikantët e kanë të vështirë të mbijetojnë, ka qenë e detyruar të dalë jashtë sistemi. Nëse, është sistemi që bën individin, apo individi sistemin, kjo do të mbetet maksimë filozofike. Ajo që po kërkohet sot, është një sistem funksional. Dhe sistemin funksional e bëjnë, ose profesionistët, jashtë interesave partiake, ekonomike, ose individët, me vullnete të forta, ose gjithëpërfshirja, që nënkupton një sistem që i përket dhe funksionon për të gjithë.

Ajo që shkakton problemin është që ndodhen jashtë sistemit njerëzit, apo juristët më të aftë. Tashmë, e dimë që përzgjedhjet kanë qenë pa meritokraci dhe partiake. E vetmja rrugëzgjidhje është përzgjedhja e atyre juristëve pa interesa të drejtpërdrejta, e atyre juristëve, që janë lënë jashtë sistemit, pasi përpara interesit material apo partiak, kanë vënë profesionalizmin dhe të vërtetën.

Amerika nuk bëri diskurse filozofike dhe nuk pati mëdyshje, midis individit, dhe sistemit. Ajo u tregua pragmatiste, duke i balancuar që të dyja, në mënyrë perfekte. Përzgjodhi edhe individin, me vullnet por, dhe sistemin e fortë dhe efikas. Amerika, së pari pati vullnetin për ta zgjidhur, pastaj gjeti format e suksesshme, të cilat, në ato momente kritike, ishin jashtë sistemit, dhe nuk i referoheshin strukturave të zakonshme. Çelësi i suksesit ishte krijimi i një grupi të pavarur dhe të pakorruptuar. Pse në Shqipëri situata është edhe më e rënduar? Edhe nëse arrihet me vullnet, të gjenden këta njerëz të pavarur dhe të pakorruptuar, mbetet pyetja, cilit organ do t’i raportojnë? Organi të cilit i dërgohen çështje për ndjekje penale, i mban të mbyllura dosjet, me vite. Ky organ, mos vallë do t’i ulë akuzat, njëra pas tjetrës, siç ndodh rëndom, duke e nxjerrë zyrtarin pa lagur? Nëse Rama e ka pranuar publikisht, që lufta antikorrupsion, sidomos në gjyqësor, nuk arrihet pa ndihmën e faktorit ndërkombëtar, atëherë një alternativë mund të jetë grupi i ekspertëve të pavarur, që iu referon strukturave ndërkombëtare.

Z. Sullivan e shpjegon hapur atë, që ne themi nën zë, mafia ka kapur shtetin, policinë dhe gjyqësorin. Kjo e bën të vështirë luftën për reforma reale dhe efikase, për të mos thënë të pamundur.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency