Produktiviteti i ndërmarrjeve ra 9% në tremujorin e fundit 2013

0
161

Ervin Kaduku

economy-donw –   Ndërkohë, kreditimi për biznesin është ulur me 2.16 për qind në terma vjetorë në fund të vitit të kaluar

 Shenjat negative, që kanë nisur të duken në ekonominë shqiptare në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, janë evidentuar nga në raportet më të fundit Kreditimi i bizneseve vijon të tkurret që nga tremujori i dytë i vitit 2013, sipas raportit të stabilitetit financiar të Bankës së Shqipërisë. Në fund të 2013, kredia për bizneset ra me 2.16%, në terma vjetorë. Kjo sjellje u kushtëzua kryesisht nga tkurrja e kredisë në valutë me 3.78%, ndërsa kredia në lekë shënoi zgjerim të lehtë me 1.13%. Sipas madhësisë se aktivitetit, bizneset e mëdha kanë përfituar 62.7% të portofolit të kredisë për bizneset, ndërkohë që biznesi i vogël dhe ai i mesëm kanë përfituar përkatësisht 17% dhe 20.3% të portofolit. Për sa i përket kohëzgjatjes së kredisë, vërehet një prirje e biznesit të madh për të zgjeruar kredinë afatshkurtër, ndërsa biznesi i vogël dhe i mesëm ka rritur peshën e kredisë afatgjatë. Në lidhje me monedhën e kreditimit, vërehet një prirje për zgjerimin e kreditimit në lekë, i cili përbën 34% të totalit. Në këtë periudhë, biznesi i vogël ka shfaqur një prirje më të fortë për rritjen e kreditimit në lekë, ndërkohë që biznesi i mesëm dhe i madh ka shfaqur një ritëm më të ngadaltë.

Cilësia e portofolit të kredisë për bizneset është përmirësuar, në fund të 2013, duke reflektuar kryesisht shitjen e kredive me probleme nga bankat dhe fshirjen e tyre nga bilanci. Ne fund të vitit, raporti i kredive me probleme për bizneset shënonte nivelin 26.03%, nga 26.5% që shënonte në fund të gjashtëmujorit të parë.

Gjatë periudhës në analizë, bizneset e kanë rritur ekspozimin ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit, në ndryshim me prirjen rënëse të reflektuar që nga fillimi i vitit 2012. Në dhjetor 2013, teprica e kredisë në valutë, e pambuluar nga rreziku i kursit të këmbimit, arriti në rreth 31.3% të totalit të kredisë për bizneset (ose rreth 131 miliardë lekë) krahasuar me 28.1% në qershor 2013.

Ndërkohë që pesha kredisë në valutë në totalin e tepricës së kredisë dhënë bizneseve ka rënë, pesha e kredisë së pambuluar nga rreziku i këmbimit është rritur në 47.7% të kredisë në valutë, kundrejt 42.2% që shënonte në qershor 2013. Struktura e kredisë së bizneseve, e pambuluar nga rreziku i kursit të këmbimit, reflekton rritjen e kredisë “për tregti” në 48.12 % të këtij portofoli, ndërsa kredia “për zhvillim biznesi” dhe kredia “për zhvillimin e pasurive të paluajtshme” zënë përkatësisht 23% dhe 8.7%

Për sa i përket cilësisë së portofolit të kredisë për biznese, e pambuluar nga lëvizjet e kursit të këmbimit, treguesi është përkeqësuar në nivelin 31.6% nga 28.4% në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit (Grafiku 4.10 -majtas). Kjo sjellje është në kontrast me prirjen rënëse të peshës së kredive me probleme në portofolin në valutë, e cila u përmirësua në 27.78% nga 28.64% në qershor 2013, dhe të portofolit total të bizneseve. Në portofolin e kredisë për biznese, të pambuluar nga rreziku i kursit të këmbimit, përkeqësimi i cilësisë vazhdon të mbetet më i theksuar te kredia “për zhvillimin e pasurisë së paluajtshme”, ku pesha e kredive më probleme është rritur në 57% nga 48.9%, në qershor 2013.

 

Biznesi

Sipërmarrësit paralajmërojnë se mungesa e kreditimit nuk mund të zgjasë edhe për shumë kohë, pa krijuar një situatë shumë negative për ta. Ajo çfarë po ndodh te sipërmarrjet shqiptare në të gjithë këtë periudhë krize ka dy anë. Lajmi i mirë është se sipërmarrjet kanë treguar deri tani përgjegjësi sociale, duke qenë të matura për të mos i pushuar punonjësit nga puna, në një periudhë kur të ardhurat nga shitjet apo shërbimet janë tkurrur në mënyrë të dukshme. Por, ana e zymtë e medaljes është se kompanitë janë bërë më pak produktive, e kjo nuk është në të mirë të tyre dhe as të ekonomisë në tërësi.

Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, produktiviteti i kompanive shqiptare ka rënë ndjeshëm. Në tremujorin e fundit të vlerësuar, treguesi i produktivitetit u tkurr 8.2%. “Dinamika negative u thellua më tej në këtë tremujor, si pasojë e rënies së vlerës së shtuar, kundrejt ritmeve pozitive të punësimit”, thuhet në raportin e politikës monetare për tremujorin e katërt të 2013-s”.

Prirja rënëse e thellë e produktivitetit të punës është në nivel kompanie dhe është pasojë e mbajtjes së të njëjtit numër punonjësish në punë, ndërsa vlerësohet të ketë pasur rritje të lehtë të pagës mesatare në terma realë. Në terma vjetorë, niveli i pagës mesatare në sektorin jobujqësor është rritur me 1.1%, ku përjashtohet efekti i inflacionit, çka ka sjellë rritje vjetore të kostove të punës për njësi të prodhuar me rreth 10%.

E gjithë kjo vjen në një periudhë kur treguesit e shitjeve janë të ulët. Një tregues është ai i inflacionit, i cili paraqitet nën 2% prej muajsh, çka do të thotë presione të ulëta për të rritur çmimet në treg.

Të dhënat e INSTAT në të njëjtën kohë flasin për ruajtjen e nivelit të të punësuarve në sektorin jobujqësor, i cili arriti te gati 260 mijë.

Drejtuesit e Dhomës së Tregtisë së Tiranës mendojnë se presioni mbi sipërmarrjen rritet për shkak të rritjes shumë të ulët të ekonomisë vendase. Ndaj, nëse do të na duhet të arrijmë në kufijtë, ku sipërmarrjes do t’i duhet të marrë një vendim, vetë investitorët e pranojnë se do të mbizotërojë logjika ekonomike, mbi atë sociale, pasi nëse do të dështonin në të parën (pra të vendosin të rrinë shumë kohë me humbje apo me fitime minimale) automatikisht do të rrezikonin edhe të dytën (mundësinë për të paguar punonjësit).

 

Eksperti

Ekspertët vlerësojnë se një zhvillim i tillë është për t’u vlerësuar nëse zgjat për një periudhë jo shumë të gjatë, pra aq sa të mos dëmtojë punësimin, por as kompanitë.

Me gjithë efektet negative që mund të ketë tek investimet në të ardhmen, edhe ekspertët e ekonomisë i lexojnë pozitivisht treguesit punësim-produktivitet-fitim.

Sipas ekonomistit Artan Hoxha, Raporti i Bankës së Shqipërisë i shpjegon arsyet e rënies së produktivitetit të punës, dhe sipas tij, “është një raport mes vlerës së shtuar dhe kostos së punës. Rënia e produktivitetit duhet parë si efekt shtrëngues i krizës ekonomike mbi numëruesin e thyesës më shumë sesa mbi emëruesin e saj”.

Skenarët e tjerë të zhvillimit në të njëjtat rrethana sipas Hoxhës do të ishin të tillë që, “nëse do të kishim rritje të produktivitetit apo edhe një ruajtje konstante të tij, atëherë do të kishte ndodhur të kemi largime më të shumta nga puna ose do kishim pasur ulje të pagës mesatare ose një kombinim të të dyjave”. Ky do të ishte një skenar i rëndë social, sipas tij, dhe fakti që nuk ka ndodhur tregon se bizneset po e mbajnë thuajse tërësisht vetë barrën e krizës, pa ia kaluar atë të punësuarve të tyre. Por arsyeja mund të jetë edhe një tjetër. “Nëse kjo nuk ka ndodhur si rezultat i ndjeshmërisë sociale të sipërmarrësve, mund të jetë pasojë e faktit që sipërmarrësit nuk dëshirojnë të humbasin fuqinë punëtore tek e cila kanë investuar për aftësimin e saj”, sipas Hoxhës, e kjo e çon në një tjetër përfundim që gjen konfirmim edhe te vrojtimet e Bankës së Shqipërisë, apo edhe deklaratat e përfaqësuesve të biznesit. “Kompanitë duket se shpresojnë se diku në të ardhmen e shpejtë, kjo situatë e vështirë do të kalojë dhe për atë moment të favorshëm, fuqia punëtore që disponojnë do t’iu shërbejë pozitivisht”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency