Ndryshon ligji/ Ish-të përndjekurit politikë që janë gjallë, 5 kategoritë që përfitojnë 85 milionë dollarë  

0
163

Driçim Çaka

sociale70% e fondit vjetor do të shkojë për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë që janë gjallë, ndërsa 30% e fondit do të jepet për trashëgimtarët

Ministria e Mirëqenies Sociale prezantoi dje ndryshimet në ligjin për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë. Ndryshimet në ligj do të fokusohen te ish-të përndjekurit që sot janë gjallë, duke dëmshpërblyer fillimisht këtë kategori, ndërsa dëmshpërblimi për trashëgimtarët do të bëhet me ritme të ngadalta. Konkretisht, do të jenë 5 kategori që do të përfitojnë nga fondi prej 85 milionë dollarësh. “Do të përfitojnë ish-të dënuarat politike femra, ish-të dënuarit politikë të mbetur gjallë mbi moshën 75 vjeç, ish-të dënuarit politikë që kanë sëmundje të rënda, ish-të dënuarit politikë që kanë fëmijë minorenë dhe ata që janë nën 75 vjeç”, – u shpreh zv.ministrja e Mirëqenies Sociale, Gentiana Sula, gjatë një konference për shtyp. Sipas të dhënave, rreth 2754 ish-të dënuar janë gjallë dhe fatura financiare për dëmshpërblim kap shifrën e 85 milionë dollarëve, vetëm për këtë kategori. “Konstatuam se gjithsej ish-të burgosur politikë gjallë janë 2754 persona. Nga këta në moshën mbi 75 vjeç janë 1284 persona, të tjerët janë nën 75 vjeç. Nga këta na ranë në sy që gra janë 117 persona. Duke bërë disa analiza financiare konkluduam që shuma që mbetet për të shpërblyer kategorinë e personave të gjallë është 8 miliardë e gjysmë lekë ose rreth 85 milionë dollarë”, – theksoi zv.ministrja e Mirëqenies Sociale.

 

Ndarja e fondit

Çdo fond vjetor për ish-të përndjekurit politikë do të ndahet në masën 70 me 30. 70% e fondit do të shkojë për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë që janë gjallë, ndërsa 30% e fondit do të jepet për trashëgimtarët. “Sipas këtij ligji, çdo fond vjetor të ndahet në 70% që të shpërblejë kategorinë prioritare dhe 30% për të shpërblyer trashëgimtarët e këtyre personave. Sipas ligjit, do të shpërblehen ata që nuk kanë marrë asnjë këst, më pas ata që kanë marrë vetëm një këst, pastaj vetëm ata që kanë marrë vetëm dy këste e kështu me radhë”, – përmendi Gentjana Sula. Ministria e Mirëqenies Sociale ka ngritur një grup pune, i cili do të nisë shumë shpejt shqyrtimin edhe të mbi 2000 dosjeve të ish-të përndjekurve politikë, që kanë ngelur jashtë kësaj skeme, për shkak të mangësisë në dokumentacion. Sipas përllogaritjeve paraprake, do të duhen 400 mln dollarë për të dëmshpërblyer të gjithë të dënuarit politikë për vitet e burgut gjatë monizmit.

 

Kategoritë që do të përfitojnë 85 milionë dollar

-Ish-të dënuarat politike gra

-Ish-të dënuarit politikë që janë ende gjallë mbi 75 vjeç

-Ish-të dënuarit politik që vuajnë nga sëmundje të rënda

-Ish-të dënuarit politikë që kanë fëmijë të vegjël

-Ish-të dënuarit politikë të gjallë nën moshën 75-vjeçare

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency