Operacioni / Kapet 47 ton cigare në port, do shitej kontrabandë në Shqipëri

0
215

Sonila Mesareja

Drejtoresha Spiropali: Ishin cigare pa pullë dhe dokumentacion të rregullt, kishte për treg vendin tonë si mall kontrabandë

Avokati Tivari: Kompania malazeze disponon dokumentacion të rregullt, cigaret kishin destinacion Malin e Zi, anija ishte transit

 

Porti-i-Durresit-300x200Një sasi prej 47 ton cigare kontrabandë është bllokuar dy ditë më parë në portin e Durrësit, ndërsa dyshohet se do të tregtohej kontrabandë në Shqipëri. Cigaret po transportoheshin me një anije tanzaniane, “ERA-1”, e cila ishte e regjistruar në Tanzani, por që ekuipazhin e kishte ukrainas. Sipas burimeve zyrtare nga Doganat bëhet me dije se vlera e cigareve të sekuestruara kap shifrën e 10 milionë dollarëve. Pas bllokimit të anijes dhe ndalimit të ekuipazhit, në port ka mbërritur edhe vetë drejtoresha e përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali, e cila deklaroi se cigaret kontrabandë do të tregtoheshin në Shqipëri dhe se dokumentet e tyre ishin të falsifikuara. Cigaret, sipas Spiropalit, ishin të destinuara për tregun shqiptar. “Është pjesë e hetimit. Anija kishte në brendësi punonjës dhe anëtarë të ekuipazhit që ishin nga vende të ndryshme të botës dhe mendohet se anija në destinacionin ishte parashikuar të shkonte në Mal të Zi, por fakti që është gjetur cigare pa pulla dhe kontrabandë tregon se do shitej në territorin shqiptar”, tha Spiropali. Por, ndryshe nga drejtoresha Spiropali, avokati i kompanisë malazeze Idlir Tivari është shprehur se malli në anije është me dokumentacion të rregullt dhe shumë shpejt ato do t’i vihen në dispozicion Doganave dhe Prokurorisë. Sipas tij, dokumentet i ka agjenti në doganën e Malit të Zi, pasi anija është transit në Shqipëri. Mësohet se anija vinte nga Greqia dhe kishte për destinacion përfundimtar Malin e Zi.

Operacioni

Anija tregtare me flamur të Tanzanisë u ndalua nga Anti-Kontrabanda në Portin e Durrësit dy netë më parë. Anija ishte nisur nga Greqia dhe sipas dokumenteve, destinacion ishte Mali i Zi. Anija ndodhej prej dy ditësh në Portin e Vlorës, pasi kishte kërkuar ankorim për shkak të kushteve të këqija të motit. Por me përmirësimin e saj, anija me flamurin e Tanzanisë ka tentuar të largohet nga porti i Vlorës pa iu nënshtruar lejes përkatëse të kapitenerisë, sipas procedurës për të lundruar në ujërat shqiptare. Në orët e mbrëmjes së të premtes, anija u ankorua në portin e Durrësit ku iu nënshtrua kontrollit. Sipas burimeve, dyshohet se kjo anije më parë ka qenë me flamur shqiptar dhe me emrin “Kavaja”. Oficerë të hetimit të doganave në bashkëpunim me Prokurorinë kanë bërë procedurat e këqyrjes për marrjen e deklarimeve. Aty ka rezultuar, se ka vende të hapura që bëjnë të mundur nxjerrjen e cigareve. Operacioni i dy netëve më parë është drejtuar nga Dogana, Policia Kufitare, Roja Bregdetare dhe QNOT. Hetimet po vazhdojnë nga doganat nga ku rezulton se deri më tani është kontrolluar kapiteni i anijes që nuk kishte dokumentacionin e nevojshëm dhe nuk ka respektuar procedurat përkatëse.

Reagimi

Bllokimi sasisë prej 47 ton cigare kontrabandë, sipas drejtoreshës Spiropali tregon se tashmë doganat shqiptare nuk shiten dhe blihen më me para. “Ne po presim të gjitha fijet e kontrabandës të organizuara në të kaluarën”, -tha Spiropali. Drejtoresha Spiropali deklaroi dje se strukturat e shtetit shqiptar janë të vendosura të luftojnë me çdo mjet me trafikantët dhe kontrabandën. “Ne jemi të vendosur të luftojmë me çdo mjet, me çdo formë dhe mënyrë të pakompromiste me trafikantët, kontrabandistët e njerëzit e lidhur shpesh me fije pushteti”, deklaroi Spiropali gjatë një konference për shtyp mbajtur në Durrës. Edhe për kryeministrin Rama, kapja e 47 tonëve cigare kontrabandë, tregon që Dogana nuk blihet dot me para si vjet. Këtë qëndrim kreu i qeverisë e ka shprehur përmes rrjetit social Tëitter ku ndër të tjera shkuan: “Kush ka veshë dëgjon kush ka sy shikon kush ka tru kupton: Kur kapen 48 ton cigare kontrabandë dmth që dogana nuk blihet dot me para si vjet”!

Avokati i komapnisë malazeze: Dokumentet e anijes, të rregullta

Pas operacionit, ka reaguar menjëherë avokati i kompanisë malazeze, që do të priste ngarkesën. Ai ka deklaruar se dokumentacioni është i rregullt dhe se pritet t’i dërgohet autoriteteve doganore për hetim. “Jam informuar nga përfaqësuesit ligjorë që bënë transportin e ngarkesës dhe më kanë thënë që e gjithë sasia e mallit është me dokumentacion të rregullt dhe po kontaktojmë me agjentin që është në Mal të Zi sepse destinacioni ishte Mali i Zi, që të na sjellë të gjithë dokumentacionin origjinal. Anija ka hyrë në ujërat territoriale sepse ka qenë moti i keq dhe ka marrë leje dhe në momentin që do të rregullohej moti do të nisej për në Mal të Zi. Malli është ngarkuar në veri të Qipros. Do t’i paraqesim autoriteteve doganore të gjithë dokumentacionin me qëllim lirimin e ngarkesës së bllokuar”, u shpreh Idlir Tivari, avokati i kompanisë malazeze, që do të priste ngarkesën “Montenegro Tabako Free Zone” Bar Montenegro.

 

 

Korçë

Kapen me armë dhe 42 kg drogë, prangosen dy të rinj

Policia e Korçës ka vënë në pranga dy të rinj pasi u kapën me drogë dhe armë në kuadër të operacionit policor të koduar “Radaneci”. Sipas burimeve zyrtare policore, të rinjve iu gjetën dhe sekuestruan në banesën e tyre 42 kg drogë e dyshuar si e llojit kanabis sativa dhe 24.1 gramë heroinë. Bëhet fjalë për 24-vjeçarin Edison Cerrava dhe 30-vjeçarin Emiljano Zavalani, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin ushtronin aktivitet kriminal në shitjen dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike. Sasia e drogës e llojit heroinë 24.1 gr ishte e ndarë në 150 doza, e paketuar dhe gati për t’u shpërndarë. Gjithashtu mbi dy të arrestuarit do të rëndojnë dhe akuza të tjera, pasi përveç sasisë së drogës, ju është sekuestruar një bidon vaj kanabis sattiva me peshë 54.4 gr, dy pistoleta, një Bereta dhe një me mulli, 5 fishekë pistolete Bereta, 10 fishekë pistolete me mulli, 2 peshore,20 fitil zjarrpërcjellës, një bajonetë, dy celularë, një mjet për paketimin e qeseve. Në cilësinë e provës materiale përves sasisë së drogës u sekuestruan edhe dy armë zjarri dhe fishekë. Sipas policisë, sasia e drogës kishte për destinacion tregun vendas, ndërkohë që po hetohet për të mësuar origjinën e saj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency