Kostoja e borxhit, rreziku nr. 1 i ekonomisë

0
118

 Ervin Kaduku

borxhi 2 –   Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, madhësia e kostos së borxhit vlerësohet me notën maksimale të rrezikut…

–   Familjet deklarojnë rënie të aftësisë paguese; në 55% të rasteve cilësojnë si arsye kryesore rënien e të ardhurave familjare

 Dje, borxhit nga ndërkombëtarët iu shtuan edhe 100 milionë dollarë të tjerë, që qeveria shqiptare ka marrë nga Banka Botërore. Huaja jepet me 22.5 vjet shlyerje, ku 5 vitet e parë do të jenë periudhë “grace”, gjatë së cilës nuk do të paguhet interes, por vetëm principal.

Kjo hua zgjidh momentalisht një pjesë të problemeve financiare të qeverisë, por i shtohet një stoku tashmë gjigant të borxhit publik, të cilin ekzekutivi “Rama” duket se nuk ngurron ta rritë, duke rrezikuar pamundësinë shumë shpejt për ta paguar.

Gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2013, sipas raportit të stabilitetit financiar të Bankës së Shqipërisë, publikuar dje, thuhet se industria bankare në vend percepton dy dukuri si zhvillime me potencial të lartë rreziku: përkeqësimin e ekonomisë së brendshme dhe rritjen e borxhit publik.

Në rastin e “ekonomisë së brendshme”, qëndrueshmëria e kursit të këmbimit dhe niveli i ulët i inflacionit janë reflektuar në ruajtjen e një niveli pothuajse të pandryshuar rreziku pavarësisht nga thellimi i hendekut negativ të prodhimit. Për sa u përket “individëve”, rritja e ndjeshme e normës së papunësisë dhe pritshmëritë e dobëta për ecurinë e ekonomisë për pjesën e parë të vitit 2014 janë reflektuar në rritjen e rrezikut të tyre, ndaj një viti më parë, me gjithë përmirësimin relativ të cilësisë së kredisë në fund të 2013.

Së fundi, për qeverinë, rritja e deficitit buxhetor dhe rënia e të ardhurave tatimore ndikon në rritjen e rrezikut në krahasim me një vit më parë.

Brenda këtij dimensioni, madhësia e kostos së borxhit vlerësohet me notën maksimale të rrezikut që nga fundi i vitit 2012.

Rreziku vlerësohet i rritur për “bizneset”, për shkak të tkurrjes së kreditimit, përkeqësimit të mëtejshëm të cilësisë së tij dhe rënies së indeksit të vëllimit të prodhimit ndaj një viti më parë. Rreziku i kreditit në sektorin bankar mbetet një shqetësim për industrinë bankare dhe Bankën e Shqipërisë, por pritshmëritë për vitin në vijim shfaqen më të mira.

Rreziku i kreditit përfaqëson sfidën më të rëndësishme të veprimtarisë së sektorit bankar.

 

Individët

Për të vlerësuar gjendjen financiare të familjeve dhe të bizneseve, Banka e Shqipërisë kryen një vrojtim të posaçëm, i cili zhvillohet çdo gjashtë muaj. Vrojtimi i fundit u krye në fund të vitit 2013, duke pasur në fokus zhvillimet në gjysmën e dytë të tij, ndërkohë që vlerësimet për pritshmëritë i referohen gjysmës së parë të vitit 2014.

Vrojtimi mbi situatën financiare dhe huamarrjen e individëve

Për të analizuar gjendjen financiare dhe të huamarrjes së individëve, është vrojtuar një zgjedhje prej 1210 familjesh, të shpërndara në 17 rrethe të ndryshme të vendit, ku janë përgjigjur 96% e familjeve të intervistuara.

Numri total i familjeve që deklarojnë se kanë një ose më shumë hua për të paguar në momentin e intervistimit, pavarësisht nga lloji, burimi apo vlera, ka rezultuar 333 familje ose 29% e të anketuarve (rreth 28% e zgjedhjes në total). Kjo përbën rritje vetëm me 12 familje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar, por rënie me rreth 5 pikë përqindjeje (ose 68 familje), krahasuar me mesataren e deritanishme. Rreth 61% e familjeve huamarrëse i përkasin grupit me të ardhura mujore në kufijtë “17-50 mijë lekë”. Kjo peshë është rritur krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar, dhe me mesataren e deritanishme. Në rreth 45% të rasteve të huamarrjes, familjet u janë drejtuar burimeve formale (si banka dhe institucione financiare jobankare) dhe në 55% të rasteve u janë drejtuar burimeve jo-formale (persona fizikë dhe huamarrje nga dyqanet). Dy qëllimet kryesore të huamarrjes së familjeve vazhdojnë të jenë “blerja/riparimi i një prone” në 34% të rasteve, dhe “konsumi” në 37% të rasteve. Të dy këta zëra kanë shënuar rritje respektivisht me 2 pikë përqindjeje, krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar.

Balanca neto e përgjigjeve mbi aftësinë paguese të familjeve ka rezultuar -18%, çka tregon për një përkeqësim të aftësisë paguese të familjeve me ritme të njëjta si gjashtë muaj më parë. Familjet që kanë deklaruar “rënie të aftësisë paguese”, në 55% të rasteve cilësojnë si arsye kryesore “rënien e të ardhurave familjare” dhe në 23% të rasteve “rritjen e shpenzimeve të jetesës”. Në lidhje me pritjet mbi aftësinë paguese në gjashtë muajt e ardhshëm, balanca neto shënon vlerën -1%, çka do të thotë një prirje në përkeqësim, por me ritme të ngadalësuara.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency