Trafiku i klandestinëve/ Shkatërrohet rrjeti prej 16 vetësh, çonin shqiptarë në SHBA për 24 mijë euro

0
136

Anxhela Tato

Hetimet 4-mujore pas sinjalizimeve të FBI-së, operacion në 6 rrethe: Tiranë, Kavajë, Shkodër, Malësi e Madhe, Durrës, Elbasan

 Skema e trafikut me 2 linja, Itali-Spanjë-Meksikë-SHBA dhe Shqipëri-Bullgari-Meksikë-SHBA

 prokuroria e krimeveGoditet rrjeti i trafikut të klandestinëve në drejtim të SHBA-së, ku në pranga kanë përfunduar 15 persona. Ka qenë një hetim 4-mujor i Prokurorisë së Krimeve të Rënda në bashkëpunimin me policinë e Shkodrës, e cila arriti të identifikonte dhe të zbulonte këtë grup të mirorganizuar. Nga të dhënat e organit të akuzës bëhen publiket emrat e 16 personave, nga të cilët vetëm njëri është i shpallur në kërkim. Pagesa për udhëtimin klandestin në SHBA ishte rreth 24 mijë euro për person. Prokuroria ka bërë të ditur se ky grup kriminal ishte mjaft i strukturuar dhe konspirativ. Një prej trafikantëve është shtetas bullgar, i shpallur në kërkim. Sinjalizimi për këtë trafik është bërë nga FBI-ja, që ka vënë në lëvizje Prokurorinë Shqiptare për të hetuar të përfshirët në këtë trafik. Skema e trafikut ishte Tiranë – Maqedoni – Bullgari, ku pajiseshin me dokumente bullgare të rreme dhe më pas dërgoheshin në Meksikë; nga Meksika ata hynin në territorin e SHBA-së. Ata kishin kohë që operonin në këtë linjë trafiku dhe deri më sot kanë nisur deri në 50 vetë. Këtë çështje janë duke e hetuar prokurorët Përparim Kulluri, Elisabeta Imeraj dhe Ervjola Stojaka. Hetimet janë në vazhdim, pasi përveç të arrestuarve ka edhe persona të tjerë të përfshirë.

 

Hetimet

Nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër dhe Prokurorinë për Krime të Rënda, në kuadër të një hetimi intensiv dhe profesional të shtrirë në harkun kohor të rreth 4 muajve, duke shkëmbyer informacion të vazhdueshëm me agjencitë ligjzbatuese amerikane, është bërë e mundur goditja e një grupi kriminal të dyshuar për trafik të personave në drejtim të SHBA-së prej 16 personash, nga të cilët janë ndaluar 15 shtetas dhe shpallur në kërkim ndërkombëtar një tjetër shtetas. Operacioni policor për ndalimin e tyre është shtrirë njëkohësisht në 6 rrethe të vendit: në Tiranë, Kavajë, Shkodër, Malësi e Madhe, Durrës dhe Elbasan. Në kuadër të këtij operacioni të realizuar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër, gjatë 24 orëve të fundit u ekzekutuan 10 urdhra ndalimi në Tiranë dhe 5 urdhra ndalimi në Shkodër. Ndërkohë, në momentin e ndalimit shtetasit maqedonas Nertil Perzvizi, i është sekuestruar sasia prej 58.500 dollarë, ndërsa shtetasit Zaim Hysenbelliu iu gjet e iu sekuestrua sasia prej 10.150 dollarësh. Shtetasit Nikollë Kalaj gjatë kontrollit në banesë i është gjetur e sekuestruar një armë zjarri automatik dhe një sasi municioni luftarak.

 

Të arrestuarit

Pashko Nilaj, 52 vjeç, banues në Kamicë, Malësi e Madhe

Prel Micaj, 60 vjeç, banues në Bajzë Malësi e Madhe

Ali Metvelaj, 53 vjeç, banues në Koplik Malësi e Madhe, Shkodër

Gjergj Martinaj, 49 vjeç, banues në Shkodër

Filip Kërtunga, 55 vjeç, banues në Velipojë, Shkodër

Fatmir Bakalli, 53 vjeç, banues në Tiranë

Enver Karaj, 50 vjeç, banues në Shkozë, Tiranë

Fatos (Dashnor) Fasko, 44 vjeç, banues në Fier

Nertil Pervizi, 40 vjeç, banues në Delogozhd, Strugë, Maqedoni

Fatmir Flaga, 58 vjeç, banues në Tiranë

Nikoll Kolaj, 49 vjeç, lindur në Puke dhe banues në Tiranë

Zaim Hysenbelliu, 53 vjeç, banues në Tiranë

Durim Koxha, 56 vjeç, banues në Tiranë

Gëzim Tafaj, 44 vjeç, lindur në Viçidol dhe banues në Tiranë

Alfred Xhezmi Myrtaj, 50 vjeç, banues në Tiranë

Lek Micaj, 28 vjeç, banues në Bajzë, Malësi e Madhe, shpallur në kërkim

 

 Lufta në Siri/ Zhduket nga banesa familja e shqiptarit të vrarë, banesa në ruajtjen e një familjeje myslimane

Pas vdekjes së 35-vjeçarit Sherif Taushani, familja e tij ka braktisur banesës në fshatin Mollas. I ati i Sherifit, Fatbardh Taushani ja la në ruajtje një familje myslimane. Gjithçka ka ndryshuar me kthimin e të ndjerit Sherif Taushani të vrarë tashmë në Siri. 35-vjeçari, baba i një vajze dhe dy djemve të mitur, ka qenë për një kohë të gjatë në emigracion. Në fshat thonë se fillimisht shkoi në Afrikë pas kontakteve që ka pasur me një shoqatë fetare. Më pas emigroi në Angli. Atje hyri në kontakt me myslimanë, të cilët kanë ndikuar në formimin e tij. Pas kthimit nga Anglia udhëtoi për në Siri. Në fshat ende nuk e besojnë transformimin e kësaj familjeje që bashkë me fëmijët e mitur përfunduan në Siri. Isuf Guri e ka pasur shok babanë e Sherifit, Fatbardhin. Ai mendon se fajin për këtë ndodhi e ka indoktrinomi. Në Mollas banorët e quajnë absurd largimin e familjes për një kauzë që nuk dinë se si ta shpjegojnë. Thjesht ata reflektojnë. Ndërsa të afërm të viktimës kërkojnë me çdo kusht që familje tij të dërgohet nga Siria në Shqipëri. Nuk është rasti i parë kur nga ana e palës siriane ndalohet kthimi i familjeve të viktimave në atdhe. Mjafton të kujtojmë rastin e të riut Dimant Rasha, gruaja dhe fëmijët e të cilit ndodhen ende në kampet e luftës. Ndonëse kërkesës së familjarëve të tyre është refuzuar që nusja të kthehet në atdhe, me pretendimet se ajo duhet të dalë të luftojë bashkë me fëmijët. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se janë në total diku tek 80-100 shqiptarë që janë nisur në drejtim të Sirisë, por nuk është e mundur informacioni për nj numër të saktë.

 

Tiranë/ Përplasen dy automjete, plagoset 21-vjeçarja

 Një vajzë 21-vjeçare ka mbetur e plagosur lehtë në një aksident rrugor rreth orës 19:00 në aksin Tiranë – Elbasan. Dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin dhe për pasojë është plagosur lehtë 21-vjeçarja identiteti i të cilës nuk bëhet me dije. Ngjarja ka ndodhur pranë zonës së Mulletit. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidenti.

Polici/ Prezantohet nëndrejtori i bluve të Tiranës, Rebani Jaupi

 Në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë është prezantuar zëvendës-drejtori i ri i Krimeve të Rënda, Rebani Jaupi. Zv.drejtori i ri i për hetimin në qarkun e Tiranës, Rebani Jaupi, më parë ka pasur detyrën shef sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Në detyrën e tij të re, Jaupi zëvendëson Koço Dafon. Prezantimi i zëvendës-drejtorit të ri të Krimeve të Rëndë për Tiranën është bërë nga ana e drejtorit të Policisë së Shtetit, Artan Didi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency