Çantat në foto/ Shefi i Antitrafikut: Iu sekuestruan pilotit, janë sendet e tij personale

0
125

 Anxhela Tato

Makina në vendngjarje i përket policit në shërbim Arben Sina, personi i dytë, specialisti i Krimeve, Sheme Kaja

 Deklarata për shtyp: Nuk ka pasur 3-4 automjete që kanë zbritur çanta nga avioni

cantat e pilotit droga divjake sokol selfollari “Çantat që duken në fotografitë e publikuara në media janë të pilotit italian, janë sekuestruar dhe ndodhen në Prokurori”. Deklarata u bë nga shefi i sektorit të Antitrafikut të Drogës, Sokol Selfollari, duke reaguar kështu ndaj fotove të publikuara në “Balkanweb”, të cilat u siguruan nga një dëshmitar në vendngjarje, i cili rrëfeu dhe skenën me avionin në Divjakë. Sipas Selfollarit, në vendin e ngjarjes nuk ka pasur makina të tjera dhe makina me targa Elbasani, që duket në foto, është e një efektivi policie. Por shefi i sektorit Antidrogë në deklaratën e tij nuk sqaroi se përse çantat u tërhoqën nga dy policët e Divjakës dhe pa praninë e grupit hetimor. “Duke marrë shkas nga komentet e disa gazetarëve në mediat e ndryshme lidhur me ngjarjen e datës 10.5.2014, në zonën e Divjakës, ku u bllokua avioni me mbishkrimin “Piper” PA32-BT-300 mod I-GRMP, si dhe rreth disa fotove të bëra publike në disa media vetëm para pak çastesh, Policia e Shtetit sqaron se çantat e shfaqura në foto janë çantat e pilotit të aeroplanit, shtetasit italian Giorgio Riformato, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës dhe ndodhen aktualisht në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Makina me targa EL 7117 B është makina e punonjësit të policisë të stacionit Divjakë, Arben Sina, i cili u ngarkua me shërbim në vendin ku u gjend aeroplani. Personi i dytë është specialist i Krimeve në Divjakë, Sheme Kaja. Policia e Shtetit edhe një herë shpreh gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me median, për informimin e saj dhe të publikut, brenda kufijve të ligjit, por gjithashtu kërkon prej tyre të mos keqinformojnë publikun për shkak të informacioneve jo të vërteta apo interpretimit jo në përputhje me realitetin. Përkushtimi ndaj të vërtetës duhet të jetë e vetmja arsye, jo vetëm e institucioneve, por edhe e medias. Në të kundërt, abuzimi me informacionin është dezinformim me keqdashje”, – deklaroi Selfollari. I pyetur për makinat që kanë transportuar çantat ai është përgjigjur se nuk ka pasur makina të tjera. “Nëse nisemi nga fotot aty nuk shikojmë asnjë makinë, shohim vetëm një makinë të një dëshmitari. Këta dëshmitarë do pyeten. Nuk na rezulton të ketë pasur tre-katër makina që të kenë zbritur çanta. Nga hetimi i deritanishëm nuk na rezulton kjo gjë”, – u shpreh Selfollari. Më tej, ai thekson se përkushtimi ndaj të vërtetës duhet të jetë e vetmja arsye jo vetëm e institucionit, por edhe e medias.

 

Pyetje-përgjigje

“Çfarë përmbanin çantat”? Shefi i antitrafikut ka sqaruar se në këto çanta ndodheshin sendet personale të pilotit italian, si manuale të avionit, veshje, licenca e sende të tjera. “Si ka mundësi që në vendngjarje janë parë makina, të paktën sipas dëshmive, të njëjtave burime që ju cituat, janë parë makina që kanë ardhur dhe kanë marrë çanta, të paktën kështu dëshmojnë banorët që kanë qenë aty, bëhet apo s’bëhet fjalë për çanta”? Kësaj pyetje Selfollari i është përgjigjur duke treguar se nga pamjet duket vetëm makina e një dëshmitari. “Në qoftë se nisemi nga fotot të bëra publike në media, aty nuk shohim asnjë makinë tjetër, vetëm një makinë të një dëshmitari, e cila është një “Ford Focus” me portobagazh, ky dëshmitar po pyetet dhe po marrim dhe dëshminë e tij. Nuk na rezulton që të ketë pasur 3-4 makina që të kenë zbritur çanta nga avioni, vetëm çantat që paraqiten në fotografi janë çantat, të cilat unë ua shpjegova dhe ua tregova dhe në foto”. Ndërsa ka mohuar që të ketë pasur makina të tjerë, të cilat janë paraqitur për të marrë çanta.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency