Amendimet në 2015/ “Fërkime” biznes-qeveri për ndryshimin e ligjit për TVSH-në

0
155

Ervin Kaduku

 –   Amendimet duhet të hyjnë në fuqi nga viti i ardhshëm, por nuk janë pritur mirë nga ana e subjekteve kryesore private në sektorë të ndryshëm të ekonomisë

Edi-Rama-mbledhje-qeverie-KM-565x376 Ligji për TVSH-në ka filluar të prezantohet te shoqatat e biznesit, por duket se amendimet e qeverisë nuk janë pritur mirë prej tyre. Kërkesat e para nuk kanë munguar që pak ditë pas prezantimit të ligjit. Kërkohet heqje e TVSH-së për kolateralet bankare dhe që fermat e vogla të mos pajisen me NIPT.

Vitin e ardhshëm, një pjesë e mirë e sipërmarrjeve duhet të përgatiten për të operuar në kushte të ndryshme nga ato aktuale. Duhet të paguajnë 20% më shumë se çmimi aktualisht i produktit apo shërbimit që tregtojnë, ose në po këtë nivel do të ulet kostoja e disa produkteve të tjera.

Megjithëse ndryshimet që do të nisin të aplikohen tetë muaj më vonë, kanë filluar reagimet e para e madje edhe kërkesat e para.

Reagimet në vijim janë vetëm pjesa fillestare e një debati që është hapur e pritet të “nxehet” javët e ardhshme, kur shumë prej shoqatave të biznesit të parashtrojnë kërkesat për ndryshime në ligj.

Ndryshimet më të mëdha të ligjit vijnë në tregun e sigurimeve, në tregun bujqësor dhe atë të medias elektronike e të shkruar.

 

Reklamat, risi e hidhur për gazetat

Projektligji që po diskutohet me grupet e interesit parashikon vendosjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për reklamat në median e shkruar dhe atë elektronike. Ato do të përfshihen në bazën e tatimpaguesve të TVSH-së sipas parimit të kreditimit të tatimit. Sipas këtij ligji, mediat e shkruara do të vazhdojnë të jenë të përjashtuara nga TVSH për shtypjen, por do të rikthehen që të paguajnë TVSH-në për reklamat. Ky hap pritet të vështirësojë tregun e mediave, duke parë edhe kushtet aktuale të ekonomisë. Sipas agjencive të reklamave, të cilat menaxhojnë një pjesë të mirë të reklamave, kompanitë kanë reduktuar fondet për reklama vitet e fundit për shkak të vështirësive në shitjet që po hasin në treg. Ky hap shihet si një pengesë më tepër.

 

Bujqësia: Le të fillojnë me të mëdhenjtë

Në bujqësi, fermat vitin e ardhshëm parashikohet të pajisen me NIPT njësoj si sipërmarrjet e tjera, ndonëse kjo nuk do të vlejë menjëherë për efekt të tatimeve. Projektligji parashikon regjim të veçantë të kompensimit të prodhuesve bujqësorë. Pajisja me kodin tatimor, sipas ekspertëve të tatimeve, u jep të drejtën fermerëve të eksportojnë e të zgjerojnë aktivitetin, pa pasur detyrimin për deklarim.

Enver Ferizaj, president i Këshillit Shqiptar të Agrobiznesit shprehet se është dakord në parim, pasi tregu ka nevojë për formalizim, mbi të gjitha industritë përpunuese. Por, sipas tij, futja në skemë e fermave të vogla (me 1-2 lopë) është tërësisht e pamundur. Përfaqësuesit e agrobiznesit i druhen aktivizimit të shpejtë tatimor të pajisjes me NIPT dhe sipas tyre, fermat e vogla nuk do të jenë gati. Për më tepër, mund të rrezikojë të kthehet në një amulli detyrimi i tyre për të deklaruar çdo shitje. Numri i fermave në vend shkon në 300 mijë dhe imagjinoni vetëm një deklarim të tyre shitje në ditë, për sasi shumë të vogla.

Sipas Ferizajt, formalizimi duhet të fillojë me faza e të përfshijë së pari kompanitë më të mëdha, duke vazhduar me ato të nivelit të mesëm. Por, hapi që do të ndërmerret vitin e ardhshëm pritet të ndihmojë industritë përpunuese, të cilat do të kenë mundësi (nëse jo vitin e ardhshëm) pak kohë më vonë të shkarkojnë te fermerët TVSH-në, në masën që do të përcaktohet. Nga ana tjetër, fermat pritet të përfitojnë nga humbjet që u shkaktohen, pasi vlera e deklarimit të nivelit të humbjeve kompensohet në detyrimin tatimor të fermës dhe kujtojmë se në bujqësi, niveli i humbjeve është i lartë dhe arrin në gati 40% të të gjithë prodhimit.

 

Amerikanët: Të përjashtohen kolateralet nga TVSH-ja

Ndërsa po formulojnë kërkesat e tyre që do t’i prezantojnë Ministrisë së Financave, problemin më shqetësues, Dhoma Amerikane e Tregtisë e parashtroi gjatë javës së kaluar në një takim me zëvendësministrin e Financave, Ervin Mete. Sipas Ardiana Kalos, kryetare e komitetit të taksave pranë kësaj Dhome, kërkohet të mos përfshihen në pagesën e TVSH-së objektet apo mjetet kolaterale të bankave. Kolateralet e bankave kanë filluar të kenë rëndësi e të shfaqin edhe problemet e tyre, pikërisht në momentin kur është rritur shansi që ato të ekzekutohen (sekuestrohen) nga përmbaruesit. Niveli i kredive të këqija mbetet i lartë, e sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë, kolateralet duhet të çlirohen nga kjo taksë, për të bërë më të lehtë procesin.

 

Ndryshimet kryesore

Projektligji, i cili do të shfuqizojë ligjin ekzistues për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij, duke nisur nga 1 janari 2015, parashikon që furnizimi i barnave, shërbimeve shëndetësore nga institucionet shëndetësore, publike dhe private, të jetë një furnizim i përjashtuar nga TVSH.

Arsimi do të vazhdojë të mbetet i përjashtuar nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar.

Aktualisht, organet tatimore i rivlerësojnë transaksionet sipas parimit që shitjet duhet të jenë patjetër mbi kosto. Me ligjin e ri, trajtimi do të bëhet sipas vlerës që merr malli apo shërbimi në varësi të kushteve të tregut. Për shembull, një produkt që është në prag skadence mund të shitet nën kosto dhe tatimet do ta njohin këtë çmim për efekt të llogaritjes së vlerës së TVSH-së.

Ndërkohë, shërbimet financiare, me ndonjë ndryshim të vogël, do të mbeten të përjashtuara në përputhje edhe me direktivën; pullat postare, pulla të taksës e të ngjashme; lojërat e fatit, bastet; furnizimi i ndërtesave; tokës, qiradhënia e ndërtesave me disa përjashtime. Furnizimi i kartave të identitetit po ashtu është specifik dhe mbetet pa TVSH.

Gjithashtu është hequr përjashtimi për furnizimin e hekurit dhe çimentos ndaj subjekteve ndërtuese të hidrocentraleve, të cilat, në bazë të marrëveshjes respektive, i përdorin si lëndë të parë për ndërtimin e hidrocentraleve.

Ndryshimet reflektojnë në një masë të gjerë marrëveshjen e asistencës me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe i tillë është edhe përjashtimi nga TVSH i furnizimeve të shërbimeve të destinuara për realizimin e fazave të kërkimit dhe të zhvillimit të operacioneve hidrokarbure, të kryera nga kontraktorët ose nënkontraktorët që punojnë për realizimin e këtyre fazave.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency