A do të ketë pranverë demokratike?

0
136

Nga Prof. Dr. Bajram Hysa

Jam ndër besimtarët e palëkundur se më 26 prill Shqipëria do të gdhihet e lirë, duke e kthyer përsëri demokracinë në pronë të qytetarëve të saj.

Regjimi politik i viteve të fundit, i pagëzuar me emrin spekulativ “rilindje”, ka kohë që ka rënë, por mbahet me dhunë policore e propagandistike, siç e treguan dhe konfrontimet e provokuara nga falangat e krimit qeveritar Ditën e Verës në Elbasan.

Madje, edhe pasionet dhe tifozllëku për Rilindjen në elektorat ka rënë në pikiatë. Askush nuk impresionohet më nga fjalët dhe batutat bajate e të dala boje. Në qoftë se PD dhe opozita kanë krijuar një kamp, në PS nuk ka mbetur asnjeri, pasi Rilindja nuk ka qenë ndonjëherë pjesë e saj. Ajo ka qenë dhe është në shërbim të oligarkisë dhe vepron nën urdhrat e saj. Po të perifrazonim përkufizimin e Presidentit Linkoln për “qeverinë e popullit, nga populli për popullin” në një shtet demokratik, për dy qeveritë Rama në këto 8 vjet do të shpreheshim: “Qeveri e rilindjes për oligarkët”.

Kjo qeveri erdhi në pushtet si askush në historinë moderne pluraliste, pa asnjë program të shpallur, pa asnjë rol ekzekutiv dhe pa asnjë objektiv ekonomik e social. Është qeverisur si një monarki, duke u keqkuptuar nga të gjithë dhe e ndihmuar keq nga ndërkombëtarët, duke prekur e cenuar rëndë edhe formën e qeverisjes së përcaktuar qartë në Kushtetutë, duke marrë peng të gjitha pushtetet, në kundërvënie të hapur me parimet e njohura të demokracisë moderne të pjesëmarrjes dhe përfaqësimit, duke shpërfillur dhe injoruar nevojat imediate për ekuilibër politik e social dhe për një progres të vërtetë.

Ky regjim kleptokratik ndërhyri, me një ekskluzivitet të tepruar, në përgatitjen e përcjelljes së funksioneve politike dhe administrative, duke i përdhosur aspiratat e zhvillimit njerëzor e të pasurimit kulturor, deri në cenimin e lirisë vetjake të njerëzve, në cenimin e të drejtave bazë të gjithsecilit, duke fshirë kronologjikisht gjithë traditën demokratike postdiktatoriale, duke injoruar të gjitha pushtetet dhe duke rrëshqitur thellë në mafiokraci.

Historia postkomunste e demokracisë shqiptare, me gjithë gabimet dhe cedimet e herëpashershme, ishte e mishëruar qartë në institucione solide të pavarura që nuk ekzistojnë më, edhe pse Rama kërkon të motivohet për mandatin e tretë për të mbrojtur Reformën në Drejtësi?! Apo e konsideron drejtësinë pronë e çiflig të vetin?

Përballë vlerave demokratike e institucionale disavjeçare, me dimensione europiane, u mbivendosën, duke sfiduar krejt sistemin, pseudovlerat absurde të “revolucionit mavi” të rilindjes famëkeqe, që e çoi Shqipërinë 30 vjet prapa në skëterrën e diktaturës.

Reminishencat e kësaj diktature dhe instinktet e mbrapshta të një natyre të prishur janë sot prezente kudo në jetën politike, sociale dhe administrative të vendit, ku po ndodh një proces dramatik i shkatërrimit të institucioneve dhe ngecjes së demokracisë funksionale.

Prandaj është e domosdoshme dhe imperativ historik fitorja e opozitës në zgjedhjet e reja parlamentare, për të çmontuar këtë atavizëm diktatorial. Lëvizja opozitare nuk është një ndërmarrje thjesht për ndërrim mekanik pushteti, por është shpirti që shtyn dhe frymëzon vullnetin popullor, një vullnet politik në shërbim të idealit njerëzor.

Opozita, e frymëzuar nga parimet e mëdha euroatlantike, ka promovuar një besim të palëkundur për të hedhur themelet e një realiteti të ri, për t’i dhënë demokracisë një shtytje vendimtare, ku secili pushtet të ketë përgjegjësitë e veta të mirëfillta, për të zhdukur këtë formë qeverisëse, që varfëron popullin e thjeshtë dhe majm ortakët e qeverisë dhe për t’u dhënë shanse të gjithëve, sipas mundësive faktike që rrjedhin nga evolucioni ekonomik, shoqëror e psikologjik.

Opozita, nën lidershipin e zotit Basha, ka politikanë të përgjegjshëm që e njohin mirë detyrën e tyre përballë qytetarëve shqiptarë, të inspiruar nga filozofia dhe programi i PD, fryt i një sinteze që ka buruar duke depërtuar në labirinthin e problemeve, të alternativave dhe të zgjedhjeve më të domosdoshme, mbështetur mbi një doktrinë të pandryshueshme në lidhje më parimet e ndarjes së qartë të pushteteve, të zhvillimit progresiv të ekonomisë dhe mirëqenies, si dhe të zbatimit të urtë të faktorëve ndryshues në jetën e qytetarëve, pa përjashtuar asnjë individ. Parime të tilla, që nuk e shpërfillin kuptimin e përgjegjësisë njerëzore dhe angazhimit qytetar, janë në themel të shoqërive të reja moderne.

Zoti Basha, si njeri i thjeshtë, familjar, me përgjegjësi politike e shoqërore, pa dyshim ka përvojën dhe pjekurinë e duhur për të qeverisur demokratikisht çështjet e mirëfillta të njerëzve, ndaj po zhvillon një fushatë të qetë, edhe pse i provokuar rëndom nga të ngërdheshurit mavi të rilindjes dhe të krimit, që bashkëjeton dhe bashkëvepron me të.

Opozita, fituese pas 25 prillit, është e bindur se brenda një mandati do të jetë e aftë dhe funksionale për të kthyer në binarë çrregullimet e rënda që u injektuan, pa kurrfarë aftësimi për të drejtuar qeverinë, por të aftë vetëm përballë ngasjeve të arbitraritetit e padrejtësisë, Të mbetur në gjendje papjekurie politike, që nuk mendojnë ekzistencën kolektive të këtij populli, sado maxhorancë të ketë një parti qeverisëse, me vota të fituara apo të blera, një popull hyn në histori vetëm duke përdorur me dinjitet shumicën e vet politike e shoqërore dhe jo duke u jargavitur pas përfaqësuesve kallpë, që, në kurriz të halleve dhe nevojave të tyre ekzistenciale, shijojnë pa turp dhe me harbutëri privilegjet e pushtetit.

Këtë shumë socialistë tashmë e kanë kuptuar dhe nuk e ndiejnë veten të aftë të vrapojnë pas pushtetit në këto zgjedhje, shumë prej tyre janë tërhequr nga gara elektorale, duke i dhënë fund konformizmit servil ndaj shefit të tyre.

Mijëra socialistë të thjeshtë, që i ka pllakosur varfëria dhe i ka shtrydhur pandemia, por jo skleroza, po i largohen me vetëdije dogmatizmit rilindës, duke ndjerë për së largu marrshin funebër të regjimit të urryer kleptokratik, që e ktheu demokracinë në një karikaturë, duke vënë në lojë vetë ekzistencën e saj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here