Në 4 muaj/ Dhuna në familje, 310 persona kërkuan mbrojtje nga Gjykata  

0
126

Gjyqtarët: Shpesh, kërkuesit tërhiqen nga kërkesa për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, nuk paraqiten fare në Gjykatë

Rast dhune, nëna: Më mbroni nga djali dhe nusja, më dhunojnë prej disa vitesh, nuk duroj dot më

 
Dhuna në familje nuk po njeh kufij dhe dita-ditës shtohen rastet e kërkesave për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes. Burra që dhunojnë gratë, djem që dhunojnë nënat, nuse që dhunojnë vjehrrat dhe vëllezër apo kushërinj që dhunojnë njëri-tjetrin. Një rast mjaft prekës, por që arrin një nënë të kërkojë mbrojtje nga drita e syve të vet, djali i vetëm. Nëna i kërkon Gjykatës: “Më mbroni nga djali dhe nusja, më dhunojnë psikologjikisht dhe fizikisht, nuk mundem më”. Gjykata ia pranon kërkesën dhe i kërkon djalit të mos i afrohet banesës dhe nënës së tij. Po si rasti i mësipërm, por jo vetëm prindër që dhunohen nga fëmijët, janë të paktën 310 persona që i janë drejtuar Gjykatës së Tiranës në 4 muajt e parë të vitit për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes. Kanë përfunduar së trajtuari 249 prej këtyre kërkesave, ndërkohë që 61 janë ende në trajtim nga gjyqtarët e seksionit familjar të Gjykatës së Tiranës. Ajo që konstatohet në një vëzhgim të bërë në faqen e kësaj gjykate është tërheqja nga kërkuesit e lëshimit të urdhrit të mbrojtjes, duke detyruar gjyqtarët të pushojnë këto kërkesë-padi. Të kontaktuar nga gazeta “Standard”, gjyqtarë të këtij seksioni shprehen se pjesa më e madhe e kërkuesve nuk paraqiten fare në gjykata, ndërkohë që edhe një pjesë e atyre që paraqiten, tërhiqen me argumentin se kanë rregulluar marrëdhëniet me premtimin se nuk do dhunohen më nga bashkëshortët apo dhe se e ndërmarrin këtë hap për shkak të fëmijëve. Por, nuk janë vetëm konfliktet bashkëshortore ato që trajtohen dhe kërkueset duan urdhër mbrojtje, por janë edhe ato prindër-fëmijë apo mes vëllezërve e kushërinjve për çështje pronësie.

 

Kërkesat

Kërkesë-paditë regjistrohen fillimisht në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku ata kërkojnë ndërhyrjen e policisë dhe plotësimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes. Më pas këto kërkesa depozitohen në gjykatë dhe pa hedhjes së shortit elektronik, brenda ditës kur mbërrijnë u caktohet gjyqtari. Mirëpo, rruga nga policia në gjykatë u lë hapësira dhunuesve të hyjnë në tratativa për të mos përfunduar deri në gjykata, herë me premtimin se do sillen mirë dhe herë më kërcënimin se nuk do u lejojnë grave të takojnë fëmijët. Janë të pakta çështjet që arrijnë të trajtohen nga gjykata, ku në pjesën më të mirë të tyre janë lëshuar urdhrat e mbrojtjes duke marrë nën mbrojtje të dhunuarit, qofshin bashkëshorte apo prindër të dhunuar nga fëmijët.

 

Rast dhune

Nënat e baballarët shpesh i tolerojnë gabimet e fëmijëve dhe nëse arrijnë deri në denoncimin në polici, apo ndjekjen deri në Gjykatë, do të thotë se situata është aq alarmante se nuk ka rrugë tjetër. Një rast i tillë i dhunës së fëmijës ndaj prindit është ai i një të moshuare, e cila kërkon nga Gjykata ta mbrojnë nga i biri dhe nusja. Para Gjykatës, e moshuara ka deklaruar: “I padituri është djali im. Ne jetojmë në të njëjtën banesë, e përbërë nga dhomë e kuzhinë, e cila ndodhet në katin e pestë, pallat me parafabrikate. Unë jetoj vetëm në kuzhinë pasi bashkëshorti im ka 17 vjet që nuk jeton, ndërsa i padituri me gruan dhe dy fëmijët jetojnë në një dhomë. Ne kemi probleme prej 16 vjetësh, që kur është martuar djali, pasi nusja është shkak i gjithë kësaj gjendjeje. Është shumë nevrike. Jam shumë e acaruar, ata janë burrë e grua të dhunshëm dhe më kanë gjakosur. Unë kam vetëm këtë djalë. Incidentet e fundit kanë ndodhur në datë 23.10.2013 dhe 3.4.2014 në banesë. Në incidentin e datës 23.10.2013, i padituri më ka dhunuar psikologjikisht dhe fizikisht rreth orës 11 të darkës. Ndërsa në datën 3.4.2014, rreth orës 8 të darkës në banesë i padituri ka përdorur dhunë psikologjike ndaj meje. Në këto kushte, unë ndjehem e kërcënuar dhe e dhunuar prandaj i jam drejtuar gjykatës për lëshimin urdhrit të mbrojtjes”. Më pas e ka marrë fjalën djali i paditur, i cili është shprehur para gjykatës se “paditësja është nëna ime. Pasi vdiq babai, unë u martova dhe që atëherë nëna filloi problemet. Nuk është e vërtetë që unë kam përdorur dhunë ndaj nënës, pasi nëna është njeri shumë problematike dhe shumë e dhunshme. Unë nga shqetësimet kam goditur derën për të mos goditur nënën. Nuk janë të vërteta këto që thotë nëna ime. Kam presion të vazhdueshëm që të largohem nga banesa, por unë nuk kam mundësi ekonomike pasi kam edhe një kredi”. Pasi ka shqyrtuar provat e administruara nga të dy palët, gjykata ka lëshuar urdhrin e mbrojtës ndaj të moshuarës E. Hodo, duke detyruar të birin-dhunues të largohet nga banesa dhe të mos i afrohet deri në 100 metra nënës së tij dhe banesës ku ajo jeton për një vit.

 

Gjykatë/ Më 8 maj vendoset ekstradimi ose jo i Ben Qimes

Gjykata e Tiranës ka shtyrë për më 8 maj vendimin për ekstradimin ose jo të Arben Isufit, i njohur edhe me nofkën “Ben Qimja”. Vendimi është marrë dje nga gjyqtarja Fatime Deçolli, e cila për disa seanca ka dëgjuar pretendimet e akuzës për pranimin e kërkesës së ekstradimit dhe pretendimet e palës mbrojtëse për rrëzimin e kësaj kërkese dhe lirimin e biznesmenit fierak. Shkak për shtyrjen e seancës së djeshme u bë kërkesa e avokatit mbrojtës, Ardian Visha, i cili kundërshton ekstradimin e klientit të tij me argumentin se arrestimi ka qenë i paligjshëm dhe klienti i tij nuk ka asnjë lidhje me akuzat që rëndojnë ndaj tij. Arben Isfuaj u arrestua më 9 mars në Fier, në zbatim të një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar ndaj tij nga Gjykata e Torinos në Itali, i datës 22 qershor 2011.

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency