Trafiku i drogës/ Përgjimi i zyrtarit të Bashkisë së Vlorës zbuloi Emiljano Brahimajn 

0
147

Anxhela Tato

 

Hetimet, mister identiteti i personit, me anë të të cilit vëllezërit Brahimaj porosisnin hashashin në Lazarat

 Dy aksione të policisë dështuan planin e trafikimit të 1200 kg hashash në drejtim të Italisë me gomone

droga Zbulimi i grupit të trafikantëve të drogës doli rastësisht nga përgjimi telefonik i bisedave të një zyrtari të Bashkisë së Vlorës. Nga hetimet e organit të akuzës mësohet se prej disa kohësh nën shënjestër ishte zyrtari i Bashkisë, nga bisedat e të cilit doli në pah emri i Jorgo Naçit ose i njohur ndryshe si Emiljano Brahimaj. Sipas dyshimeve të akuzës, zyrtari ishte në kontakt me të arrestuarin Brahimaj dhe regjistrimi i bisedës telefonike ka nxitur Prokurorinë që të nisë përgjimin, nga ku rezultoi se bëhej fjalë për një grup të trafikut të lëndëve narkotike me në krye Emiljano Brahimajn. Por nuk bëhet me dije asnjë e dhënë në lidhje me zyrtarin nën hetim, i cili mund të jetë i dyshuar si personazh i përfshirë në linjën e trafikut. Ndërsa mbetet ende mister identiteti i porositësit së drogës në Lazarat, me të cilin kishte kontakte të herë pas hershme telefonike Emiljano Brahimaj. “Nga transkriptimet e bisedave, ka rezultuar se dy vëllezërit e arrestuar Emiljano Brahimaj dhe Niko Brahimaj, me ndihmën e një personi ende të paidentifikuar kanë porositur në Lazarat një sasi prej 1200 kg hashash, që do të nisnin për Itali. Me ndihmën e të arrestuarve Saimir Shoshi, Agur Malaj, Edison Latifi, Ismail Ruçi, Vehbi Bajrami dhe Ermal Daja, vëllezërit Brahimaj e kanë transportuar nga Lazarati në drejtim të bregut të detit, në zonën e Hidrovorit të Vlorës, ku edhe i priste gomonia për t’i trafikuar në Itali”, – pjesë e dosjes hetimore të akuzës.

 

Aksionet

Ngarkesa prej 1200 kilogramësh hashash do të neutralizohej nga policia gjatë dy aksioneve. I pari u zhvillua më datë 24 dhjetor të vitit 2013 ku nga forcat e policisë u bë e mundur bllokimi i lëndës narkotike dhe sekuestrimi i gomones që ishte bërë gati për nisje. Blutë sekuestruan 910 kilogramë hashash, por nuk arritën dot që të kapnin autorët. Por vëllezërit Brahimaj tentuan sërish që të trafikonin 110 kilogramë hashash drejt bregdetit. Në aksionin e dytë të bluve u ndalua dhe arrestuar shoferi së bashku me drogën, e cila është sekuestruar. Sipas dosjes, të dyshuarit përveç trafikut të drogës në një rast kanë kontrabanduar 35 klandestinë, shtetas kurd nga Greqia në Shqipëri, të cilët do t’i nisnin me gomone drejt Italisë. Policia, pas informacioneve të marra ka organizuar ndalimin e kamionit që dyshohej se kishte drogë, por pas kontrollit brenda tij u gjetën dhe u ndaluan 35 klandestinët kurd që më pas janë kthyer në Greqi. Për të gjitha këto lëvizje, sipas akuzës, rezultonte se kishte dijeni nga informatorët e policisë edhe ish-shefi i antidrogës së Fierit, i arrestuari Dritan Zagani. Ai përveç se nuk vepronte për parandalimin e tyre, i njoftonte autoritete italiane të Guardia Di Financës për lëvizjet e trafikantëve kundrejt shpërblimeve financiar.

 

 Tiranë/ Tentoi të grabiste supermaketin, pranga të dënuarit, ishte amnistuar për vjedhje

Pas përfitimit të amnistisë ish-i dënuari për grabitje nuk ka mundur dot t’i rezistojë zanatit të vjetër, këtë herë duke tentuar grabitjen e një supermarketi në zonën e Yzberishtit. I arrestuari është identifikuar si 25-vjeçari Vilson Bunga, i cili vetëm para disa muajsh u amnistua. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 të mbrëmjes së të hënës, dhe është parandaluar nga prezenca pranë vendit të ngjarjes e dy agjentëve të komisariatit numër 6 të Policisë së Tiranës. Agjentët kanë ndërhyrë menjëherë duke i bërë thirrje të dorëzohej 25-vjeçarit Bunga, që i armatosur me pistoletë ishte maskuar me një kapelë, shall dhe kapuçin e bluzës që mbante veshur. E kanë ndjekur dhe e kanë kapur, ndërsa nuk e kanë pasur të vështirë ta identifikojnë Bungën, i cili në vitet e fundit është shoqëruar dhe arrestuar disa dhjetëra herë për vjedhje dhe plaçkitje. Herën e fundit ishte arrestuar nga komisariati numër 4 i policisë së Tiranës në muajin nëntor, dhe është liruar një muaj më parë duke përfituar nga amnistia. Bunga është siguruar në ambientet e izolimit të komisariatit numër 6 dhe akuzohet për tentativë grabitjeje me armë dhe armëmbajtje pa leje. Vilson Bunga u amnistua për veprën penale të kundërshtimit të punonjësit të policisë. Në vendimin e datës 25 mars Gjykata e Tiranës e dënoi me 1 vit e 2 muaj burg, duke iu ulur një e treta e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar. Bunga ka kundërshtuar dhe tentuar të godasë punonjësin e policisë E. H., ngjarje e ndodhur në 14 nëntor të vitit 2013. Ndërkohë që në vitin 2013 Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 1 vit burg për akuzën e vjedhjes.

 

Korçë/ Dhunonte gruan dhe fëmijët, pranga 42-vjeçarit

 Dhuna në familje duket se po merr përmasa shqetësuese. Ditën e djeshme, një 34-vjeçare nga Korça ka denoncuar në polici burrin me të cilin bashkëjetonte. Kjo, pasi ai ushtronte dhunë ndaj saj dhe ndaj 3 fëmijëve të gruas. Policia e Korçës ka bërë të mundur arrestimin e Vladimir Shabani, 42 vjeç. 34-vjeçarja A. M. ka dëshmuar në polici se bashkëjetuesi i saj e ka dhunuar atë së bashku me fëmijët e saj të mitur, O. M., 11 vjeç, D. M., 15 vjeç, G. M., 14 vjeç. Mësohet se 34-vjeçarja bashkëjetonte prej pak kohësh me Shabanin në një kasolle së bashku me tre fëmijët e saj, të cilët i kishte nga martesa e parë. Shabani kthehej në gjendje të dehur çdo natë në banesë dhe pas debateve të ashpra me gruan ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj dhe fëmijëve. Shkak për dhunën mësohet të ketë qenë gjendja e vështirë ekonomike, në të cilën po përballej kjo familje. “Burri me të cilin jetoj më dhunon sistematikisht mua dhe tre fëmijët e mi. Kur erdhi në shtëpinë time pranoi të jetonte së bashku edhe me fëmijët e mi, por me kalimin e ditëve ai u bë i dhunshëm. Nuk mund të duroj kur ngre dorë mbi fëmijët e mi”, – ka deklaruar në polici 34-vjeçarja. Nga ana tjetër, vetë 42-vjeçari tha se shkak i konflikteve ishin gjendja e rënduar financiare.

 

Durrës/ Hidhet nga kati i katërt, e shpëton pema

 Një 45-vjeçare në Durrës vendosi t’i jepte fund jetës duke u hedhur nga kati i katërt i pallatit ku jetonte, por një pemë e pengoi atë në finalizimin e misionit të saj. Gruaja me inicialet M. M. fillimisht ka konsumuar një sasi detergjentesh, pastaj ka dalë në ballkonin e pallatit ku jetonte dhe është hedhur. Ajo ka përfunduar në degët e një peme poshtë pallatit, ndërsa më pas është nisur nga të afërmit me urgjencë drejt spitalit të Durrësit ku ndodhet nën kujdesin e bluzave të bardha.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency