Ekspertiza/ Vdekja e foshnjës, nga bllokimi i rrugëve të frymëmarrjes

0
184

 Anxhela Tato

 

Akti mjekoligjor, në sistemin respirator u gjend një trup i huaj, ngushtoi laringun

 Prokuroria merr në dorëzim kartelën mjekësore të foshnjës 2-muajshe dhe dëshmitë e mjekëve

vdekja foshnjes Foshnja 2-muajshe ka pasur vështirësi në rrugët e frymëmarrjes nga një lodër. Ky është rezultati paraprak i ekspertizës mjekoligjore. Vetëm një ditë pas denoncimit nga ana e prindërve dhe akuzave ndaj mjekëve për neglizhencë, ekspertizat zbulon se shkaku i vdekjes së foshnjës ka qenë mbytja dhe mungesa e oksigjenit në aparatin respirator. Ndërsa është konstatuar edhe prania e një trupi të huaj tek foshnja, e cila i ka sjellë si pasojë bllokimin e aparatit të frymëmarrjes, por ende nuk bëhet me dije se çfarë lloj sendi ka qenë dhe në cilët pjesë të aparatit respirator i ka ngecur fëmijës. Ndërkohë që, sipas mjekëve, gjatë analizave dhe grafive nuk ka rezultuar shenja klinike që të tregonin se fëmija ishte në rrezik për jetën. Hetimi është ndërmarrë nga ana e Prokurorisë së Tiranës, e cila ka regjistruar procedimin penal dhe ka nisur nga mbledhja e provave. Nga ana e përfaqësuesve të akuzës është marrë procesverbali i mbajtur nga mjeku roje, raportet mjekësore dhe analizat. Janë thirrur për t’u marrë në pyetje mjekët, të cilët kanë mohuar përgjegjësinë, duke u shprehur se foshnja nuk ka shfaqur shenja të komplikacioneve në aparatin respirator.

 

Ngjarja

Sipas familjes, në datën 28 prill, janë paraqitur fillimisht në urgjencën e Pediatrisë dhe më pas në Spitalin Francez, me foshnjën së cilës i kishte mbetur një gogël e vogël plastike në hundë, e shkaktuar nga pakujdesia e vëllait 4-vjeçar teksa luante me foshnjën. Tri orë më vonë, atyre u është dhënë garancia që fëmijën mund ta nxirrnin nga spitali, se nuk kishte probleme për jetën. Por, me të mbërritur në shtëpi, sipas prindërve, vajza 2-muajshe filloi të shfaqte sërish probleme me frymëmarrjen dhe menjëherë janë rikthyer në spital, ku pas disa minutash vajza ka ndërruar jetë. Drejtoria e QSUT-së bën me dije: “Kemi vënë në dispozicion të Prokurorisë dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore kartelën klinike të fëmijës, si dhe janë dhënë të gjitha sqarimet e nevojshme nga ana e mjekëve që e kanë trajtuar klinikisht”. Lidhur me këtë ngjarje, Besim Boçi, shefi i ORL në QSUT, ka folur për rastin në fjalë. Sipas Boçit, foshnja fillimisht ishte në gjendje të mirë shëndetësore. “Nuk kishte shenja klinike që të orientonin mjekët. Vetëm pas dy orësh fëmija paraqiti vështirësi ne frymëmarrje”- ka bërë me dije shefi i ORL, Besim Boçi. Sipas Boçit, nuk kishte shenja që të na orientonte për trup të huaj tek foshnja, pasi prindërit u ankuan se i mituri nuk pinte qumësht gjiri. “Prindërit na referuan se kishte vjelle dhe një objekt lodër. Familjarët kishin dyshime se kishte edhe lodër tjetër”, – rrëfen shefi i ORL-së, pranë QSUT-së. Sa i takon zbardhjes së plotë të së vërtetës, sipas Boçit, i takon mjekësisë ligjore ta bëjë atë.

 

Sekuestro preventive/ Pronave të trafikantit të drogës, vlera financiare 3 mln euro

 Policia e Tiranës ka sekuestruar prona në vlerë 3 milionë euro që i përkasin Aleksandër Çavos, 33-vjeçarit të dënuar me 20 vite burg për trafik droge në Itali, arrestuar dhe më pas ekstraduar në Apenine. Hetimi i pasurisë së Çavos nisi pikërisht pas arrestimit të tij për qëllime ekstradimi në shtator të vitit të kaluar. Drejtori i policisë së Tiranës, Ardian Çipa, doli dje në një prononcim për shtyp për të njoftuar vendosjen e sekuestrove preventive ndaj pasurisë së 33-vjeçarit të akuzuar për “Pastrim të produkteve të veprës penale”. Mes pasurive te sekuestruara, Shoqëria “VICTORIA-AL”, sh.p.k., me veprimtari “Import-eksport i pajisjeve të sigurisë dhe vëzhgimit e mbrojtjes nga zjarri, 8 automjete dhe tokë në fshatin Marikaj. “Pas një hetimi të drejtuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, ditën e sotme, në bazë të urdhrit të gjykatës, janë vendosur nën sekuestro preventive rreth 13650 m2 sipërfaqe tokë arë në fshatin Marikaj, si edhe 8 automjete, në pronësi të shtetasit Aleksandër Spiro Çavo, 33 vjeç, akuzuar për “Pastrim të produkteve të veprës penale”. Shtetasi Aleksandër Çavo është arrestuar në shtator të vitit 2013 në bazë të Urdhër-Arrestit Ndërkombëtar dt. 1.7.2013 të Gjykatës së Romës, Itali dhe më pas është ekstraduar në këtë shtet, i kërkuar për veprën penale të “Trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. Paralelisht me procesin e ekstradimit, autoritetet shqiptare nisën verifikimet për pasuritë e këtij shtetasi në territorin shqiptar. Nga verifikimet e kryera në kuadër të këtij procedimi nga ana e Prokurorisë në bashkëpunim me Policinë e Tiranës, ka rezultuar se në pronësi të shtetasit A. Çavo rezultojnë: Pasuri e paluajtshme e llojit tokë arë, e ndarë në 8 parcela në fshatin Marikaj; Shoqëria “VICTORIA-AL”, sh.p.k., me veprimtari “Import-eksport i pajisjeve të sigurisë dhe vëzhgimit e mbrojtjes nga zjarri. Import tregtim, mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore për përdorim shtëpiak(home-care) & transport ndërkombëtar mallrash për të tretë e me qera; 8 automjete nga të cilat 5 automjete të tonazhit të rëndë për transport ndërkombëtar dhe dy autovetura luksoze me targa ZK 2380, TR 3939 M; TR 612 M; TR 4188 K; AA 131 EP; AA 024 IG; mjete të tonazhit të lartë; AA 103 CJ dhe TR 6551 T. Këto prona në emër të shtetasit Aleksandër Çavo të cilat kapin vlerën rreth 3 milionë euro, janë vendosur nën sekuestro preventive ditën e djeshme, bazuar në vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë datë 30.4.2014”, – thuhet në njoftimin e policisë.

 

 

Berat/ Bie nga ballkoni, 4-vjeçari në gjendje të rëndë shëndetësore

 Një ngjarje e rëndë ka tronditur dje lagjen “Muzakaj” të qytetit të Beratit. Një djalë, vetëm 4 vjeç, ka rënë nga ballkoni, duke marrë plagë të rënda. Mësohet se 4-vjeçari K. Agalliu ndodhej në banesë me gjyshërit, ndërsa prindërit i kishte në punë. Në momentin që ndodhi ngjarja, raportohet se gjyshja e tij kishte shkuar në banesën e fqinjës, ndërsa djali është ngritur nga gjumi dhe ka dalë në ballkon. Sipas raportimeve nga ky qytet, fëmijës i ka rrëshqitur këmba, është përplasur me tendën e një kati më poshtë dhe pastaj ka përfunduar në bulevard. Djali ka marrë plagë të rënda në kokë, ndërsa në qytetin e Beratit nuk mund të ndërhyhej nga mjekët, prandaj është nisur me urgjencë drejt Tiranës. Mjekët e Spitalit Ushtarak shprehen se gjendja e fëmijës 4-vjeçar paraqitet nën mbikëqyrje. Sipas mjekëve, bëhet me dije se i mituri është dëmtuar në kokë. “Fëmija nuk ka dëmtime të tjera në trup. Ai është i ndërgjegjshëm, nuk është në koma”, – bëjnë me dije mjekët. Ngjarja e rëndë ndodhi dje në Berat, ku fëmija 4-vjeçar ka rënë nga ballkoni i katit të katërt dhe si pasojë e plagëve të marra është nisur për mjekim drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency