Sonila Mesareja
Oriola Lleshi braktiset nga familja, në gjendje të rënduar psikologjike paraqitet për masë. Gjykata urdhëron kryerjen e ekspertizës psikike të nënës së re
Mes lotëve, dhimbjes, pendesës për mbytjen e foshnjës së saj 6-javëshe, Oriola Lleshi është shoqëruar në Gjykatën e Krimeve të Rënda për t’u njohur me akuzën dhe masën e arrestit ndaj saj. Dy herë u ndërpre nga gjyqtari Klodian Kurushi seanca, pasi ana psikologjike e nënës së re paraqitej mjaft e rënduar. Në përfundim, në prani edhe të një psikologeje, përveç avokates së caktuar kryesisht, Gjykata vendosi të linte në burg Oriola Lleshin, të akuzuar për krim brenda familjes. Më herët, ndonëse situata në të cilën u zhvillua seanca nuk ishte aspak e mirë, prokurori paraqiti dinamikën e ngjarjes dhe shkaqet që çuan nënën e re në kryerjen e këtij krimi. Ndërkohë që, vetë gruaja është shprehur për Gjykatën se e ka kryer krimin në kushte depresioni. Ndërkaq, gjyqtari Kurushi urdhëroi që nëna e re, e akuzuar për vrasjen e foshnjës 6-javëshe, t’i nënshtrohet një ekspertize psikike, për të parë gjendjen e saj mendore pas kësaj ngjarjeje, por edhe para se ta kryente këtë krim.
Seanca
E braktisur nga të gjithë, në gjendje tepër të rënduar psikologjike, Oriola Lleshi është paraqitur para Gjykatës rreth orës 11:00 të paradites së djeshme për t’u njohur me akuzën dhe masën e arrestit. Në një seancë të zhvilluar me dyer të mbyllura, për shkak të vetë specifikës së çështjes, e reja është njohur me masën e sigurisë në prani të psikologes, ku seanca gjyqësore u ndërpre dy herë për shkak të gjendjes të vështirë emocionale të saj. Duke parë gjendjen e rënduar të 30-vjeçares, pas kërkesës së prokurorit, gjykata vendosi që të kryhet akt-ekspertimi psikik i saj. Gjykata e ka lënë në burg Lleshin, ndërsa më herët përfaqësuesi i akuzës shpjegoi dinamikën dhe rrethanat e ngjarjes. Mësohet se pas arrestimit, Oriola Lleshi pranoi në polici mbytjen e foshnjës, por pretendoi se fëmija ishte fryt i përdhunimit nga një kushëri i bashkëshortit. Por, gjatë ballafaqimit me të riun, dëshmia e saj ndryshoi. Të dy pranuan se prej kohësh kishin një lidhje intime. Mbytjen e foshnjës, Oriola Lleshi e justifikoi për shkak të gjendjes së rëndë psikologjike të krijuar pas sherrit dhe debatit me bashkëshortin, që ka refuzuar të njohë atësinë dhe i ka kërkuar divorcin. Debati ka filluar 7 muaj më parë, kur i shoqi u kthye nga Greqia për pak ditë dhe ka shprehur dyshimet e tij për tradhëtinë e të shoqes dhe mospranimin e atësisë së fëmijës. Në përfundim, Gjykata caktoi masën e sigurisë “Arrest me burg“ ndaj 30-vjeçares Oriola Lleshi, për akuzën “Vrasje me dashje të foshnjës“ të sapolindur. Çështja do të hetohet dhe gjykohet nga Krimet e Rënda, për shkak se pas ndryshimeve, Kodi i ri Penal e klasifikon krimin brenda familjes krim të rëndë. Nëna e re rrezikon deri në 35 vite burgim, pasi gratë përjashtohen nga dënimi maksimal për këto krime, dënim i cili është burgim i përjetshëm.
Morg
Pas caktimit të masës së sigurisë për nënën-vrasëse, edhe më tragjike vijon çështja, pasi ndërsa kanë kaluar disa ditë nga ky krim i rëndë, asnjë nga familjarët nuk ka marrë trupin e pajetë të foshnjës, i cili ndodhet ende në morgun e Elbasanit, pas kryerjes së ekspertizës mjekoligjore. Pas marrjes dijeni për këtë krim, trupi i pajetë e foshnjës 6-javëshe është sjellë në morgun e spitalit për t’u kryer ekspertiza, e cila do përcaktonte shkakun e vdekjes. Arrestimi i nënës që e mbyti, mospranimi i fëmijës nga babai dhe familjarët e tij kanë sjellë edhe mbetjen e foshnjës në morgun e Elbasanit pas përfundimit të ekspertizës mjekoligjore. Asnjë nuk është paraqitur për ta tërhequr dhe kryer ceremoninë mortore.
Korçë/ Mallrat kontrabandë, Gjykata lë në burg policët dhe doganierët
Gjykata e Korçës caktuar dje masën e sigurisë për tre policët e arrestuar për mallra kontrabandë dhe dy doganierët. Sipas prokurorit të çështjes, dy doganierët, Niko Vurmo dhe Altin Cenolli, në bashkëpunim me një punonjës të Policisë Kufitare, Piro Bendo, operatorin e kamerave Gazmor Bregu dhe kontrollorin Dëfrim Agastra kanë lënë të kalojnë, duke evituar detyrimet doganore një mjet tip “Mercedes-Benz” me mallra të ndryshëm ushqimore dhe pije alkoolike pa bërë zhdoganimin e tyre. Sipas prokurorit, makina nuk është kontrolluar fare nga punonjësit e doganës dhe kjo faktohet edhe nga qëndrimi i saj para sportelit të kontrollorit, i vëzhguar edhe nga kamerat vetëm për 18 sekonda. Akuzat e prokurorit janë hedhur poshtë nga avokatët mbrojtës të të arrestuarve, të cilët kanë deklaruar se mjeti tip “Mercedes-Benz” nuk kishte pasur mallrat që ishin kapur në afërsi të fshatit Pojan dhe se këto mallra nuk kanë kaluar përmes kësaj pike kalimi kufitar, duke hedhur dyshime se mallrat janë marrë diku tjetër nga drejtuesit e mjetit. Një gjë e tillë është deklaruar në sallën e gjyqit si nga tre punonjësit e arrestuar nga SHKB, ashtu edhe dy doganierët, duke i mëshuar faktit se makina kur ka kaluar në doganë nuk ka pasur mallra brenda të sasisë që janë kapur nga policia. Megjithatë, përfaqësuesi i akuzës ka kërkuar për të gjithë vendosjen e masës “Arrest me burg” me afat 30 ditë deri në përfundim të hetimeve, pasi deklaratat e të pandehurve pritet të zbardhen pas marrjes nga Prokuroria të filmimeve të plota të kamerave. Ndërkohë pasi ka dëgjuar pretendimet e palëve, gjykata ka vendosur t’i lërë në burg për 30 ditë të pandehurit deri në përfundim të hetimeve nga ana e Prokurorisë. Policia e Korçës arrestoi në flagrancë disa ditë më parë doganierët Altin Cenolli 42 vjeç dhe Niko Vurmo 43 vjeç, dhe policët Pirro Bendo, Gazmor Bregu dhe Dëfrim Agastra, pasi dyshohet se kanë lejuar kalimin kontrabandë të disa mallrave. Gjithashtu në flagrancë janë arrestuar edhe shtetasit Nalton Moni 37 vjeç dhe Gëzim Gega 46 vjeç. Këta shtetas janë arrestuar teksa ishin duke udhëtuar me automjetin tip “Mercedes Benz” me targë CA7441PT, ku në pjesën e pasme të këtij mjeti u konstatuan një sasi mallrash kontrabandë, konkretisht: 160 shishe plastike verë e kuqe me sasi secila 2 litra. 160 shishe plastike uthull me sasi 2 litra. 40 shishe plastike “Coca Cola” e zezë me sasi 2 litra dhe 5 kuti kartoni me produkte mishi me peshë të përgjithshme 58 kg.





