Ornela Vorpsi trondit italianët/ Tirana e ‘80-ës në teatrin e Romës, kur femra e bukur shihej si kurvë  

0
176

Alba Kepi

Romë/ Shkrimtarja shqiptare Ornela Vorpsi debuton në Romë. Libri i saj “Vendi ku nuk vdes kurrë” i përshtatur në një shfaqje teatrale nga regjisori italian Massimiliano Farau, tund skenën e teatrit “Eliseo”. Sukses i merituar! Kërshëri, kujtime, mendime, lot, gaz spontan e habi u bënë emocione gjithëpërfshirëse të skenës

 ornela2“Në vendin ku nuk vdes kurrë, jetohet me pluhur e baltë… Në vendin ku nuk vdes kurrë, një femër e bukur është kurvë, një femër e shëmtuar nuk është fatkeqe..”.

Shkrimtarja shqiptare Ornela Vorpsi debuton në Romë. Libri i saj “Vendi ku nuk vdes kurrë” i përshtatur në një shfaqje teatrale nga regjisori italian Massimiliano Farau, tund skenën e teatrit “Eliseo”. Sukses i merituar! Kërshëri, kujtime, mendime, lot, gaz spontan e habi u bënë emocione gjithëpërfshirëse të skenës. Për publikun italian, “Vendi ku nuk vdes kurrë”, është në kufijtë e “verosimiles”, në kufijtë mes komedisë e dramës. Për publikun shqiptar “Vendi ku nuk vdes kurrë” është thjesht e vërteta.

30 prill 2014, ora 20:30, Romë. “Rruga Nacionale” të çon drejt e në zemër të Romës, në sheshin “Venecia”, aty ku gjendet altari i paqes, monumenti që nderohet çdo vit nga Presidenti i Republikës, në kujtim të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore e çlirimit të Italisë. Sapo kalon Galerinë Nacionale, ku mund të gjesh të ekspozuar kryevepra të artit botëror, gjendet teatri “Eliseo”. Një grumbull njerëzish para tij mbajnë radhën për të hyrë në shfaqjen “Il paese dove non si muore mai”. Një fletë e bardhë në portën kryesore të hyrjes lexon “vendet janë të ezauruara”. Prej ditësh biletat janë prenotuar në rrugë telefonike. Ora 20:45, salla është plot, përveç rreshtit të parë me poltronët rezervuar për përfaqësuesit e Ambasadës, dhe lexojmë Donika Hoxha (përfaqësuese për marrëdhëniet me mediat), Ledia Hysi (konsulle fuqiplotë) etj., vende që mbetën rezervime boshe gjatë gjithë mbrëmjes. E ç’rëndësi ka! Salla është plot me miq e admirues të shkrimtares, artdashës të teatrit e të kulturës shqiptare. Ornela Vorpsi me modestinë e një tiranaseje, e vetme, ulet mes publikut. Bukuria e saj mesdhetare është përzierje mes një dive të kinemasë së Felinit e finesës së një francezeje.

“Bentornata a Roma Ornela!” Edhe pse për pak kohë, shkrimtarja shqiptare ka jetuar në këtë qytet, Italia është vendi i parë i qëndrimit të saj pas emigrimit nga Shqipëria.

“Jam e prekur, e nderuar për këtë pjesëmarrje”, – shprehet në konfidencë. Po vetëm këto pak fjalë thotë dhe kur e ftojnë në skenë të prezantojë veprën e saj. Ornela është e drejtpërdrejtë, e vërtetë, natyrale, ashtu siç dikur në rrugët e Tiranës kur për të gjithë qe “tironsja më e bukur e kohës”, artistja e re dhe e mençur. Ornela flet pak dhe lë të tjerët të flasin për të.

“Zgjodhëm për të vënë në skenë veprën e kësaj autoreje shqiptare, – thotë përfaqësuesi i Akademisë Nacionale të artit Dramatik “Silvio d’Amico”, – pasi u dashuruam me tregimin e këtij libri, me stilin e thjeshtë dhe origjinal të autores”.

Ora 21:00, dritat shuhen e pas perdes së skenës reflekton një ngjyrë e kuqe. I kuq flakë qe dhe sfondi i skenografisë, si “gjaku i partizanëve” që ndërtuan Shqipërinë komuniste, si gjaku i të pushkatuarve, i të burgosurve, viktimave të këtij sistemi. Kënga “Ne jemi komunistë” shënon nisjen e shfaqjes. Para nesh 5 pioniere të Enverit; këmishë të bardha, fund të zi e shalli i kuq lidhur në qafë. Drithmëri shpirti, njëra prej tyre më kujtoi vetveten e tim gjysheje, ndërsa me lot më sy ma lidhte çdo mëngjes këtë lak të kuq në qafë, me shpresën se damka “kulak e armiq të partisë”, kursente të paktën poshtërimin ndaj mbesës pak vjeçare teksa sekretarja e partisë së shkollës i hiqte simbolin e pionieres së Enverit.

“Në vendin ku nuk vdes kurrë, jetohet me pluhur e baltë… Në vendin ku nuk vdes kurrë, një femër e bukur është kurvë, një femër e shëmtuar nuk është fatkeqe”. Është Tirana e viteve ‘80. plot paragjykime mbi moralin, seksin, femrën, pushtetin, Tirana e shëmtuar nga të plotfuqishmit e komunizmit, komanduar nga kooperativistja e plansukseshme e dekoruar ministre, nga sekretarët e Partisë që kanë transformuar tezet, fisin, femra të mashkulluara e meshkuj që eksitohen duke parë pulpat e këmbëve të grave kur ecin. Pesë aktoret në skenë shndërrohen çast pas çasti në personazhe të librit, ato herë janë vetë Ornela, herë sekretarja e Partisë Vokshi, apo zysha e Edukatës Shtëpiake, herë trajtësohen në trupin e Ganimetes, që me sytjena të kuqe flakë merr diell në oborrin e shtëpisë së saj të mistershme, herë janë Ermira, Etleva o Blerta shtatzënë e vetëmbytur nga turpi në Liqenin Artificial. Një tregim i fortë, autobiografik e kush ka jetuar Tiranën e atyre viteve, gjen aty vetveten. Nuk ka oborr tiranas që të mos kishte në ato vite një sekret të fshehur në fund të tij, ashtu si kopshti i Ornelës që ruante eshtrat e xhajës së pushkatuar nga diktatura. Nuk ka familje tiranase që të mos kishte të mbyllur me dry bizhuteritë të familjes, ar, gurë të çmuar, dupje floriri të këmbyera herë si Ornela për të blerë libra e ushqyer shpirtin e herë për të mbajtur gjallë frymën. Batutat e skenës lëshojnë gaz spontan mes publikut. Mua më vjen të qaj, jam pjesë e kësaj Tirane e çdo objekt në skenë, si pushka, gjergjefi, drapri, ma mbushin plot mornica trupin. Është ndryshe ta lexosh vite më parë “Vendin ku nuk vdes kurrë” e krejt ndryshe ta shijosh të interpretuar në skenë. Pena e Ornelës është e ashpër, por nuk është kjo që të emocionon, pena e saj është e vërtetë, ky është çelësi i suksesit të përsëritshëm të kësaj vepre. Në “Vendin ku nuk vdes kurrë” të hanë mishin e kockën ta shqyejnë, në “Vendin ku nuk vdes kurrë” jetohet me pluhur e baltë, në “Vendin ku nuk vdes kurrë”, një femër e bukur është kurvë, një femër e shëmtuar nuk është fatkeqe.

Ornela Vorpsi fluturon drejt Italisë, atëherë kur “Vendi ku nuk vdes kurrë” nuk kishte kohë të merrej me artin, muzika e Lucio Batistit, këngëtarit të saj të preferuar i rrëfeu rrugën. Ora 22:45, salla e teatrit “Eliseo” në Romë duartroket me minuta të tëra përfundimin e shfaqjes. Duartrokasin vetë aktoret në skenë e ftojnë pranë tyre shkrimtaren. Sukses i vërtetë! Tirana i ka borxh e “Vendi ku nuk vdes kurrë” pas kaq vitesh duhet ta gjejë më në fund kohën për t’ia kushtuar artit të vërtetë. Perdja bie, ngjyra e kuqe i lë vend mondanitetit të teatrit e Ornela Vorpsi ka pranë saj bashkëshortin dhe vajzën 5-vjeçare.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency