Banania e Alveshit, gjest ndaj racizmit apo marketing?

0
141

alveshAjo që deri pak orë më parë mund të konsiderohej si nisma më e madhe kundër racizmit, tani ka humbur disi shkëlqimin e saj. Kafshata që i dha Dani Alvesh bananes që iu hodh në “Madrigal”, ka humbur vlerën e saj pasi është “përdorur” në mënyrën më të keqe nga Nejmar Junior. Në Brazil janë të indinjuar, pasi përtej gjestit të Dani Alveshit që nisi një fushatë kundër racizmit “të pagëzuar” me emrin “#SomosTodosMacacos” (Të gjithë jemi majmunë), në “Twitter” fshihet diçka më e madhe. Ky slogan është planifikuar nga “Ludoça”, agjencia e marketingut që kuron imazhin e Nejmarit. Zëvendëspresidenti i kësaj agjencie, Guga Ketzer, ka zbuluar se kjo fushatë ishte gati dhe pritej vetëm momenti i duhur për të lançuar. Deklaratat e pakujdesshme të Ketzerit janë publikuar dje nga uebsajti brazilian “Lance”. Episodi që ndodhi në “Madrigal”, ka pranuar Ketzer, ishte “justifikimi” perfekt për të nisur fushatën publicitare që drejtohet nga gazetari që njëkohësisht është edhe biznesmen, Lusiano Huk. Diçka e tillë mund të vërtetohet nga fakti se brenda 24 orëve në web gjithsecili mund të bënte për vetë një fanellë me sloganin “#SomosTodosMacacos” për 70 reais (rreth 25 euro). “Është thjesht e turpshme që të përfitohen para nga një çështje e tillë”, – akuzoi “UOL Esporte”. Uebsajti sportiv ngre gishtin kundër sulmuesit të Barcelonës: “Morali i Nejmarit është në pikëpyetje, pas kësaj që ndodhi na lind dyshimi nëse është me të vërtetë solidar për atë që i ndodhi Dani Alvesh”. Fotografia dhe videoja që e Nejmarit me në dorë të birin duke mbajtur një banane, në fakt është bërë 2 javë më parë. “Bashkë me Nejmarin menduam që të bënim diçka të madhe në luftën kundër racizmit. Ishim të bindur se imazhi i tij do të na ndihmonte që ta përhapnim këtë mesazh në tërë globin. Dhe ofendimi që iu bë Alvesh na dha spunton ideale”, – shpjegoi Ketzer.

 

Alonso: Sena, idhulli im

Në “Imola”, Fernando Alonso e kujton kështu Airton Senën, 20 vjet nga vdekja tragjike e tij. “Për mua ishte një idhull. Isha vetëm një fëmijë dhe garoja me “kart”, nga ana tjetër shihja lajmet në televizion dhe vëreja se Formulën 1 e fitonte vetëm ai, me atë kaskën e gjelbër”. Piloti spanjoll i Ferrarit ka theksuar më tej se “Airton do të jetë i pavdekshëm”. I emocionuar është shfaqur edhe Raikonen. “Duhet ta kujtojmë me buzëqeshje, sepse ai shënoi një kthesë të madhe në Formulën 1. Është një moment shumë prekës, shumë emocionues rikthimi në memorie i asaj fundjave, ku Airtoni dhe Roland Ratzenberger u ndanë papritur nga jeta”, vazhdoi më tej Kimi. Alonso zbulon se ishte i afeksionuar nga kaska e tij e gjelbër. “Ishte pikërisht ajo kaskë që më bënte më shumë për vete. Posterin e tij e kam pasur në dollapin tim. Për fat të keq nuk pata shansin ta njihja, apo të garoja me të, por të shohësh gjithë këta njerëz në ‘Imola’, të cilët e kanë ndjekur gjithnjë në këtë pistë, tregon se sa gjurmë të thella ka lënë ai në historinë e njerëzimit”.

 

Uanda dhe Ikardi, pushime në “Disneyland”

 Uanda Nara dhe Mauro Ikardi kanë përfituar nga dita pushim e skuadrës së Interit për t’u arratisur drejt Parisit e për të kaluar disa orë romantike në “kryeqytetin e dashurisë”. Çifti më i përfolur i momentit në futboll, si gjithmonë, nuk e fsheh as në publik dashurinë për njëri-tjetrin dhe të gjitha fotot i postojnë në profilet e tyre në rrjetet sociale. Një vizitë që është shoqëruar dhe nga disa fëmijë që janë të afërm të çiftit. Tashmë duket se të dy ndihen mjaft komodë me njëri-tjetrin dhe kanë arritur të mposhtin të gjithë zhurmat lidhur me lidhjen e tyre. Kujtojmë se Uanda ka qenë e dashura e ish-shokut të skuadrës së Ikardit, Maksi Lopez.

 

Polici i vë flakën tifozit

Slask Wroclaw dhe Zaglebie Lubin janë dy skuadra polake që po luftojnë në ndeshjet e fundit të kampionatit për të mbijetuar mes më të mirëve. Të shtunën këto dy skuadra u përballën me njëra-tjetrën. Në shkallët e stadiumit tifozët vendas ishin të paktë, po aq të paktë edhe miqtë, por shumë herë më të zjarrtë. Në një moment të takimit tifozët miq nisin trazirat në shkallët e stadiumit dhe nga portat hyrëse dalin disa policë për të vënë qetësinë. Njëri prej tifozëve i hipur mbi kangjella mbante në duar një fishekzjarr të ndezur. Në një moment njëri prej policëve mendoi se tifozi përbënte kërcënim dhe vendos ta spërkatë me spray pa i bërë mirë llogaritë. Spray i përdorur në të tilla raste është tejet i ndjeshëm ndaj nxehtësisë dhe i rënë në kontakt me fishekzjarrin që tifozi mbante në duar “e përcëllon” atë. Fatmirësisht për tifozin e Zaglebie-s, flak zgjati një fraksion sekonde, të mjaftueshme vetëm sa për “t’i hequr” vetullat dhe një pjesë të flokëve, por pa dëme shëndetësore.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency