Reali kërkon kualifikimin në ferrin “Allianz Arena”  

0
130

Galaktikët kanë fituar sfidën e parë, por nuk do ta kenë të lehtë që të kalojnë sfidën e kthimit, aty ku i pret skuadra e Guardiolës

Bavarezët u kanë premtuar ferrin madrilenëve, të cilët duket se nuk janë të frikësuar nga gjermanët

 realiSot në mbrëmje do të luhet edhe sfida e dytë midis Bajernit dhe Realit të Madridit. Një sfidë shumë e madhe dhe që ka bërë historinë e kompeticionit evropian do të rikthehet përsëri. Sfida e parë e luajtur në “Santiago Bernabeu” përfundoi në favor të madrilenëve. Një ndeshje që pati shumë aksione dhe shumë dramë brenda. Ekipi i Guardiolës ishte i pari që mori iniciativën për të bërë diçka. Gjermanët tentuan që të kontrollonin gjithçka, duke e filluar nga mbajtja e topit. Mirëpo një kundërsulm i spanjollëve do të sillte edhe mposhtjen e Nojerit. Pati disa raste nga të dyja skuadrat por që në asnjë nga ato nuk u arrit të shënohej. Sot do të luhet edhe sfida e dytë, e cila përcakton edhe ekipin që do të kalojë në finale. Më të favorizuar janë mdrilenët, për shkak të rezultatit të marrë në fushën e tyre, mirëpo për bavarezët nuk është e vështirë që të shënojnë një gol dhe të barazojnë gjithçka. Dje kanë dalë edhe disa nga protagonistët e sfidës, duke dhëna deklarata lidhur me sfidën. Arjen Roben është përpjekur t’i ndjellë frikë kundërshtarit që, sipas tij, do ta ndiejnë të nxehtin e “Allianz Arena”-s. Reali nuk ka fituar asnjëherë në Mynih, ku regjistron 8 humbje dhe 1 barazim, por Bajernit i duhet të shënojë të paktën 2 gola për t’u kualifikuar në finalen e Lisbonës. Madridi shënon gjithashtu një rekord të përgjithshëm negativ në Gjermani, me vetëm 2 fitore, 19 humbje dhe 6 barazime. Roben, i cili kaloi 2 sezone me Realin e Madridit, përpara se të transferohej në Mynih, në vitin 2009, tha se “merengues”-it as nuk mund ta çojnë nëpër mend se çfarë i pret në Bavari. “Është e qartë që ata do të vijnë me shumë besim, kjo për shkak të rezultatit në Madrid, por ata e dinë shumë mirë që këtu nuk mund ta kesh të lehtë një përballje. Ne nuk kemi asgjë për të humbur nesër. Sigurisht, ata nuk do të vijnë të shqetësuar, por e dinë mirë që s’do ta kenë të lehtë. Stadiumi në Mynih do të jetë tepër i zjarrtë, do të japin maksimumin e tyre dhe kjo gjë dihet. Ne kemi nevojë për fansat tanë dhe për mbështetjen e tyre. Megjithatë, jemi ne, 11 lojtarët në fushë dhe 7 të tjerët në stolin e rezervave, ata që duhet të japim gjithçka nga vetja jonë, pasi edhe ne kemi besim shumë të madh që mund të shkojmë më tej”, – është shprehur holandezi. “Jemi të motivuar mjaftueshëm”, – tha Robben. “E dimë që Madridi kërkon ‘të dhjetën’ në Evropë, por jemi ende të uritur dhe e dimë se mund të hyjmë në histori me këtë ekip që kemi, ndaj dhe kemi po të njëjtin motivim si ata. Të dyja ekipet kanë objektiva madhore”, – ka deklaruar mesfushori.  Ndërsa Karim Benzema, i vetmi që shënoi në gjysmëfinalen e parë në “Santiago Bernabeu”, është i bindur se ndeshja e kthimit me Bajernin e Mynihut në Ligën e Kampioneve do të vendoset nga detajet. Për sulmuesin francez, të dyja ekipet qëndrojnë pak a shumë në të njëjtin nivel, teksa theksoi se si Reali, ashtu edhe bavarezët, janë mësuar me ndeshje të tilla të mëdha. “Kjo sfidë do të jetë shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat. Nuk e di nëse Guardiola do të jetë ose jo vendimtar. Ai e njeh shumë mirë Realin, por edhe ne e njohim shumë mirë mënyrën se si e përgatit skuadrën e tij, prandaj do të jemi shumë të përqendruar dhe do të japim maksimumin”, – është shprehur francezi. I karikuar nga fitorja e parë në Spanjë, Benzema nxit skuadrën të japë 120% të potencialit nga minuta e parë deri në të fundit për të hedhur një hap drejt “La Decima”-s. Ndërkohë, francezi paralajmëroi edhe disa nga shokët e ekipit duke folur për një ndër pikat më të forta të Bajernit, Robeni. “Ai është një lojtar i madh dhe uroj që të mos jetë në ditën e tij më të mirë. Nuk e dimë ende nëse do të shkojmë në finale, mbeten edhe 90 minuta të tjera lojë. Ajo që vlen më shumë se çdo gjë është të shënojmë, pak rëndësi ka se kush e bën golin. E dimë që Bajernit i pëlqen ta mbajë sa më gjatë topin nën kontroll. Ne për sfidën e kthimit nuk kemi një plan të veçantë, synojmë vetëm triumfin”, – përfundoi galaktiku.

 

Guardiola: Reali akoma nuk është finalist

 “Ne nuk jemi në finalen e Ligës së Kampioneve. Jemi në disavantazh 1-0, por do të provojmë. Kam lexuar këtë javë se në Madrid që tani janë në finale, madje jo vetëm që janë në finale, por edhe e kanë fituar, prej asaj që kam lexuar se shkruhet në Madrid. Ne nuk jemi në këtë situatë. T’i shënosh 2 apo 3 gola Realit nuk është një mision i lehtë, por ne do ta provojmë me të gjitha forcat”. Kështu e ka nisur deklaratën e tij Pep Guardiola, duke folur ndoshta për ndeshjen vendimtare ndaj Bajernit. Gjithashtu, ish-tekniku i katalanasve shpreson që të ketë në formë të mirë Frank Riberi në për të eliminuar Realin. “Frank Riberi është shumë i rëndësishëm dhe i nevojshëm për ne. Ka qenë te Bajerni për një kohë më të gjatë se unë. Jam i lumtur nëse ai luan mirë, me energji dhe motivim. Ndonjëherë ai ka nevojë që të jetë disi i irrituar dhe unë jam i sigurt se ai do të luajë shumë mirë. Ai ka shpirtin luftarak, gjithmonë do të luftojë, ndaj dhe njerëzit e duan”. Gurdiola nuk harron të vlerësojë edhe potencialin sulmues të Realit. “Edhe nëse përdorim të gjithë mbrojtëset më të shpejtë, nuk mund të frenohet shpejtësia që ka Reali përpara. Mënyra e vetme është t’i presësh në kufijtë e zonës. Nëse luajmë në kundërsulm? Edhe ky është një ndër opsionet që kemi marrë në vlerësim dhe jemi përgatitur. Ata ndihen që tani në finale, por ne do të bëjmë gjithçka për t’u prishur festën”. Por edhe pse Guardiola nuk e përjashton mundësinë e kundërsulmit, është e vështirë të imagjinohet një Bajern në pritje të kundërshtarëve dhe këtë e pranon dhe vetë trajneri katalanas. “Unë dua që skuadrat e mia të luajnë me shumë zotërim të topit. Është diçka që e adhuroj dhe lojtarëve të mëdhenj u pëlqen të kenë kontrollin e topit. Mënyra ime e të kuptuarit të futbollit kalon nëpërmjet topit, kjo është ideja ime. Nuk mund ta konceptoj që të mbrohem me tetë futbollistë pas linjës së topit”. Një rëndësi të veçantë në aktin e dytë të klasikes së Evropës do të ketë pa dyshim edhe faktori “Alianz Arena”. “Kemi nevojë për tifozerinë tonë. Nuk besoj se jam unë si trajner ai që duhet të vendosë se çfarë duhet të bëjë tifozeria dhe ata e dinë këtë. Reali i Madridit përfitoi nga ndihma e tifozerisë së tij fantastike dhe unë e di që tifozët e Bajernit do të jenë me ne, ata do të na ndihmojnë shumë, por nuk mund t’i shënojnë ata golat. Kjo varet nga futbollistët”. Gjithsesi, koncepti i ndihmës që kërkon Guardiola nuk është ai i Rumeniges, që në një intervistë të tij deklaroi se Reali do të gjente ferrin në “Allianz Arena”. “Gjermanët janë shumë të edukuar. Këtu ligjet respektohen, dhe tifozeritë sillen mirë”, – është shprehur tekniku i gjermanëve.

 

Serxho Ramos: Ëndërr të fitoj Champions-in

Më afër se kurrë. Tashmë Serxho Ramos është një hap larg realizimit të “ëndrrës” së tij. Nëse “Los Blancos” arrijnë të eliminojnë Bajernin në Gjermani, ditën e martë, Ramos do të ketë një shans më shumë për medaljen e parë të artë në një kompeticion evropian, si prestigjiozja Liga e Kampioneve (Champions League), e cila do të dorëzohet më 24 maj në Lisbonë. “Për mua është një ëndërr të fitoj Champions-in. Jam vërtet me shumë fat që kam fituar thuajse çdo titull të mundshëm në nivel profesional, por më ka mbetur vetëm ky trofe pa ngritur. Asnjëherë nuk ka qenë një fiksim apo një ‘dashuri e veçantë’ për mua, por kur të mungon vetëm diçka në CV-në tënde, me siguri që është pikërisht ajo që të tërheq vëmendjen. Ky trofe nënkupton diçka më shumë. Nuk ka qenë një fiksim i vazhdueshëm, por thjesht do të thotë një realizim ëndrre. Nëse do të mund të ngre më në fund edhe këtë trofe, do të ishte diçka e jashtëzakonshme dhe tepër e gëzueshme”, – u shpreh mbrojtësi spanjoll për “Uefa.com”.

 

Proença, gjyqtari i takimit

Ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve midis bavarezëve dhe galaktikëve do ta gjykojë 43-vjeçari Pedro Proença. Portugezi është një konsulent financiar dhe njihet për seriozitet, qetësi dhe dialog në fushë me futbollistët. Proença ka gjykuar 88 ndeshje ndërkombëtare, ku spikat finalja e Evropianit të vitit 2012, ajo mes Italisë dhe Spanjës. Gjithashtu, ka arbitruar finalen e Ligës së Kampioneve të vitit 2012, atë mes Bajernit të Mynihut dhe Çelsit. Këtë sezon ka gjykuar 5 ndeshje të Ligës së Kampioneve dhe 1 në Europa League. UEFA e konsideron atë si një ekspert për ndeshjet e tensionuara, pasi me të njëjtat emocione do të jetë edhe sfida e sotme.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency