Samiti për Ballkanin/ Rama takon Vuçiçin: Të shohim përpara. Kryeministri serb, në Tiranë në fund të majit

0
100

Gëzim Saliu

 rama vucic.Kryeministri me komisionerin Hahn: Gjërat për Shqipërinë po shkojnë në rrugën e duhur

Pas deklaratave për bashkim me Kosovën, Kryeministri Rama e kishte jo pak të vështirë të shfaqej në Bruksel, duke marrë parasysh kritikën e pakursyer të ndërkombëtarëve. Pjesëmarrës në samitin për Ballkanin, kreu i qeverisë zhvilloi takime me komisionarin për zgjerimin Hahn si edhe me komisioneren e politikës së jashtme në BE, ku tema e deklaratave për bashkimin klasik Kosovë-Shqipëri me shumë mundësi ka qenë në qendër të bashkëbisedimit pa media mes palëve. Po ashtu shumë i vështirë ishte edhe takimi me Kryeministrin serb Aleksandër Vuçiç pasi më parë Beogradi dërgoi notë proteste për deklaratat e kreut të qeverisë shqiptare. Por pavarësisht ndarjes së thellë në këtë çështje, palët folën për projektet e përbashkëta të vendeve të Ballkanit të cilat janë diskutuar edhe në samit, ku të dy kryeministrat dhanë mbështetjen e tyre për autostradën Nish-Prishtinë-Durrës, hekurudha që do të lidhë Beogradin me Budapestin dhe autostradën adriatiko-joniane që lidh Shqipërinë me Malin e Zi dhe Kroacinë në veri e Greqinë në jug të vendit. “Serbia dhe Shqipëria duhet të shohin përpara, duke bërë së bashku për Ballkanin atë që Gjermania dhe Franca bënë pas Luftës së Dytë Botërore për Evropën. Është e rëndësishme të kuptojmë të gjithë se Ballkani ka nevojë për Bashkimin Evropian po aq sa BE ka nevojë për Ballkanin”, – tha Rama. Nga ana e tij, Kryeministri Vuçiç shprehu mbështetjen e qeverisë serbe për projektet duke theksuar se Bashkimi Evropian duhet të kuptojë dhe mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër Vuçiç konfirmoi vizitën e tij në Shqipëri në fund të muajit maj.

 

Takimet

Kryeministri Rama zhvilloi pasditen e djeshme një takim me komisionerin e BE-së për zgjerimin Johanes Hahn, nga ku kanë dalë shumë të optimistë të dyja palët. “Gjerat po shkojnë mirë për Shqipërinë”, – tha Johanes Hahn pas takimit të zhvilluar në Bruksel me Kryeministrin Rama. Ky i fundit theksoj se pas takimeve në Bruksel, kthehet në Tiranë me një sens optimizmi. “Është një ditë mjaft e mirë takimet shkuan mirë me Johanes Hahn. Ndamë edhe eksperiencën e gjatë të bashkëpunimit në rajon. Do të gjejmë edhe rrugën e bashkëpunimit. Do të kthehemi në Tiranë me një sens optimizmi sepse ne e dimë se çfarë do të bëjmë”, – tha Rama. Më herët, kreu i qeverisë u takua edhe me komisioneren për Politiken e Jashtme në BE, Frederica Mogherini, me te cilën ka diskutuar te ardhmen evropiane te vendit si edhe punën e qeverise shqiptare dhe reformat e ndërmarra për te përmbushur 5 prioritetet qe e afrojnë Shqipërinë edhe me shume me Bashkimin Evropian. “Unë e përshëndes angazhimin e fuqishëm të kryeministrit Rama në rrugën evropiane të Shqipërisë, duke përfshirë punën e nevojshme për reforma”, – tha Mogherini. Në Bruksel Rama pati takime edhe kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa dhe atë të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç ku u diskutua për avancimin e projekteve në infrastrukturë dhe turizëm.

 

 Intervista për “Al Jazeera”/ Rama: Deklarata për bashkim me Kosovën u nxor nga konteksti. Jemi gati për negociatat

Kryeministri Rama pohoi dje nga Brukseli se deklarata e tij për bashkim me Kosovën është nxjerrë nga konteksti. Në një intervistë për rrjetin televiziv “Al Jazeera” ku është pyetur se çfarë ka dashur të thotë konkretisht kur ka folur për këtë çështje, Rama duket se pas “konsultimeve” në Bruksel u tërhoq nga varianti i parë i deklaratës. “Unë mendoj se idetë e mia në lidhje me këtë janë nxjerrë nga konteksti, edhe pse unë jam shprehur qartë dhe në mënyrë të hapur dhe të sinqertë, që do të thotë se për ne shqiptarët është një moment fantastik i historisë tonë”, – u përgjigj Rama. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë tha se është nevojshme që Evropa të arrijë të ndalojë që strategjitë nacionaliste të prevalojnë mbi ëndrrën për të qenë pjesë e një familje e madhe. Duke u ndalur te procesi i integrimit Rama gjatë intervistës theksoi se Shqipëria është gati për hapjen e negociatave. “Ne nuk insistojmë, por ne besojmë fort se jemi gati për hapjen e tyre. Nga ana tjetër ne jemi shumë të vetëdijshëm se Evropa është në një moment tepër të veçantë, pavarësisht se çfarë themi ne dhe çfarë thonë ata nuk kemi të bëjmë thjesht me një vendim teknik, por më shumë me një vendim politik, që lidhet me egon e shumë shteteve, interesa personale apo këndvështrime egocentrike. Gjëja e rëndësishme është se ne jemi gati për çeljen e këtyre negociatave”, – tha ai.

 

 Premtimi i parë i Veliajt si kandidat: S’ka gjuhë të baltës në fushatë

Kandidati i Partisë Socialistë për Tiranën, Erion Veliaj, premtoi dje se gjatë fushatës elektorale për kryetar Bashkie, nuk do të përdorë kurrë asnjë fjalë fyese, ndërsa theksoi se gjuha e urrejtjes dhe e helmit duhet luftuar. “E bëj një premtim publik sot para jush. Unë gjuhën e helmit dhe të baltës nuk kam për ta përdorur kurrë sepse besoj që shumica e shqiptarëve nuk e pranojnë. Një pakt që ne duhet ta bëjmë me njëri-tjetrin është që kudo që të angazhohemi ne duhet të luftojmë këtë gjuhën e urrejtjes. Jemi shumë pak për tu ndarë, vendi ynë është shumë i vogël, ndaj dhe besoj se secili prej nesh duhet t’i premtojë se do jemi agjente pozitive në shoqëri. Aty ku ka baltë ne do hedhim mjaltë”, – tha ai pas një takimi me të rinjtë.

 

 Meta me Kryeparlamentaren e Austrisë: Arsimi profesional, prioritet

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, takoi dje Presidenten e Dhomës së Lartë të Parlamentit të Austrisë znj. Sonia Zwal, ku të dy vlerësuan marrëdhëniet shumë të ngushta tradicionale mes Shqipërisë dhe Austrisë. Prioritet i paneglizhueshëm sipas Zwal dhe një nga pikat kyçe për zhvillim sipas Metës është arsimi profesional dhe trajnimi i të rinjve për tregun e punës. Kryetari i Kuvendit dhe Zwal vlerësuan marrëdhëniet shumë të ngushta e tradicionale mes Shqipërisë dhe Austrisë duke ndarë bindjen se shkëmbimet ndërparlamentare duhen intensifikuar më tej në shërbim të bashkëpunimit dypalësh. Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë si në kuadër të procesit të integrimit evropian, ashtu edhe në drejtim të bashkëpunimit ekonomik

 

 Kundërshtitë e bazës së PS-së, LSI i trembet përçarjes së votës në Berat

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, në emër të LSI-së deklaroi dje në berat se koalicioni i majtë duhet të jetë i bashkuar në zgjedhjet e 21 qershorit. Duke marrë parasysh ndarjet mes palëve, pasi baza e PS shprehu kundërshti ndaj kandidatit të përzgjedhur nga radhët e LSI-së duke pretenduar në Berat duhej të ishte në garë një socialist, Naço theksoi se,: gara mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për maksimizimin e votave të tyre do jete gjithashtu e fortë”. Sipas Naços, Petrit Sinaj është kandidaturë fituese dhe Berati do vijojë të qeveriset nga të majtët. Ndërkohë kandidati Sinaj, në fjalën e tij u shpreh se programi qeverisës i koalicionit të majtë për bashkinë e Beratit do të implementohet në realitetin lokal të bashkisë dhe zonave rurale,për ta çuar përpara zhvillimin ekonomik të kësaj njësie vendore.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency