Kumbaro bllokon pagat e artistëve

0
148

V. M.

mirela kumbaro Fjala e Kryeministrit, në mbyllje të festivalit të librit dhe artit ishte një “kërcënim” i hapur ndaj komunitetit të artistëve, të teatrit dhe operas. Shumë shpejt përgjigje e saj ishte dje reagimi i ministres Mirela Kumbaro për nënshkrimin e kontratave individuale për gjashtë muaj, që është refuzuar për firmosje.

Kjo ishte lajmëruar në fundjavë edhe nga kreu i Sindikatës së Artistëve, Reshat Ibrahimi, duke thënë se e hëna ishte afati i fundit i vendimit të kontratave. Nga ana tjetër, artistët kanë deklaruar se nuk do të firmosin asnjë kontratë tremujore apo gjashtëmujore, të paktën u duhet njëvjeçare.

Nga ana e Ministrisë, si duket, ky debat ka marrë fund, duke detyruar drejtorin e Teatrit të Operas dhe Baletit të mos firmosë pagesën e punonjësve, deri në nënshkrimin e kontratave gjashtëmujore. Kjo është bërë e ditur nga një takim mes përfaqësuesve të Ministrisë dhe drejtuesve të TOB-it dhe artistëve, gjatë ditës së djeshme.

Ashtu siç ishte lajmëruar nga Ibrahimi, situata në këto kushte do të precipitojë drejt grevës dhe protestave. Ky është precedenti i dytë, pas vitit 2000, kur ministër Kulture ishte Edi Rama që artistët detyrohen të shkojnë drejt grevës. Tani duket se guri dhe arra është në duart e qeverisë.

Përfaqësuesit e Ministrisë së kulturës kanë insistuar që artistët dhe instrumentistët të nënshkruajnë kontrata gjashtë mujore të punës. Kundërshtimi i artistëve dhe drejtuesve të sindikatës lidhet me faktin se kontratat individuale të ofruara çojnë në kundërshtim me kontratat kolektive të punës. Ky argument vjen pasi kontrata kolektive është ende në fuqi.

Ndonëse Kumbaro ka artikuluar herë pas herë, e mbështetur edhe nga Kryeministri, se do ketë vetëm punë me “meritokraci”, duket se në këtë sektor të artit puna ndryshon, pasi është konkurrenca dhe aftësia. Për këtë të fundit artistët dhe instrumentistët janë shprehur se në parim janë dakord për reformën në Teatër, por duhet të jetë e mirëmenduar duke ruajtur cilësinë artistike dhe produksioneve.

Kjo do të thotë për artistët se janë dakord në realizimin e audicioneve me kritere të qarta dhe me njerëz të aftë në vlerësimin e performancës së tyre. Gjithashtu, kësaj ideje artistët i kanë shtuar edhe kërkesën se duhet hartuar e publikuar edhe një kalendar artistike, që do ishte bazë për përgatitjen e artistëve.

Takimi ka kaluar në tri orë mes përfaqësueses së Ministrisë dhe drejtuesve të TOB, me artistët duke dalë prej andej pa marrëveshje, dhe vendim të pranuar nga të gjithë. Pas kësja, menjëherë ka ardhur “kërcënimi” përmes drejtorit Kerni, që si duket është përpjekur të ruajë balancën mes shtetit dhe artistëve, por ka dështuar duke përcjellë urdhërin nga lart se nuk do të firmoset paga e punonjësve për muajin prill.

Prandaj, ky vendim është kundërshtuar nga artistët, për çështjen e raportit të punës sipas ligjit në fuqi, që nuk i jep të drejtën Kernit të firmosë një gjë të tillë.

Kjo situatë duket se do të gjenerojë në mundësinë e nisjes së grevës jo vetëm për vendimin arbitrar të bllokimit të pagës, por edhe për rastin e kontratave të punës.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency