Kthehej për Pashkë nga Gjermania, vetëhidhet nga trageti emigranti

0
124

Sonila Mesareja

Mister motivet, dyshohet se Gentian Peta, baba i dy fëmijëve, po kalonte një periudhë depresioni

Rojet bregdetare shqiptare dhe Guardia Di Finanzia operacion në kërkim të trupit të 39-vjeçarit, sot rinisin kërkimet

 

gentian petaNjë 39-vjeçar, emigrant në Gjermani, është hedhur mëngjesin e djeshëm nga trageti “Bridge” i linjës Bari-Durrës, duke u përpirë në pak sekonda nga uji i detit. Kanë qenë pasagjerët që kanë parë skenën dhe kanë njoftuar drejtuesit e tragetit, ndërsa menjëherë u lëshua alarmi SOS për ndihmë. Udhëtarët që e kanë parë kanë dhënë alarmin, ndërsa trageti “Bridge”, i nisur mesnatën e kaluar nga porti i Barit, ka ndërprerë lundrimin në pritje të ndihmës për gjetjen e të hedhurit në det. Forcat detare shqiptare, të ndihmuara edhe nga Guardia Di Finanzia kanë nisur menjëherë kërkimet në zonën ku është hedhur emigranti i identifikuar si Gentjan Peta nga Gjirokastra. Por, pavarësisht kërkimeve, ndoshta edhe për shkak të detit të trazuar, ka qenë e pamundur të gjendej trupi i tij. Nuk ka ende të dhëna mbi arsyet që e kanë shtyrë 39-vjeçarin për të ndërmarrë aktin vetëflijues, por nga të dhënat e para, pas pas komunikimit me familjarët e tij, dyshohet se Peta po kalonte një periudhë depresioni. Burime zyrtare bëjnë me dije se 39-vjeçari jetonte dhe punonte prej 4 vitesh si emigrant në Gjermani dhe ishte duke u kthyer pranë familjes me linjën e tragetit që lidh Barin me Durrësin.

Ngjarja

Kanë qenë orët e para të mëngjesit kur në Kapitenerinë e Durrësit ka mbërritur alarmi SOS, se një pasagjer i tragetit kishte rënë në det dhe kërkohej ndihmë për shpëtimin e tij. Ngjarja e denoncuar nga kapiteni i tragetit ka ndodhur rreth 12 milje nga Porti i Durrësit, ndërsa trageti ka ndaluar menjëherë në det të hapur për të nisur operacionet e kërkimit për pasagjerin e humbur. Kapiteneria ka kërkuar edhe ndihmën e Guardia Di Finanzia dhe bashkë me Rojat Bregdetare shqiptare ka nisur operacioni i kërkimit për gjetjen e emigrantit për t’u mbyllur mbrëmë në orët e vona për shkak të errësirës. Operacionit të kërkimit i është bashkuar edhe një mjet i marinës shqiptare. Sot në mëngjes pritet të rinisin sërish kërkimet për trupin e 39-vjeçarit Peta. Gjatë kohës së kërkimeve në det të hapur, në vendin ku ndodhi ngjarja, u raportua forca e dallgëve në lartësinë 4 metra, çka për shkak të motit të keq, e vështirëson edhe gjetjen e 38-vjeçarit. Burime nga Kapiteneria bënë me dije se në tragetin e linjës Bari-Durrës udhëtonin rreth 600 pasagjerë dhe për këtë arsye menjëherë nisi puna për identifikimin e personit që u hodh në det, i cili rezultoi të ishte Gentjan Peta, 39 vjeç, babai i dy djemve, nga Gjirokastra dhe me banim në Durrës, por që prej katër vitesh jetonte dhe punonte si emigrant në Gjermani. Nga veprimet e para hetimore mbi ngjarjen rezulton se Peta, i cili po kthehej për Pashkë pranë familjarëve në Durrës, është vetëhedhur pak pasi trageti është futur në ujërat territoriale shqiptare.

Dëshmitë

Në orët e mesditës së djeshme, trageti i linjës bari-Durrës, nga i cili u hodh emigranti Peta, u ankorua në portin e Durrësit, nga ku ka filluar edhe zbritja e pasagjerëve. Pasi kanë zbritur në portin e Durrësit, pasagjerët kanë rrëfyer se një nga mjetet e shpëtimit, konkretisht ajo e Guardia Di Finanzia-s, nuk ishte në gatishmëri për misionin pasi i mungonte karburanti dhe është kthyer. Pasagjerët kanë rrëfyer se e kanë parë emigrantin të hidhet në ujë dhe pa hedhjes së tij trageti ka udhëtuar edhe 600 metër dhe më pas ka ndaluar dhe është kthyer. Një nga pasagjerët ka deklaruar se e ka parë momentin kur Gentjan Peta është hedhur në det dhe menjëherë kanë dhënë alarmin. Madje, ai ka treguar se kanë hedhur edhe komardare në det për ta shpëtuar, ndërsa kanë pritur afro 2 orë për të ardhur mjetet e shpëtimit. Ndërkohë që lidhur me këtë operacion, kreu i kapitenerisë së Porteve, Hysni Aruçi ka deklaruar se “vijon operacioni për kërkimin e Gentian Petës me dy mjete lundruese. Kushtet e operacionit janë të vështira për shkak të motit të keq.”

 

 

Lezhë

Thyen lejen shpërblyese duke mos u kthyer në burg, në kërkim i dënuari

Një i burgosur që vuante dënimin në burgun e Shën Kollit në Lezhë, ka thyer lejen shpërblyese, duke mos u kthyer në qeli në orarin e përcaktuar. I dënuari kishte marrë disa ditë leje, dhe ditën e djeshme duhet të kthehej në qeli, por kjo gjë nuk ka ndodhur, pasi ai është larguar. Sipas Drejtorisë së Burgjeve, leja, e cila i ishte dhënë të burgosurit, ishte konform të gjitha rregullave. Të burgosurit i kishin mbetur edhe tetë muaj burg, dhe tashmë policia po bashkëpunon me familjarët e tij për ta gjetur.

 

Tiranë

Prishja e qetësisë publike, shoqërohen tre menaxherë lokalesh

Policia e Tiranës dhe Reparti i Forcave Speciale, Shqiponja, kanë shoqëruar në orët e mesnatës në komisariat nr.2, tri menaxherë lokalesh në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, pas një aksioni për prishje të qetësisë publike si pasojë e muzikës së lartë. Aksioni i policisë erdhi pas mesnatës, rreth orës 02:00, pas ankesave të banorëve të zonës se nuk arrinin të flinin për shkak të muzikës tepër të lartë në këto lokale. Ndërkohë, të shoqëruarit në polici janë menaxherë të tre nga lokaleve të natës më të frekuentuara në kryeqytet në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Bëhet fjalë për menaxherët e LolliPop, ËhiskeyBar dhe Charlsie.

 

 

Kreu i Dhomës së avokatëve të Barit

Sekuestrot e pronave dhe pasurive, më efektive se rritja e dënimit

Të godasësh krimin te mjetet e tij të financimit, si pasuria dhe pronat, është më e efektive se të rritësh masën e dënimit ndaj tyre. Ky deklarim i bërë kohë më parë nga kreu i Antimafias, tashmë mbështetet në një tryezë të zhvilluar dje në Tiranë, edhe nga Presidenti i Shoqatës së Avokatëve të Barit, Mariano Fiore. Ai prezantoi dje në tryezën e zhvilluar nga Dhoma e Avokatëve Penalistë, e drejtuar nga avokati Sajmir Vishaj, idenë se masa e sigurisë si dhe sekuestrimet, janë më të suksesshme se rritja e viteve të dënimit. Në këtë konferencë morën pjesë avokatë penalistë nga Shqipëria, Kosova, dhe Italia. “Deklaroj se këto masa janë konsideruar më efikase sesa thjesht rritja e dënimit. Masa e sekuestros së pronave dhe pasurive, edhe ato të ardhura në mënyrë legale, është një zgjidhje. Edhe pse në burg, një mafioz droge me anë të parave të tij mund të vazhdojë veprimtarinë e tij”, tha Mariano Fiore. I ftuar në konferencë, Kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni, gjykoi se legjislacioni penal në vend është në një fazë konsultimesh. Ndërkaq, Kryetari i Odës së Avokatëve të Prishtinës Osman Havolli kërkoi rritjen e bashkëpunimit. Forcimi i bashkëpunimit mes avokatëve penalistëve të Shqipërisë, Kosovës dhe Italisë ishte qendra e diskutimit të konferencës ndërkombëtare.

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency