Vrasja në burg/ Vrima me thikë në kokën e Ilia Karelit

0
209

Anxhela Tato

 

 

Rrëfimi i kushëririt: U tmerrova kur pashë kufomën, i janë shkëputur tendinat e duarve, trupi peshonte 5 kile

 Artur Braka tregon se kanë humbur besimin tek drejtësia greke: Do të ndjekim gjyqin në Greqi

 

 

ilia-karelit-15-shenja-dhune-video_hdIlia Kareli ka vrima në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, të cilat dyshohet se i janë bërë me thikë nga gardianët në qelinë “frigorifer”. Kushëriri Artur Braka, i cili është personi që ka vajtur në Greqi për të tërhequr trupin, rrëfen se janë tmerruar kur kanë parë kufomën. Kudret Kumes (Ilia Kareli) i kanë hequr tendinat e duarve gjatë dhunimit dhe trupi i tij i ngjasonte një fëmije 10 vjeç sesa një burri të bëshëm. I pyetur nëse ka besim tek autoritetet greke, Artur Braka rrëfen se me këtë ngjarje familjarët kanë humbur shpresën se krimi do të zbardhet dhe autorët do të dënohen. Më tej tregon se konsulli shqiptar i ka udhëzuar që të merrnin sa më shpejt kufomën e Kumes, pasi mund t’i hapeshin probleme, për shkak të mospërputhjes së mbiemrit të Brakës me Kumen. Ndërsa tregon se vrasja e Ilia Karelit ka ndërgjegjësuar edhe shumë shtetas shqiptarë, të cilët kanë fëmijët në qelitë helene. Një ndër personat pjesëmarrës në ceremoninë mortore ishte nëna e djalit që ngriti flamurin shqiptar në qendër të Athinës dhe u ekzekutua. I pyetur në lidhje me interesimin nga shteti shqiptar, Artur Braka tregon se i vetmi person që ka kontaktuar me ta është Avokati i Popullit dhe është habitur nga qëndrimi i qeveritarëve. Ai rrëfen se kushëriri i tij është dhunuar vazhdimisht nga gardiani që u vra dhe kjo arsye bashkë me mosdhënien e lejes për të takuar nënën e kanë nxitur që të kryejë vrasjen, ndonëse familjarët shprehin keqardhje për vdekjen e gardianit. Në fund të bisedës, Artur Braka bën thirrje që të zbardhet kjo ngjarje, të ndëshkohen personat dhe të zbulohet se cila ishte arsyeja që detyroi Ilia Karelin të vriste gardianin grek.

 

Dëshmia

 “Unë jam një ndër personat që vajta në Greqi për të tërhequr trupin e kushëririt tim. Kur kemi hapur arkivolin, jemi tmerruar nga ajo që kemi parë. Janë shumë tronditëse dhe makabre plagët e pafundme dhe shenjat e torturave që ai kishte. Ishte një skenë e llahtarshme. Kudretit i kanë plasur syrin e majtë dhe në kokë kishte shumë vrima. Ai kishte shenja shpimesh te barku, te shpatullat, poshtë këmbëve. Kam dyshimin se këto vrima i janë bërë në trup nga përdorimi i thikës, por nuk mund ta them me përgjegjësi të plotë. Kushëririn e kanë torturuar duke i hequr thonjtë e këmbëve dhe të duarve, pasi nuk i kishte. Pra, trupi i tij është një masakër e vërtetë dhe jemi ende të shokuar nga ajo që kemi parë. Është hera e parë në jetën time që unë shikoj një makabritet të tillë në këtë formë. Trupi i Kudretit nuk besoj se peshonte më shumë sesa 5 kile. Ai ka pasur një fizik të fuqishëm dhe ngjasonte si një fëmijë 10 vjeç. U hodhën shumë dyshime për çështjen e mungesës së zemrës dhe ky është një fakt i vërtetë. Në ekspertizën e mjekësisë ligjore të kryeqytetit thuhet se Ilia Karelit i mungon zemra. Por krahas kësaj masakre nuk e kuptoj pse i ishin hequr edhe tendinat e duarve. Ne jemi të tronditur nga kjo ngjarje dhe me thënë të drejtën i kemi humbur shpresat se drejtësia greke do të zbardhë të vërtetën dhe do të ndëshkojë autorët. Nuk e di se çfarë do ndodhë më tutje me hetimet dhe gjyqin. Për sa i përket ndihmës nga shteti shqiptar, i vetmi kontakt imi ka qenë me konsullin shqiptar të Selanikut. Ai na udhëzoi që të merrnin sa më shpejt trupin dhe të largoheshin, pasi nuk kisha të njëjtin mbiemër me Kudretin dhe mund të më hapnin probleme. I vetmi person që ka ardhur të na takojë është Avokati i Popullit. Kanë ardhur ekspertë të kriminalistikës dhe mjekësisë ligjore, të cilët ribënë autopsinë e kufomës dhe ishin ata që vunë re se Kudretit i mungonte zemra. Kaq kanë ardhur dhe askush tjetër. Ndërkohë, për vrasjen e Kudretit janë sensibilizuar shumë persona. Në varrimin e tij, kanë ardhur persona nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, si Shkodra, Saranda, Vlora, Durrësi e të tjerë. Ka qenë edhe nëna e atij djalit nga Lezha, që ngriti flamurin në Athinë dhe e vranë. Apeli ynë është të vihet drejtësia. Ne kërkojmë që personat që vranë Karelin të ndëshkohen nga ligji. Ne kërkojmë që të dimë pse Kudreti u detyrua që të kryente vrasjen dhe situata të degradonte në këtë makabritet. Kudreti vrau një njeri, që është djalë nëne, por më mirë ta kishin dënuar me burg dhe jo t’i merrnin jetën në këtë mënyrë çnjerëzore. Gjatë komunikimeve Kudreti ka thënë se ky gardiani e rrihte dhe e dhunonte padrejtësisht. I sosi durimi dhe u detyrua të bënte vrasjen. E vetmja gjë që donte, ishte të takonte nënën dhe leja nuk iu dha shumë herë”.

 

 

Greqi/ Merr leje nga burgu, në kërkim i dënuari shqiptar

Merr 9 ditë lejë nga burgu, por nuk kthehet në datën e caktuar. Ka ndodhur në Greqi, disa ditë më parë, kur Besnik Ndreka nuk është paraqitur në burg, ndërsa policia ka dhënë alarmin ditën e djeshme. Sipas tyre, i larguari nga vendi i dënimit në Malandrino është shqiptari 40-vjeçar, Besnik Ndreka. Ndreka kishte marrë leje 9-ditore, nga data 20 mars dhe duhej të kthehej në datën 29 mars 2014, por edhe dje në datën 8 prill ai nuk është kthyer në qeli. Autoritetet e burgut të Malandrinos kanë bërë të ditur se ai kishte dhënë një adresë në Halkidas, por në fakt është zhdukur. Për policinë greke, shqiptari Ndreka është një gangster i dënuar për grabitje me armë dhe, sipas tyre, është i rrezikshëm. Kjo ishte hera e katërt që ai ka marrë leje, ndërsa tri herët e tjera ishte rikthyer në burg. Policia ka kërkuar edhe ndihmën e policive të rajoneve të tjera në Greqi për arrestimin e 40-vjeçarit nga Shqipëria që, sipas tyre, është i rrezikshëm.

 

 

Gjirokastër/ Përplasi me makinë policin, arrestohet drejtuesi i automjetit

 Një shtetas në Gjirokastër është arrestuar ditën e djeshme, pasi jo vetëm shkeli rregullat e qarkullimit rrugor, por edhe përplasi me parakolpin e makinës policin rrugor. Roland Çomo u ndalua nga polici, për shkak të shkeljes së rregullave të drejtimit të mjetit, por ai ka goditur me makinë punonjësin e policisë. Goditja e policit dyshohet se ka qenë e qëllimshme. Ndërkaq, mësohet se punonjësi i policisë është dërguar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, por fatmirësisht nuk ka marrë dëmtime të rënda. Shtetasi Roland Çomo është shoqëruar në komisariatin e Gjirokastrës, ndërsa materialet i kaluar Prokurorisë së rrethit për procedim të mëtejshëm.

 

 

Dibër/ Kapet me municione, pranga Kristjan Licës

 Një shtetas është arrestuar në Dibër, pasi iu gjet një sasi municioni luftarak. Pas kontrollit të ushtruar, shtetasit Kristjan Lica iu gjetën 20 pushkë dhe një sasi municioni luftarak. Arrestimi i Licës nga policia u bë i mundur në orët e para të mëngjesit. Ndërkaq, materialet i kaluan Prokurorisë së rrethit për procedim të mëtejshëm penal.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency