“Teknikat e zgjeruara” të CIA-s

0
120

“Teknikat e zgjeruara të marrjes në pyetje”, të prezantuara pas 11 shtatorit 2011, ishin jo vetëm mizore, por çuan rrallë në informacione të vlefshme, pritet të thotë një raport i Senatit të SHBA-së.

 

 

Një përmbledhje e raportit me 6300 faqe për metodat e ashpra të marrjes në pyetje të CIA-s, të nisura pas sulmeve të 11 shtatorit, planifikohet të bëhet publike. Të enjten, Komiteti i Senatit për Shërbimet Informative, i cili e hartoi raportin, votoi që t’ua kalonte përmbledhjen organeve ekzekutive për deklasifikim.

Ky raport pritet të jetë përmbledhja më e gjerë deri tani për programin e epokës së Bushit. Ajo jo vetëm jep hollësi për përdorimin e të ashtuquajturave teknika të marrjes në pyetje, si waterboarding (simulim i mbytjes), përdorimi i pozicioneve të mundimshme për trupin dhe zhytja në ujë, që u prezantuan nga administrata e Bushit pas sulmeve të 11 shtatorit 2001. Për më tepër, sipas gazetës “Washington Post”, raporti tregon edhe se CIA e ka çuar në rrugë të gabuar qeverinë, duke mbivlerësuar rezultatet e arritura me këto teknika. Këto teknika, disa prej të cilave administrata e Obamës i ka klasifikuar si tortura, janë përdorur në burgje të CIA-s jashtë SHBA-së, të njohura si “qendra të zeza”.

 

“Gabime të tmerrshme”

“Jam shumë e bindur se krijimi i qendrave afatgjata klandestine të zeza dhe përdorimi i të ashtuquajturave teknika të zgjeruara të marrjes në pyetje ishin gabime të tmerrshme”, – tha në 13 dhjetor Dianne Feinstein, e cila drejton Komitetin e Shërbimeve Informative të Senatit, pasi Senati miratoi raportin e tij për programin e CIA-s, i cili mbetet i klasifikuar.

Gazeta “Washington Post” citon një zyrtar të SHBA-së, që CIA i ka thënë disa herë Departamentit të Drejtësisë që teknikat kanë çuar në zbulimin e “informacioneve të fshehta të pasigurueshme në forma të tjera, të cilat ndihmuan të shkatërrohen komplote terroriste…” Ai vazhdon me fjalët se kjo rezultoi e gabuar.

“Washington Post” thotë se Abu Zubayadah, një i dyshuar nga CIA si pjesëtar i Al Kaedës e që tani mbahet i burgosur në Guantanamo, është shembull i një të burgosuri, i cili, sipas CIA-s, dha informacion pasi u ekspozua me teknikat e zgjeruara të marrjes në pyetje, gjë që me të cilën kritikët nuk janë dakord. Ammar al-Baluchi, nipi i të vetëshpallurit si kryeideator i sulmeve të 11 shtatorit, Khalid Sheik Mohammed, ishte një person i dyshuar, i cili, sipas gazetës, u torturua edhe pasi vendosi të bashkëpunonte.

Barry Eisler, një ish-agjent i CIA-s i tha “DW”-së me e-mail se beson se do të publikohet vetëm një pjesë e vogël e raportit. “Një lloj sekreti është i nevojshëm për ta mbrojtur demokracinë, por shumë sekret është kanceroz për demokracinë”, – thotë Eisler.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency