19-vjeçarët më të mirë në botë. Januzaj më i pari

0
175

Adnan_JonuzajE përditshmja sportive italiane “Gazzetta Dello Sport” ka publikuar 5 futbollistët e rinj më të mirë në botë, ku në vend të parë është mesfushori me origjinë shqiptare Adnan Januzaj, që për momentin është talenti i ri më i mirë në futboll. “Dita e mirë duket që në mëngjes”, – thotë një shprehje e urtë dhe, duke iu referuar këtij proverbi, e njëjta gjë duhet të vlejë edhe për lojtarët e mëdhenj.

 

Adnan Januzaj

Januzaj 19-vjeçar është emri i parë i propozuar nga prestigjiozja italiane. Në Angli thonë që me vajzat nuk është tip i hedhur, por në fushën e lojës është vërtet shpërthyes. Shënoi që në debutim me Sanderlendin, duke u bërë lojtari më i ri që realizon dy gola në një ndeshje me fanellën e “djajve të kuq”. Të ardhmen e tij në nivel klubesh e ka zgjedhur, pasi ka një kontratë me Mançester Junajtidin deri në vitin 2018, kurse për kombëtaren është ende i pavendosur. Vlera e kartonit të Januzajt ka shkuar në afro 40 milionë euro. Kujtojmë, është vetëm 19 vjeç.

 

Lukas Piazon

Emri i dytë është Lukas Piazon, 20-vjeçar. Aktivizohet në radhët e Viteses në kampionatin holandez dhe flitet se i ka këmbët të arta, pasi me to bën gjithçka, pason, godet, driblon dhe e kontrollon shumë mirë topin me të parën. Ka pak mangësi fizike, por nëse zgjedh Çelsin për të vijuar karrierën në të ardhmen, me siguri Murinjo do të dijë ta vërë në rresht edhe në këtë aspekt, duke e perfeksionuar dhe duke i dhënë shansin, ashtu siç Ferguson bëri me Adnan Januzajn.

 

Aleksandër Mitroviç

Emri i tretë është serbi Aleksandër Mitroviç, 19-vjeçar. Besnik Hasi thuhet se është me fat që e ka në skuadër tek Anderlehti, por me shumë gjasa nuk do të arrijë ta mbajë edhe për shumë kohë. Në evropianin e 19-vjeçarëve Mitroviç u vlerësua si futbollisti më i mirë i kompeticionit. Një pykë tipike evropiane, që ndoshta nuk është shumë i bukur për t’u parë në fushë, por që di si ta dërgojë topin në rrjetë. Fundja, tifozët këtë duan në fund, golat.

 

Domeniko Berardi

Emri i katërt është 19-vjeçari Domeniko Berardi. Futbollisti i Sasuolos, i vetëm, ishte në gjendje të shkarkonte nga stoli trajnerin Alegri, teksa i shënoi katër gola Milanit të tij. Në Itali e cilësojnë si një talent të vërtetë, por ka një problem, karakterin, që thonë se është më i keq edhe se i vetë “djalit të keq”, Mario Balotelit, më problematiku jo vetëm në Serinë A.

 

Alen Haliloviç

Emri i pestë dhe i fundit në këtë listë që ju propozojmë është dhe 17-vjeçari Haliloviç. Javën e kaluar firmosi me Barcelonën. Në pamje i ngjan Luka Modriçit, por thonë se me këmbët është më magjistar se futbollisti i Realit të Madridit. Të gjithë presin me padurim ta shohin në fushë, duke shpresuar se do të kenë gjetur Lionel Mesin e ri, në stilin ballkanas. 17-vjeçar dhe të firmosësh një kontratë milionere, ndodh vetëm me këtë talent.

 

 

Januzaj, një hap afër Belgjikës

 Adnan Januzaj si duket e mban me krenarinë më të madhe flamurin belg. Një foto e tij e publikuar në mediat belge mund të ndikojë në zvogëlimin e shanseve që Januzaj të zgjedhë Kosovën. Supertalenti i Mançester Junajtidit është parë duke u futur në “Old Trafford” me çantën e tij me flamur të Belgjikës. Januzaj po ashtu ka pasur për këtë ndeshje mbrojtëset e këmbëve me flamurin belg. Ky fakt kë zhgënjyer edhe mediat angleze, të cilat shkruajnë se Januzaj ka dhënë ndoshta goditjen e fundit për Anglinë dhe Kosovën, pasi që duket se do të pranoi kombëtaren belge. Mediat belge janë marrë shumë me këtë detaj, duke thënë se Januzaj pothuajse është i tyre që tani.

 

Pasaportat e lojtarëve

 

Emri: Adnan

Mbiemri: Januzaj

Kombësia: Belge/Shqiptare

Skuadra: Mançester Junajtid

Pozicioni: Mesfushor

 

Emri: Lukas

Mbiemri: Piazon

Kombësia: Braziliane

Skuadra: Fejnord (huazuar nga Çelsi)

Pozicioni: Mesfushor

 

Emri: Aleksandër

Mbiemri: Mitroviç

Kombësia: Serbe

Skuadra: Anderleht

Pozicioni: Sulmues

 

Emri: Domeniko

Mbiemri: Berardi

Kombësia: Italiane

Skuadra: Sasuolo

Pozicioni: Sulmues

 

Emri: Alen

Mbiemri: Haliloviç

Kombësia: Kroate

Skuadra: Dinamo Zagreb (ende nuk është zyrtarizuar si lojtar i Barcelonës)

Pozicioni: Mesfushor

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency