Si u anëtarësua Shqipëria në NATO

0
223

Lulzim Basha

 

5 vjet pas anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut/ Refleksionet e kryetarit të opozitës për suksesin, reformat dhe mesazhi sërish aktual i konsensusit politik e i shtetit ligjor që kërkon anëtarësimi në Bashkimin Evropian

 

basha0104Për mua personalisht, anëtarësimi në NATO, procesi i anëtarësimit, finalizimi i tij mbart, përveç ndjesisë pozitive dhe kujtimeve të shumta, edhe një emocion të veçantë. Një emocion i veçantë, i cili më ka shoqëruar gjatë gjithë kohës kur kam shërbyer si ministër i Jashtëm, që nga momentet e para vendimtare të kthimit të situatës në favor të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Një situatë e cila, me thënë të drejtën, nuk ishte dhe aq pozitive në fillim dhe z. Mediu që ndodhet këtu në sallë e di fare mirë se në një nga takimet e para tonat në Bruksel ish-ambasadorja e SHBA-së në NATO, Viktorja Nulant, një diplomate e shkëlqyer, që njihet tashmë botërisht për thënien troç të mendimeve dhe qëndrimeve të saj, na tha pa pikë mëdyshjeje në fund të 2007-së se nëse do të bëhej një votim sot për anëtarësimin tuaj në NATO, zor se merrni më shumë se gjysmë vote.
E pra, nga ky moment e deri tek kurorëzimi me sukses i një aspirate shumëshekullore të Shqipërisë dhe shqiptarëve për t’u ribashkuar me familjen e vlerave perëndimore të lirisë, dinjitetit njerëzor, që është NATO, rrodhi shumë ujë.
Në fakt, ndodhën shumë procese.

Në pasditen e datës 2 prill të vitit 2009, tek ktheheshim me delegacionin zyrtar të shtetit shqiptar, qeveritar dhe opozitar, me zonjën Leskaj në përbërje të delegacionit, teksa avioni po ulej në Rinas dhe tek shikoja jashtë dritares skenën e njohur për çdo udhëtar të linjave ajrore e të çdo ministri të Jashtëm, më përshkoi një ndjesi që mund ta them me një fjali; po kthehem në një vend tjetër. Kjo është një Shqipëri tjetër, çka e ndava edhe me disa prej bashkudhëtarëve të mi, veçanërisht me kryetarin e qeverisë shqiptare, z. Berisha. Po kthehemi në një vend tjetër, pothuaj ia thamë të gjithë në njëjtin moment njëri-tjetrit.

Natyrisht, ishte Shqipëria që kishim lëmë vetëm pak ditë përpara, ishte Shqipëria nga e cila ishim ndarë vetëm pak ditë përpara Samitit të Strasburgut, ku u finalizua anëtarësimi në NATO, por ishte po ashtu një Shqipëri krejt tjetër. Një Shqipëri që pas shekujsh të tërë kishte lënë pas dilemat ekzistenciale, të cilat sot dhe në të ardhmen do të jenë edhe më të vështira të kuptohen apo të përthithen nga brezi i ri, falë Zotit, falë përpjekjeve të kurorëzuara me sukses të këtij brezi për anëtarësimin në NATO.
Dilemat ekzistenciale mund të hasen në folklorin shqiptar, mund të hasen në prozën dhe poezinë shqiptare, të shqiptarit me pushkën si zgjatim i shtyllës kurrizore, të pushtimeve të panumërta, që nga gojëdhënat e deri nga ato të fundit të Luftës së Dytë Botërore, të ekzistencës si makthi kryesor i kombit në çdo nivel dhe në çdo kohë, nga niveli i familjeve, i kryefamiljarëve e deri tek nivelet e krahinave, të shtetit, qeverive, që i shtyu ata të përgatiteshin çdo çast mbi të gjitha për të ruajtur ekzistencën e kombit që çoi deri në paranoja qesharake si ndërtimi i qindra mijëra bunkerëve.
Pra, një komb i cili jo për dekada, por për shekuj ishte lëkundur dhe përkundur në ankthe ekzistenciale tashmë i kishte dhënë fund këtij makthi. Njëherë e përgjithmonë.
Sepse dua të rikujtoj se 1 prilli i vitit 2009 nuk e gjeti vetëm Shqipërinë tashmë me procesin e finalizuar të anëtarësimit në NATO, por e gjeti edhe Kosovën të lirë falë kontributit të NATO-s dhe tashmë edhe të pavarur.

Ndaj, një vend tjetër, një komb tjetër na priste tek ktheheshim nga Samiti historik i Strasburgut. Kjo ishte ndjesia, ky ishte emocioni i cili jam i sigurt ndahet nga shumë prej nesh këtu në këtë sallë. Jam i sigurt edhe për shumë përfaqësues të vendeve lindore të ish-perdes të hekurt, ky emocion nuk është i panjohur, nuk tingëllon patetik, nuk është patos, por është i vërtetë.
Por e vërteta është pak më e thellë. Shqipëria nuk u transformua ato dy ditë. Vendi që ne gjetëm pas kthimit nga Strasburgu ishte nga shumë pikëpamje i ndryshëm, por jo thjeshtë prej vendimit që u mor atje dhe ftesës dhënë një vit më parë në Samitin historik të Bukureshtit.
Fakti është se vendi kishte nisur këtë rrugë të ndryshimit dhe e kishte vazhduar me vendosmëri dhe këmbëngulje, pothuaj me kokëfortësi.
Që nga dita e parë e artikulimit të aspiratës sonë për t’iu bashkangjitur Aleancës së Atlantikut të Veriut, si kombi i parë i Evropës Lindore ish-komuniste, deri tek vendimi për t’iu bashkangjitur si vend pionier Nismës së Partneritetit për Paqe, nënshkrimit në Tiranë të Kartës së Adriatikut, lançimi në kohë jo fort të lehtë as për vendimmarrjen, as për buxhetin, siç mund të na rrëfejë z. Majko, i reformave për të transformuar Forcat e Armatosura, vazhdimi me konsekuencë, duke ruajtur standardet e arritura dhe duke i çuar ato më para nga qeveritë pasardhëse dhe ç’është më e rëndësishmja kryerja e detyrave të shtëpisë.
Sepse shpeshherë në fiksionin popullor, NATO shoqërohet me imazhe ushtarake, pajisjesh, personeli, ndërhyrjesh të teknologjisë së lartë dhe pa dyshim NATO është kjo forcë, është ky potencial ushtarak, por para se të jetë e tillë, NATO është një aleancë politike e vendeve që ndajnë dhe adhurojnë idealet e parimet e lirisë, demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor.

Ndaj anëtarësimi në Aleancë, ndonëse si parakusht teknik ka pa dyshim kapacitetin për të ofruar siguri dhe jo konsumuar siguri si bilanc neto, është në fakt një proces shumë më domethënës reformash të gjithanshme. Reforma si ato që vendi njohu, kreu dhe përfundoi me sukses, para se të meritonte ftesën dhe që vazhdoi dhe thelloi në atë periudhë domethënëse përfundimtare midis marrjes së ftesës dhe anëtarësimit të plotë.
Një periudhë reformash do të thosha që bënë të mundur jetësimin e një vullneti politik të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga administrata amerikane, nga ajo e Presidentit Xhorxh W. Bush dhe e vizionit të tij për zgjerimin e NATO-s, siç i thashë me shaka gjatë takimit tonë në Bukuresht, anëtarësimi i më shumë vendeve të reja në NATO sesa shenjtërimi i shenjtëve nga Papa Gjon Pali i Dytë, por edhe vizioni dhe vendosmëria e Presidentit Obama dhe administratës së tij, për ta përmbyllur procesin e zgjerimit të krahut jugor të NATO-s.
Dhe për të shikuar para drejt konsolidimit të vlerave të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Por vullneti do të ishte i pamjaftueshëm, nëse nuk do të shoqërohej me një punë të madhe e detajuar reformash të gjithanshme nga vendet aspirante. Dhe Shqipëria iu përvesh kësaj pune me seriozitet të madh. Në këtë periudhë kohore, transformimet në 3 shtyllat kryesore të konsolidimit të shtetit ligjor dhe demokracisë funksionale, të luftës kundër krimit dhe korrupsionit dhe natyrisht në fushën e sigurisë dhe reformave ushtarake, njohën hapat më cilësorë dhe më të qartë të 23 viteve të demokracisë shqiptare. Ishin rezultatet e këtyre reformave dhe jo thjesht reformat alla-kartë, mbështetja e fuqishme institucionale e mazhorancës, por edhe e vullnetit për ta bërë këtë punë me opozitën, pra me të gjithë faktorin politik dhe më të gjithë faktorët shoqërorë që bindi aleatët tanë, që u dha argumente të mjaftueshme miqve dhe promotorëve të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, që mposhti qarqet kundërshtare se s’mund të flasim për vende që e kundërshtuan Shqipërinë si anëtare të NATO-s, që bindi skeptikët, që provoi katërcipërisht kapacitetin dhe potencialin e një kombi të bashkuar rreth një vendimi, një objektivi: Shqipërisë në NATO.
Ndaj, Shqipëria, më 2 prill 2009, ishte një vend tjetër, por kishte nisur të bëhej një vend tjetër vite më parë, kur shteti ligjor u konsolidua, kur parimet e demokracisë funksionale u forcuan, kur lufta kundër krimit dhe korrupsionit njohu hope cilësore dhe të qëndrueshme, kur institucionet demokratike u konsoliduan në përputhje të plotë me kornizën ligjore dhe kushtetuese të vendit.
Pra, falë këtyre reformave vendi ndryshoi dhe u transformua. Si u transformua? Nuk ishte thjesht vula e NATO-s. Nuk ishte thjesht fakti që tashmë flamuri i Aleancës valëvitej jo si një aspiratë, por si një e drejtë legjitime e një flamurmbajtësi të ri, por falë këtyre reformave, falë këtyre transformimeve shqiptarët nisën të korrnin frytet.
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO varrosi përgjithmonë shqetësimet ekzistenciale të Shqipërisë. E ktheu vendin njëherë e përgjithmonë në një nga vendet e sigurta të Evropës. Bëri të mundur që shqiptarët të gëzojnë së bashku me anëtarësimin në NATO, edhe logon, brandin e të qenit anëtarë të Aleancës, pra një imazh dhe reputacion të përmirësuar në raport me çdo faktor tjetër.
Në veçanti me faktorët ekonomikë, me investitorët e huaj, me vendet e huaja, me turistët e huaj. Kjo koinçidoi edhe në një periudhë ku kriza financiare globale kishte filluar intensifikimin dhe pasojat e saj u ndien në shumicën e vendeve anëtare të NATO-s, por tek ne pati një intensifikim të investimeve të huaja, një intensifikim të rritjes ekonomike, të eksporteve, të krijimit të vendeve të punës, të rritjes progresive të mirëqenies, të standardit të jetës.
Dhe në fund të fundit, nga kjo pikëpamje, ndonëse anëtarësimi në NATO në vetvete ka domethënien më simbolike nga çdo arritje tjetër e Shqipërisë, çdo arritje tjetër, nuk do të jetë fare e lehtë në mënyrë të menjëhershme e përkthyer në avantazh.

Heqja e vizave do të thotë shqiptarët të lëvizin pa viza në zonën Shengen dhe shumëkush mund të thotë se kjo ishte më e prekshme dhe më e mirë sesa ajo puna e NATO-s, por nuk është kështu. Jo vetëm për faktin se heqja e vizave dhe përparimi në rrugën e integrimit evropian u bë e mundur pas anëtarësimit në NATO, që është një certifikatë për reformat e ngjashme apo identike me ato që u kërkuan, si për heqjen e vizave, ashtu dhe për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, por edhe për faktin se anëtarësimi në NATO i shtriu efektet e veta pozitive në çdo familje dhe vatër shqiptare.
Ndaj, emocionin e asaj nate nuk e përjetoj thjesht si një moment poetik në shpirtin tim, por gjithmonë e më shumë si një moment rivendikimi të reformave të guximshme dhe për t’i kryer ato në një ambient konsensual dhe bashkëpunimi e dialogu politik me të gjithë aktorët politikë.
I them të gjitha këto, sepse, ndonëse sot krenohemi me këtë moment, ndonëse puna për të justifikuar praninë dhe statusin tonë si anëtarë të NATO-s, nuk ndalon asnjëherë, të tjera sfida na presin përpara.

 

Vendi është i vonuar në rrugën e integrimit evropian. 5 vite kanë kaluar që nga anëtarësimi në NATO, Shqipëria duhej ta kishte përmbyllur fazën e statusit, Shqipëria duhej të kishte nisur negociatat e anëtarësimit. Shqipëria duhej të ishte sot shumë më përpara në rrugën e integrimit evropian.
Mësimet e NATO-s, që janë edhe sot e kësaj dite shumë domethënëse dhe realiste për të gjithë ne vendimmarrësit e politikëbërësit shqiptarë, duket se nuk u ndoqën me përparësi në rrugën e integrimit evropian të vendit. Klima e nevojshme e konsensusit dhe e bashkëpunimit u flijua për hir të interesave afatshkurtra politike. Të famshmet tri ligje mbetën peng derisa ishte tepër vonë për të fituar statusin. Dhe natyrisht, ndërveprimi me Bashkimin Evropian është në shumë pikëpamje edhe më shumë kompleks sesa ai me Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Vullneti dhe qëndrueshmëria e reformave që duhen demonstruar para tyre, duhet të jenë shumë të qarta dhe të shtrira në kohë, ndaj sot unë them se duke ndarë me të gjithë në këtë sallë, pavarësisht prej përkatësisë politike, krenarinë dhe kënaqësinë e të përmbyllurit me sukses të procesit të anëtarësimit të vendit në NATO, duhet të ndajmë përgjegjësinë dhe, pse jo, sensin autokritik për atë çka nuk kemi bërë për të ecur përpara drejt integrimit evropian të vendit, duke përmbyllur së pari, fazën e statusit. Nuk kërkohet më shumë sesa të tejkalojmë më të keqen e vetes, nuk kërkohet më shumë sesa të përqafojmë më të mirën e asaj që jemi dhe kemi demonstruar se jemi.
Konsensus politik, bashkëpunim për reformat e rëndësishme, ruajtje të standardeve të arritura, dhe jo zhbërje e tyre; konsolidim i mëtejshëm i institucioneve, dhe jo përpjekje për t’i zaptuar apo intimiduar ato. Zbatim i ligjit, respekt i panegociueshëm për shtetin ligjor, mosdënim i demokracisë funksionale, i votës së lirë, i sistemit të kontrollit dhe balancave, që Kushtetuta dhe sovrani ua ka bërë fare të qartë vendimmarrësve dhe politikëbërësve, pavarësisht se në çfarë pozite ndodhen, në mazhorancë apo opozitë, siç e përcakton vetë sovrani me rastin e zgjedhjeve.
Ndaj, në këtë kuadër rruga është fare e qartë. Rrugën e kemi bërë besoj si opozitë edhe më të lehtë. Besoj se mësimin pozitiv të anëtarësimit në NATO e përkthyem në veprim me rastin e përurimit tonë si opozita e vendit, me rastin e përurimit të ish-opozitës si mazhoranca e vendit ku vendosëm një standard të pacenueshëm për ne. Zero kushte për integrimin e vendit në BE. Mbështetje totale nga opozita ndaj mazhorancës, ndaj qeverisë, ndaj qytetarëve për çdo akt, masë dhe veprim që çon përpara procesin e integrimit evropian të vendit. Në këtë pikëpamje, do të thosha që në kujtesën time kurrë nuk ka qenë e lehtë për anën tjetër të kryejë me përpikmëri detyrat dhe të shtrijë dorën e bashkëpunimit, në mënyrë që në Bruksel të shkojmë së bashku, sepse në Bruksel, pavarësisht se je nisur për në selinë e NATO-s apo në selinë e BE-së, mësimet e historisë na tregojnë se shkohet me opozitën, dhe jo kundër opozitës, me shtetin ligjor, jo kundër shtetit ligjor, me parimet demokratike, me respektin për institucionet e pavarura, dhe jo kundër tyre. Dhe jam i sigurt se në qoftë se e bëjmë këtë, dyert do të jenë të hapura, rruga do të jetë më e shkurtër, ndonëse punë do të kemi dhe punë do të na duhet të bëjmë shumë.

Shpresoj që këto refleksione në këtë ditë të veçantë të kujtimeve pozitive dhe krenarisë së ligjshme për atë çka arritëm pesë vite më parë, të shërbejnë për t’u mbledhur në këtë sallë, pse jo vitin tjetër, apo katër vite më vonë, apo pesë vite më vonë, dhe për t’u ndier përsëri jo të turpëruar, as të kompleksuar, e as në gjendjen permanente të debatit me tensione dhe intensitete të larta emocionale, por të kënaqur gjithsecili për pozitat e veta, për meritat e veta që i kemi dhënë Shqipërisë atë që Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë, një rrugëtim më të shpejtë, reforma më domethënëse, demokraci më të konsoliduar, shtet ligjor funksional, një Shqipëri në Evropë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency