Auditi/ Abuzimi me fondet, padi për 20 ish-drejtues policie

0
158

Anxhela Tato

 

Kallëzimi në Prokurori, zbardhen rastet e shpërdorimit të detyrës, 27 procedura tenderash pa kontratë

 Klasifikimi i panevojshëm “Kontratë sekrete” për blerje boje printerësh, kompjuterash dhe pajisje zyre

 

tahiri-MBKallëzim penali në Prokurori për 20 ish-drejtues dhe punonjës të strukturave të Policisë së Shtetit, të cilët pas një auditimi të kryer kanë rezultuar përgjegjës për një dëm ekonomik të konsiderueshëm shkaktuar buxhetit të shtetit. “Nga auditimi i kryer në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorinë Rajonale të Rezervave Materiale të Shtetit, Qendrën e Shfrytëzimit dhe Administrimit të Mjeteve të Transportit (QSHAMT), Njësinë Rajonale të Policisë Rrugore Tiranë, kanë rezultuar shkelje të shumta ligjore, si pasojë e të cilave është shkaktuar një dëm i madh ekonomik, pa përfshirë vlera të tjera të konsiderueshme që kanë kaluar për vlerësim dhe inspektim financiar nga Ministria e Financave”, – thuhet në njoftimin zyrtar të MB. Ndër personat e paditur për shpërdorim detyre të cilët janë paditur, rezultojnë dhe Fatos Kokalari, Genc Peka dhe Ali Allaraj, të cilët kanë mbajtur postin e shefave të komisariatit rrugor. Për herë të dytë në këtë listë përfshihet dhe emri i ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Sipas burimeve, mësohet se shkak për këtë kallëzim është bërë rezultati i një auditimi që zgjati më se katër muaj dhe zbuloi se grupi është përgjegjës për një dëm prej qindra mijëra dollarësh shkaktuar buxheti të shtetit në devijime fondesh. Nga auditimi i 43 procedurave të realizuara gjatë vitit 2013 sa i përket përzgjedhjes së llojit të procedurës rezultoi se janë realizuar: 27 procedura prokurimi “Me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”, si dhe 3 procedura si “Kontratë sekrete”, pa pasur ndonjë argumentim për t’u realizuar si kontrata sekrete dhe pa u mbështetur në legjislacionin për klasifikimin e sekretit shtetëror.

 

Shkeljet

 Nga Drejtoria e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës, të dashjes dhe bashkëpunimit” janë dërguar për ndjekje penale 5 persona, ish-drejtues dhe anëtarë të Njësive të Hartimit të Dokumenteve. Mes tyre edhe ish-kryepolici Hysni Burgaj. Auditimi i 43 procedurave të realizuara gjatë vitit 2013, konstatoi se 27 prej tyre ishin “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”, me fond limit 90,5% të totalit të fondit të procedurave të audituara. Kurse 3 procedura si “Kontratë sekrete”, pa pasur ndonjë argumentim për t’u realizuar si të tilla me fond limit maksimal. Dhe e veçanta ka qenë se “Fond sekret” janë klasifikuar blerjet e kompjuterëve, printerëve, bojëra, bateri, pajime armatimi si mbajtëse pistoletash e elektrik dore, orendi dhe pajisje për zyra. Kurse nga Parku i Automjeteve janë dërguar për ndjekje penale 6 persona, për “Shpërdorim detyre”, përgjegjës për keqmenaxhimin dhe administrimin e mjeteve të transportit të Policisë, dëmtimin dhe mosruajtjen e tyre. Po kështu nga Rezervat e Mulletit janë çuar për ndjekje penale 3 persona për dokumentimin e një sasie skrapi, ankandin e makinave dhe procedura të tjera tenderuese. Dhe 5 të tjerë janë dërguar për ndjekje penale nga Njësia Rajonale e Policisë Rrugore Tiranë, për moszbatimin e rregullave të dorëzimit të mjeteve në afat, me pasojë dëmtimin e mjeteve dhe humbje të vlerave financiare në buxhetin e shtetit.

 

 

Ja ish-drejtuesit e Policisë të denoncuar:

Hysni Burgaj, ish-drejtor i Policisë së Shtetit

Ram Oruçi, ish-drejtor i Parkut të Mjeteve

Petrit Çerçizi, ish-drejtor i Rezervave të Shtetit

Fatos Kokalari, ish-shef i Policisë Rrugore

Ali Allaraj, ish-shef i Policisë Rrugore

Genc Peka, ish-shef i Policisë Rrugore

Kolë Kukaj, shef sektori, Policia e Shtetit

Andon Janku, ish-drejtor QSHAMT

Syrja Hoxha, shef sektori

Luan Mali, ish-drejtor

Valbona Xhengo, specialist

Baftjar Adushi, shef seksioni te Rrugorja

Haki Musliu, shef sektori

 

 

 

Greqi

Vrasja e Iliri Karelit, 8 urdhër arreste për gardianët dhe drejtorin

 Prokuroria lëshon 8 urdhër arreste për vrasjen e Ilir Karelit, i cili u torturua dhe u dhunua në mënyrë çnjerëzor në qeli. Policia arrestoi 3 gardianë të burgut të Nigritës, ndërsa priten edhe 5 arrestime të tjera, mes të cilave edhe ai i drejtorit të rojeve të brendshme të burgut të Nigritës, Hari Konsolidi, i cili që dje pasdite ndodhet i shtruar në spitalin psikiatrik të Serresit, për shkak të stresit dhe presionit. Ata akuzohen për rrahje dhe torturë me pasojë vdekjen, plagosje të rëndë dhe dëmtime të rënda të qëllimshme. Akuzave iu shtohet edhe ajo e moskallëzimit të krimit, nga persona që deklaruan se i dënuari kishte mbërritur i dhunuar në burgun e Nigritës. Sipas shtypit grek, në hetime mbeten të përfshirë oficerët e burgut, të policisë, rojet dhe njerëzit që patën kontakt me të burgosurin në “rrugën” që nga burgu i Malandrinos, drejt gjykatës ku dëshmoi për vrasjen e gardianit dhe deri në qelinë e tij të fundit, në burgun e Nigritës, ndaj priten të tjera mandate-arreste. Hetimi është përqendruar në datat 25-27 mars, që nga vrasja e gardianit e derisa Ilia u gjet i vdekur. Mendohet se Kareli fillimisht është rrahur nga oficerët e burgut në Malandrinos menjëherë pas vrasjes së gardianit Jorgo Cironis. Tortura thuhet se ka vazhduar gjatë transferimit, por edhe në burgun e Nigritës. Megjithatë ka pamje filmike që tregojnë se Ilia Kareli shkoi me këmbët e veta nga burgu i Malandrinos në gjykatë dhe më pas në burgun e Nigritës, gjë që dëshmon se rrahja më e egër mund të jetë bërë në burgun e Nigritës. Mbrëmjen e së hënës një ish-i burgosur i burgut të Nigritës, që foli në emisionin “Yellow Press” të gazetarit të njohur Makis Triantafilopulos, denoncoi rrahjet e egra të burgosurve nga zyrtarët e burgut të Nigritës. “Aty ndodhin gjëra që nuk ndodhin askund. Nuk e justifikoj shqiptarin për atë që ka bërë, por në burgun e Nigritës ndodhin çmendurira, torturat më të egra. Prej andej nuk mund të dalë asnjeri”, – tha ai. Ndërkohë që në një reagim për shtyp Ministria e Drejtësisë greke dënon aktin e rëndë duke premtuar ndëshkimin e çdo fajtori. “Disa njerëz shkelën shtetin e së drejtës dhe të drejtën për mbrojtjen e të dënuarve. Nuk tolerohet kjo sjellje, do të ndëshkohet çdo fajtor”.

 

 

Tiranë

Përplaset makina me fugonin, plagosen 2 persona

 Dy persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti të ndodhur mesditën e djeshme në kilometrin e 12 të autostradës Tiranë – Durrës. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se në aksident janë përfshirë dy automjete, një fugon me targë AA106JA dhe një makinë me targë AA320 IS. Si pasojë e përplasjes fugoni është përmbysur në mes të rrugës, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve. Dy personat që udhëtonin në mjetin tip fugon janë lënduar lehtë. Shkak i aksidentit mendohet të ketë qenë një parakalim i gabuar i njërit prej mjeteve, ndërsa policia po punon për të zbardhur ngjarjen. Ndërkohë ky aksident ka shkaktuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve, të cilat janë detyruar të vijojnë udhëtimin përmes rrugës dytësore.

 

 

Gjirokastër

Goditën efektivin, pranga njërit prej autorëve

 Policia e Gjirokastrës ka arrestuar dje shtetasin Florjan Zife dhe ka shpallur në kërkim vëllain e tij, E. Zife. Ky i fundit u arrestua, pasi goditi me grushte një efektiv të policisë rrugore. Sipas policisë së qytetit jugor, i arrestuari dhe vëllai i tij kundërshtuan një gjobë të Policisë Rrugore për parkim të gabuar. Kur kanë parë gjobën në mjetin e tyre ata janë revoltuar dhe e kanë goditur policin me grushte.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency