Zbardhet propozimi/ S’ka më kohë për opozitën, mazhoranca ngre komision parlamentar për reformën në drejtësi

0
102

Gëzim Saliu

 Mazhoranca hedh hapin final drejt reformës, “shmanget” opozita. Xhafaj: Komisioni do të funksionojë për 6 muaj, propozim i 7 deputetëve dhe i firmosur nga dy krerët e grupeve

 Konferenca e KryetareveKonferenca e Kryetarëve vendosi dje të pranonte propozimin e kreut të Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, për të ngritur komisionin e posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi. Kërkesa e propozuar nga një grup prej 7 deputetësh dhe e firmosur nga 2 kryetarët e grupeve parlamentare ka marrë miratimin e Konferencës, ku pritet të votohet sot në seancën e Parlamentit. Nga ana e tij, Xhafaj theksoi se komisioni parlamentar do të funksionojë për një periudhë 6-mujore dhe me mundësi shtyrjeje sipas Rregullores së Kuvendit.

 

Komisioni parlamentar

Komisioni i posaçëm parlamentar, i cili pritet të miratohet në seancën e sotme parlamentare, përbën hapin final të mazhorancës për reformën në drejtësi. Edhe pse opozita mori pjesë në tryezën e parë të thirrur nga Presidenti për këtë reformë, ende nuk kishte shprehur qëndrim mbi mundësinë e drejtimit të reformës në drejtësi nga ana e një komisioni parlamentar. Sipas të djathtëve, rëndësi themelore për këtë reformë kishte fakti që ajo të udhëhiqet nga ekspertët ndërkombëtarë, dhe jo nga mazhoranca. Por se duket se kjo e fundit nuk i ka lënë më shumë kohë opozitës për të shprehur qëndrimin e saj sa i takon rrugës dhe formës së vazhdimësisë së reformës, duke votuar dje në Konferencën e Kryetarëve propozimin për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për reformën në drejtësi. “Komisioni është ndërtuar në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, e cila njeh si komisionet e përhershme edhe ngritjen e komisioneve të posaçme parlamentare që natyrisht kanë objekt të përcaktuar dhe kohë të kufizuar”, – tha Xhafaj. Nga ana tjetër mazhoranca bëri të ditur: “Komisioni do të jetë forumi i përshtatshëm, ku të gjitha grupet parlamentare nëpërmjet anëtarëve që do të jenë pjesë e kësaj strukture, do të mund të analizojnë situatën aktuale, të përcaktojnë objektivat për përmirësimin e saj dhe në përfundim të hartojnë një paketë ndryshimesh të kuadrit normativ në fushën e drejtësisë, të tilla që të garantojnë mirëfunksionimin e sistemit dhe qëndrueshmërinë e tyre në kohë”. Më tej mazhoranca pohoi se komisioni i posaçëm në veprimtarinë e tij do të mbështetet në mënyrë thelbësore në ekspertizën më të mirë vendase dhe ndërkombëtare. “Asistenca e ekspertëve të Komisionit Evropian (Misioni Euralius IV), Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID/OPDAT), Këshillit të Evropës (Komisioni i Venecias), Prezencës së OSBE-së, e misioneve të asistencës për çështjet e drejtësisë të përfaqësive diplomatike në Tiranë etj., do të garantojë përmbushjen e standardeve më të mira ndërkombëtare në të gjitha fazat e punës së komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në sistemin e drejtësisë”. Ndërkohë, në tryezën e dytë pas asaj të Presidentit për reformën në drejtësi, ministri Naço tha se reforma do të jetë rrënjësore dhe pikënisja e saj do të jetë Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Nga ana e tij, ambasadori i SHBA-së, Arvizu, kërkoi nga qeveria që reforma në drejtësi të mos politizohet, të ketë si drejtues kyç udhërrëfyesin e BE-së si dhe të përfshijë detyrimisht elementin e gjithëpërfshirjes, duke kërkuar një qasje të sinqertë të mazhorancës ndaj opozitës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency