Mbledhje grupi, PD/ Basha: Qeveria, dështim spektakolar me ekonominë

0
115

Florenc Drizari

 

Marrëveshja me FMN-në, Basha: Një autodemaskim i papërgjegjshmërisë dhe i dështimit të qeverisë

 

 

Mbledhja_e_Grupit_Parlamentar_te_PD-seOpozita kritikoi ashpër qeverinë për mungesën e transparencës për marrëveshjen e lidhur me FMN-në, duke ngritur dyshime të forta për rritjen e një sërë taksash në vend. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar të PD-së, tha se dështimi i ekzekutivit për të mbledhur më shumë të ardhura nga taksat dhe akcizat e rritura duhet të kishte shërbyer si një reflektim për t’u kthyer tek niveli i taksave të ulëta dhe rritjes së bazës së tatimpaguesve, ndërkohë që lëvizjet e fundit të qeverisë, theksoi ai, po e çojnë ekonominë e vendit drejt një rruge të rrezikshme. Kreu i PD-së e cilësoi marrëveshjen e qeverisë me FMN-në si një vetëdemaskim, krahasuar me premtimet para apo pas elektorale.

 

Lulzim Basha

 “Një autodemaskim i papërgjegjshmërisë dhe i dështimit të saj spektakolar, prandaj qeveria ka dashur ta mbajë sa më larg njohjes nga publiku dhe opozita. FMN ka ripërsëritur në krye të marrëveshjes faktin botërisht të njohur e të pranuar se Shqipëria mënjanoi me sukses rënien e ekonomisë në krizë gjatë recesionit global, pra gjatë qeverisjes sonë. Në vend që të niseshin nga ky realitet, për të avancuar me kujdes politikat e stabilitetit dhe ringritjes graduale, zoti Rama me të tijtë u nisën si mohues të mëdhenj dhe si demagogë. Kjo, sigurisht, shkaktoi menjëherë, siç nënvizon FMN, rënie të ndjeshme të besimit të investitorëve, përkeqësim të klimës së biznesit, rritje të rrezikut të financimit të borxhit, borxh që u rrit nga qeveria nga niveli 62 për qind në 74 për qind të PPB-së”, – deklaroi kreu i PD-së. Referuar marrëveshjes së lidhur mes qeverisë dhe FMN-së, opozita ngre shqetësimin se në vija të përgjithshme, qeveria angazhohet për bllokimin e rritjes së pagave për tre vjet dhe indeksimin e pensioneve vetën për nivelin e inflacionit; rritjen e moshës së daljes në pension dhe rritjen e kontributeve; rritjen e çmimit të energjisë elektrike në muajin qershor të këtij viti.

 

Ish-të përndjekurit

 Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha gjithashtu se qeveria gjatë dy muajve te pare nuk ka paguar asnjë qindarke për të përndjekurit politike, ndërkohe që në periudhën janar-shkurt 2013 janë paguar 3 milionë USD. Kreu i PD-së foli edhe për përurimin e rikonstruksionit të pak ditëve më parë të ndërtesës së ish-të përndjekurve politikë nga Kryeministri, duke ironizuar me faturimin e fasadës. Gjithashtu, Basha vuri në dukje edhe disa detyrime të tjera që nuk janë përmbushur nga qeveria si në shërbimet sociale, në infrastrukturë dhe investime të tjera. Qeveria gjate dy muajve të parë nuk ka paguar asnjë qindarkë nga fondi prej 1.1 miliardë lekësh të planifikuara për vitin 2014 për “kompensimin për shtresat në nevojë”. Asnjë qindarkë të vetme. Qeveria gjatë dy muajve të parë nuk ka paguar asnjë qindarkë për të ashtuquajturat detyrime për projektet e investimeve publike. Qeveria gjatë dy muajve të parë ka paguar në dy muaj vetëm 26 milionë USD projekte investimesh, nga 93 milionë USD që janë paguar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, – deklaroi Basha. Sipas kreut demokrat, shqetësimet e opozitës lidhur me çështjet ekonomike janë ngritur disa muaj më parë dhe tashmë po fillojnë të ndihen disa nga pasojat negative të vendimeve të qeverisë.

 

 

Aksioni opozitar në Kuvend

 Çështjet ekonomike pritet të jenë në qendër të debateve parlamentare mes pozitës dhe opozitës në seancën plenare të së enjtes. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se qeveria po mundohet të shmangë përballjen e saj me opozitën lidhur me çështjet ekonomike – marrëveshjen me FMN-në etj. Sipas tij, opozita do të vazhdojë të kërkojë transparencën e vendimeve dhe mbajtjen e premtimeve të qeverisë. “Ne e kemi për detyrë ta ndalojmë këtë bishtim. Ta detyrojmë të bëjë transparencë. Të japë llogari para qytetarëve. Dhe do ta bëjmë këtë duke nisur nga e enjtja në Kuvend. Dhe duke e shtrirë anembanë vendit. Ky është qëndrimi që do të mbajmë të enjten e ardhshme. Kjo është beteja jetike në emër të qytetarëve shqiptarë që nis e do të vazhdojë pa ndalim”, – theksoi Basha.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency