Vendimet/ Dhuna në familje, Gjykata ndëshkon 41 persona në 3 muaj

0
179

Sonja Caka

 

Gjykata e Tiranës/ Kërkesat për lëshim të urdhrave të mbrojtjes vazhdojnë të pushohen në pjesën më të madhe, pasi paditësit tërhiqen për shkak të fëmijëve

 

 

gjykata1Në Gjykatën e Tiranës shtohen dita-ditës rastet e gjykimit të dhunuesve brenda familjes. Tashmë, të dëmtuarit nuk shkojnë në polici për të kërkuar urdhër mbrojtjeje, por kërkojnë nga organi i akuzës nisjen e procedimit penal për ushtrim dhune nga ana e të pandehurve apo të pandehurave, pasi jo gjithmonë dhunuesit janë meshkuj. Vetëm gjatë 3 muajve të parë të këtij viti janë dhënë 41 vendime nga Gjykata për veprën penale të “Dhunës në familje”, ndërsa shpesh kjo ka qenë e bashkëshoqëruar edhe me ndonjë vepër tjetër penale, si “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” apo dhe pengim i ekzekutimit të vendimit të Gjykatës, siç janë thyerjet e vendimeve të urdhrit të mbrojtjes apo dhe e kryer në forma të tjera. Para gjykatës të gjithë janë gjykuar në aplikim të gjykimit të shkurtuar, duke pranuar dhunën apo duke shprehur pendesë për dhunën e ushtruar. Gjykata ka qenë ndëshkuese ndaj tyre, pasi vetëm në disa raste janë aplikuar dënimet alternative, pasi në pjesën më të madhe të dënimeve burrat-dhunues janë ndëshkuar me burg, jo më pak se 8 apo 9 muaj burg.

 

Rastet

Pjesa më e madhe e të pandehurve të sjellë para Gjykatës e kanë kryer veprën penale në kushtet e konsumimit të madh të alkoolit, ndërsa pas daljes së pijes nuk mbanin mend çfarë kishin bërë. Të gjithë kanë shprehur pendesë për veprimin e kryer, ndërsa rezulton se dhuna është ushtruar në rastet me të shpeshta në prani të fëmijëve të mitur. Skena që kanë krijuar trauma te fëmijët e tyre. Nga deklarimet para Gjykatës, skema është gati e njëjtë, burra që vijnë nga lokalet ku kanë ndenjur për disa orë duke pirë, që futen në banesa duke bërtitur dhe ulëritur në orë të ndryshme të natës, shpesh edhe kur ka kaluar mesnata dhe dhunojnë gratë dhe bëjnë potere duke mos arritur të kontrollojnë veprimet e tyre. Nga dëshmitë e grave të dhunuara, gati të gjithë dhunuesit deklarohen si konsumues të rregullt të alkoolit apo dhe përdorues së shpeshtë të dhunës brenda familjes.

 

Vendimi

Një vit e katër muaj e ka dënuar Gjykata të pandehurin Jani Lleshaj për dhunën barbare të ushtruar ndaj së shoqes, në prani të fëmijës së mitur. Një dhunë që nuk zgjati me minuta për shkelma e grushte për një orë derisa gruaja i është drejtuar policisë me një kallëzim penal, me hematoma të shumta në fytyrë dhe trup. Sipas vendimit të gjykatës, ngjarja ka ndodhur më 1 dhjetor të vitit të kaluar dhe kallëzimi është bërë një ditë më vonë. Në orët e mesditës, pranë komisariatit të policisë nr. 3 Tiranë, është paraqitur shtetasja Dezdemona Lleshaj, e cila ka bërë kallëzim ndaj bashkëshortit të saj Jani Lleshaj, për ushtrim të dhunës fizike dhe psikologjike. Referuar procesverbalit “Për kallëzimin e veprës penale”, rezulton se më datë 1.12.2013, rreth orës 23:30, shtetasja Dezdemona Lleshaj është dhunuar fizikisht nga bashkëshorti i saj Jani Lleshaj, ku ky i fundit pasi ka ardhur në banesë ka filluar ta godasë atë me grushte, shkelma, sende të forta në kokë dhe trup, e ka tërhequr zvarrë prej flokësh dhe e ka përplasur në dysheme, ngjarje e cila ka vazhduar për rreth një orë. Gjatë kohës së ngjarjes, sipas deklarimeve, i pranishëm në banesë ka qenë dhe fëmija i tyre i mitur L. Lleshaj, 3 vjeç në atë kohë.

 

 

Kërkesat

Shqyrtohen 169 kërkesa për urdhra mbrojtjeje, 54 të pranuara

Gjykata e Tiranës ka pasur një bum kërkesash për lëshim të urdhrave të mbrojtjes, të cilat janë marrë në shqyrtim gjatë këtyre muajve të parë të vitit. Por, ashtu siç ndodh përherë, pjesa më e madhe e këtyre kërkesave pushohen, pasi kërkuesit apo kërkueset e përfitimit të urdhrit të mbrojtjes tërhiqen dhe nuk paraqiten në gjykatë, duke passjellë edhe pushimin e gjykimit të këtyre padive. Gjatë muajve të parë, Gjykata ka pranuar 54 kërkesa për urdhra mbrojtjeje, ndërkohë që pak prej tyre janë refuzuar nga gjyqtarët pasi është kuptuar se ndaj paditëseve nuk është ushtruar dhunë por kanë pasur arsye të tjera për të cilat e kanë kërkuar lëshimin e këtyre urdhrave. Shpesh, Gjykata ka pranuar edhe pjesërisht kërkesën e drejtuar për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, pasi ka konstatuar shpesh se kërkesat janë shtrirë përtej objektit që ka një urdhër mbrojtjeje. Kështu, në rastin e një çifti në prag divorci, kërkesa nuk e pranoi kërkesën e gruas që të lejohej nga i padituri të punonte në lokalin e këtij të fundit, pasi nuk ishte kompetente për të dhënë një urdhërim të tillë, ndërkohë që biznesi është pronë e të paditurit. Aq më tepër që paditësja kërkonte urdhër mbrojtje ndaj të shoqit që të mos i afrohej, nuk mund të urdhërohej po i shoqi ta punësonte në lokalin e tij. Gratë e dhunuara apo të ndjera të kërcënuara nga bashkëshortët apo ish-bashkëshortët kanë kërkuar lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes për të qenë të mbrojtura ato dhe fëmijët e tyre. Por, nuk janë vetëm çiftet e bashkëshortëve apo të divorcuarve ata që i janë drejtuar gjykatës për lëshimin e këtij urdhri dhe për të përfituar mbrojtje me vendim gjykate. Një numë ri madh kërkuesish në këto 169 padi janë edhe prindër të dhunuar nga fëmijët apo anasjelltas. Por, asnjëherë këto padi nuk kanë arritur të shqyrtohen pasi prindërit falin fëmijët dhe arrijnë në një marrëveshje para se të vijnë në gjykatë.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency