Ridimensionimi i Partisë Demokratike

0
394

Ermal SHEHU

 

Pakkush do të kishte menduar se zgjedhjet e 23 qershorit do të prodhonin një hendek të thellë rezultativ ndërmjet dy aleancave garuese kryesore. Kjo, pasi precedentët e mëparshëm zgjedhorë dhe puna që qeveria e parazgjedhjeve kishte investuar në Shqipëri, linin një përshtypje të ndryshme nga sa ndodhi në realitet. Shumëkush ia veshi këtë rezultat “stërkonsumimit” gjatë dy mandateve qeverisje, edhe pse ato rezultuan të ishin të suksesshme. Në fakt, për të arritur në këtë përfundim nuk duhet ndonjë impenjim madhor, pasi dukshëm është e qartë se 8 vjet nuk janë pak, në të vërtetë, për çdo qeveri në botën demokratike! Ndër të gjitha vitet e drejtimit, vit pas viti qytetarët kërkojnë nga qeveria ndryshime të herëpashershme të gjendjes ekonomike, ligjore, shoqërore… gjithmonë në dobi të tyre, të shoqërisë. Kur ajo ndryshon dhe kërkesat ndryshojnë, gjithmonë drejt pozitivizmit… e kështu vazhdon, pasi kjo në fakt është edhe natyra njerëzore. Në këtë kuadër mosplotësimi kërkesash në kohë, shpeshherë për shkaqe pamundësie reale, konsumimi në lidhje me qytetarinë i qeverisë, natyrshëm vjen! Megjithatë, kjo është vetëm ana e tij e jashtme. Ajo shfaqet dukshëm te forcat politike zakonisht pasi ato kanë ezauruar nga brenda tyre resurset ripërtëritëse! Po në fakt cilat ishin shkaqet që sollën këtë konsumim në radhët e Partisë Demokratike, e cila për dy mandate kryesoi qeverisjen e vendit?! Një ndër më kryesoret e tyre padyshim që nuk ka se si të mos renditet mungesa e qarkullimit dhe zëvendësimit të elitave ekzekutive, ligjvënëse dhe vendimmarrëse. Kjo mungesë jetike në fakt e çoi forcën në një rreth spiral, në të cilin ngjitja e shkallëve rridhte në mënyrë të parashikueshme vetëm në një drejtim paraprakisht të caktuar. Natyrshëm, që të qëndruarit gjatë në këtë spirale kalçifikoi ndër vite pozicionet e “qëndrestarëve”, të cilët rezultonin të ishin elita e vetme qarkulluese brenda rrethit. Mirëpo absolutisht nuk duhet të limitohet në hapësirë mendimi, se rrethi spiral ekzistonte vetëm në instancat më të larta drejtuese shtetërore, partiake.. ! Përkundrazi, ky lloj sensi lëvizjeje në kah të brendshëm me kulm lart shtrihej në gjithë vendin, si pasojë e dukshme e mosqarkullimit të elitave në majat. Të qëndruarit dy mandate zgjedhore në qeverisje pothuajse me të njëjtët ministra, natyrshëm që te këta të fundit mbjell pashmangshmërisht ndjenja të forta arrogance. Kjo sepse sistemi me qarkullim të brendshëm, hermetikisht i mbyllur nga baza deri në qendër, patjetër që krijon shkëputje të theksuar me realitetin e qytetarisë. Ndodh, pasi eprorët nga kulmi deri në bazë kanë gjithmonë të njëjtit vartës ekzekutivo-raportues për situatat. Një marrëdhënie e tillë e stërzgjatur ndërmjet tyre në kohë, vetvetiu, instinktivisht “familjarizon palët”, pasi sado korrekt, të arsyeshëm dhe të përgjegjshëm të jenë, prapëseprapë mbeten të kufizuar nga kornizat e njerëzores.

Servilizmi si fenomen errozivo-dekompozues, gërryen pa pushim radhët nga brenda. “Shefat” nuk pranojnë më për drejtimin kritikat, pasi edhe për gabimet shpeshherë trashanike gjejnë të gatshëm një mori mbrojtësish trashaniko-justifikues-këpucëlëpirësish që përsërisin në një kor dallkaukësh malinj parullën burokratiko-diktatoriale Shefi ka gjithmonë të drejtë”. Kështu u krijua dalëngadalë një marrëdhënie kaotike “mesjetare” vasaliteti, të cilës i mungonte parimi rregullator i artë për kohën “Vasali i vasalit tim nuk është vasali im” pasi të gjithë ndiheshin vasalë të gjithkujt gjatë fundit të tetë viteve në pushtet, dhe nga kushdo të ndërvarur. Forca u gjend së fundi në pamundësinë jetike për të riprodhuar vetveten, pasi gjithkush ndihej pafajshmërisht jo përgjegjës i situatës. Nuk mund absolutisht të anashkalojmë si fakt gjithashtu edhe rënien e interesit njerëzor për pushtetin, kur këtë të fundit e gëzon për një kohë relativisht të gjatë e njëjta kastë personazhesh. Sepse në fund të fundit edhe ambicia humane ka kufijtë e vet, ashtu siç çdo fenomen jetësor përfaqësohet në thelb nga një kurbë, e cila patjetër dikur do ta kulmojë rrugën e ngjitjes. Dukshëm ky ishte edhe një nga “prodhimet” madhore të situatës, e cili solli ftohjen midis pushtetit të djeshëm dhe qytetarisë.

“Edhe pse bota ecën përpara, të rinjtë prapëseprapë duhet të nisen nga fillimi”… Kjo shprehje e Gëtes që prej shekullit të 17 nuk ka humbur aktualitetin e saj deri ditët e sotme. Duket se nuk do ta humbë kurrë…!

Sot në opozitë Partia Demokratike duket se është duke ndjekur një rrugë drejtësisht të qartë të cilën në fakt do duhej ta kishte ndjekur edhe gjatë pushtetit, ndoshta jo për të evituar humbjen e 23 Qershorit por për të amortizuar efektet e saj. Sot sinjalet se një hapje e re drejt rinisë, drejt figurave të reja po starton në forcë. Megjithatë rinia që do të qaset rishtazi drejt Partisë Demokratike absolutisht nuk duhet që kriter bazë të saj të ketë thjesht limitet e moshës, por një koncept gjerësisht më gjithëpërfshirës se kaq në kohë. Opozita në emër të rivitalizimit dhe për hir të tij, gjithashtu duhet tu presë udhën dhe të distancohet pse jo edhe nga deklarata deprimueso-subversive nga ende brenda radhët e saj, të tipit: edhe të rinjtë e sotëm që po afrohen, nuk duhet presin që rrugën e tyre politike ta kenë të shtruar me lule”. Shkëputja prej tyre, dhe një afrim konceptualo-fizik drejt të resë, në thelb ideve, parimeve, veprimit.. padyshim do të sillte me vete rrymën novativo-intelektuale. Pasojat do të derivonin rikonceptimin e cdo “qelize” partiake, rifreskimin e cdo strukture, dhe mbi të gjitha do të ndalonin procesin e “ndryshkjes” ardhur në forcë si pasojë e një ekspozimi relativisht të gjatë kundrejt pushtetit.

Do duhet medoemos një shkëputje nga figurat për shkak të të cilëve forca sot gjendet nga vullneti i sovranit, në pakicën e përfaqësimit parlamentar rekord që pas vitit 97’. Në fakt ky gjest i dorëzimit të stafetës, duhet të ndodhte natyrshëm, në mënyrë të përgjegjshme nga ana e përfaqësuesve, fenomen jetik që ende po vonon! Ndoshta një ndër shkaqet e vonesës, është edhe një ndër gabimet që lideri historik i së djathtës shqiptare, ish kryetari i PD-së, njëkohësisht dhe ish kryeministër bëri në fjalimin e dorëheqjes së tij. Ai fisnikërisht mori mbi supe siç edhe deklaroi, të gjitha përgjegjësitë për humbjen, duke shkarkuar padrejtësisht nga barra, minimalisht gjithë kabinetin ministror që gjatë qeverisjes atë e shoqëroi. Absolutisht nuk duhet të marrim këtë fakt të mirëqenë, sa kohë që shteti shqiptar në këto vite është qeverisur nën një sistem demokracie në veprim, garant për të cilin kanë dalë edhe organizmat ndërkombëtarë në të cilat aktualisht aderojmë dhe aspirojmë. Opozita sot duhet të qaset drejt ideve të reja, drejt figurave të pakonsumuara, të spikatura politikisht në lidhje me qytetarinë dhe ndjeshmëritë e saj, por absolutisht pa cenuar dhe hedhur poshtë mirënjohjen për vlerat e pamohueshme të figurave reale themelueso-historike të së shkuarës.

Jetike gjithashtu për Shqipërinë sot, drejtuar nga një maxhorancë e majtë, nën një arrogancë kartonësh të cilët shpeshherë nga ata (dy të parët e majtë mes të “barabartëve”) konsiderohen edhe si shuplaka, do të ishte padyshim një opozitë e pastruar nga dritëhijet e konsumimit të pushtetit. Në këtë mënyrë ajo (opozita), jo vetëm që do të arrijë të bindë sovranin, por njëkohësisht në dobi të vendit do ti japë fund fushatës mediatiko-justifikuese të mazhorancës, do të ndërpresë “garën” e saj me të djeshmen, dhe ta vëre atë para përgjegjshmërisë qeverisëse për të ardhmen, në dobi të qytetarisë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency