Anxhela Tato
Rrëfimi i djalit të Medi Manellarit: Dhuroi tokën për xhami, u largua para 1 viti, na tha se ndodhej në Arabinë Saudite
Për familjen Manellari, aksioni i policisë është në funksion të agjenturave dhe Amerikës, janë kundër fesë islame
Medi Manellari, një prej të shpallurve në kërkim nga policia, mësohet se ndodhet në Siri, ku me anë të një videoje bënte thirrje për t’iu bashkuar luftës për xhihad. Siç mësohet edhe nga familjarë të tij, i moshuari ka falur tokën ku është ndërtuar xhamia në Unazën e Re dhe prej rreth një viti ishte larguar nga Shqipëri. Në një intervistë, djali i tij, Haziz Manellari, rrëfen se babai u largua si fillim në Arabinë Saudite për të kryer disa rite të fesë islame. Vetëm para pak ditësh, familja ka mësuar se Medi Manellari ndodhet në Siri, ku i është bashkuar luftës kundër diktatorit Al Asad. Për Hazizin lufta në Siri mund të quhet si xhihad, pasi është një kontribut që jepet pro fesë islame dhe vëllezërve myslimanë, të cilët po shtypen nga regjimi. Por, sipas tij, kjo zgjidhje është diçka mjaft personale dhe e ndjeshme, të cilën nëse nuk e ndien, nuk je i detyruar që të shkosh. Sipas tij, ky aksion i policisë është një sulm ndërkombëtar që bëhet kundër fesë islame, ku besimtarët paraqiten si monstra dhe kriminelë. Ai e cilëson shtetin shqiptar si një vend që është përdorur nga Amerika dhe agjenturat e huaja, të cilët janë pro Bashar Al Asadit dhe kundër të gjithë besimtarëve që shkojnë të luftojnë në Siri. I pyetur për imamin Genc Balla, ai e përshkruan si një njeri mjaft pozitiv, që predikonte Kuranin dhe fjalët e Allahut, ndërsa mohon që në xhami të ketë ekzistuar ndonjë shkollë, por vetëm një kurs për fëmijë. Në intervistë ai tregon se Bujari u jepte mësim fëmijëve dhe policia ka sekuestruar një libër në arabisht, i cili ishte një metodë mësimdhënieje. Sipas tij, është keqkuptuar dhe po abuzohet qëllimisht me fenë islame. Ndërsa në fund i drejton një thirrje-mesazh prokurorisë dhe policisë, që të heqin dorë dhe të mos merrem me gjëra që nuk u takojnë dhe me akuza të pavërteta, por të merren me krimet që kanë shpërthyer.
Rrëfimi për babanë
“Babai im është larguar para një viti nga Shqipëria. Ai na njoftoi se do të shkonte në Arabinë Saudite për Haxh (ritual islamik që zhvillohen në Mekë). Kemi komunikuar me të në celular dhe na ka thënë se është mirë. Vetëm nga mediat morëm vesh se babai ka dalë në një video, ku bën thirrje për xhihad, për t’iu bashkuar luftës në Siri. Nuk e dinim që ai ndodhej në Siri dhe këtë informacion e morëm vesh nga media. Jemi lidhur me të para një jave dhe kemi komunikuar. Nuk kam asnjë të drejtë që t’i kërkoj babait tim që të kthehet në Shqipëri, pasi kjo është një zgjedhje që i përket vetëm atij dhe unë nuk mund t’i ndërhyj në diçka kaq personale. Vajtja në luftë është një ndjesi shumë personale e çdo besimtar, i cili e ndjen të tillë dhe nuk ka arsye pse ta bëjë publike për askënd. Babai im po bën diçka shumë humanitare”.
Kursi në xhami
“Nuk ekziston asnjë shkollë brenda xhamisë, por është vetëm një kurs që zhvillohej për besimtarët. I vetmi libër që përdorej ishte një manual në arabisht që është marrë nga policia. Asgjë nga ato që thuhen në media nuk janë gjendur brenda në shkollë, nuk ka pasur as armë, as gjëra të tilla. Nuk është e vërtetë që bëheshin indoktrinime, por vetëm leksione për fenë e pastër islame, që bazohet në librin e shenjtë të Kuranit dhe në atë që ka urdhëron i madhi Allah, qoftë i lëvduar. Në këto kurse merrnin pjesë fëmijë të moshave të ndryshme, por tashmë nuk ka më aktivitet ky kurs, pasi janë arrestuar personat që jepnin mësim. Babai im nuk është terrorist dhe as ka bërë ato gjëra që thotë policia. Ky është një sulm që i bëhet fesë islame, ku qeveria shqiptare është përdorur. Në këtë aksion janë përfshirë agjentura të huaja që po mbrojnë Bashar Al Asadin dhe janë kundër fesë islame”.
Thirrja
“Është keqkuptuar koncepti dhe mesazhi i fesë islame”
Është keqkuptuar dhe keqpërdorur feja islame dhe ne po na paraqesin si kriminelë që marrim armë dhe luftojmë. Koncepti i fesë islame është shumë i gjerë dhe i pastër dhe Kurani predikohet në xhami. Apel prokurorisë që të mos përzihet në këto gjëra dhe të mos merret me gjëra që nuk i takojnë. Xhihad do të thotë që ti të kontribuosh si mysliman i devotshëm, duke sjellë prosperitet. Ky kontribut është me fjalë, siç është predikimi, me pasurinë tënde, duke e investuar për mirë ose duke i ardhur në ndihmë një të varfëri. Rasti i luftës në Siri është xhihad, pasi po sulmohet populli mysliman dhe kjo luftë ka një qëllim të lartë, që të mbrojë fenë, duke u ardhur në ndihmë myslimanëve. Por vajta në Siri është një zgjedhje vetjake, shumë personale, një prirje e brendshme. Unë nuk kam vajtur, pasi ende nuk e kam ndier këtë dëshirë. Vallahi nëse do ta kisha këtë dëshirë, unë po jua them, po e bëj publike, që do kisha ikur në Siri”.
“Grupi i Elbasanit”
U shoqëruan në polici në vitin 1997, para 4 vjetësh referimi nga SHISH-i dhe Prokuroria
Sinjalizimet e para për terrorizëm datojnë që në vitet 1996 me të ashtuquajturin “grupi i Elbasanit”, por vetëm para katër vjetësh janë referuar materiale dhe prova bazë nga ana e Shërbimit Informativ dhe Prokurorisë. Megjithatë, këto hetime nuk mund të merrnin dritën jeshile në mungesë të bazës ligjore, e cila u miratua vetëm para pak muajsh. Nga të dhënat hetimore mësohet se i arrestuari Genci Balla është i lidhur me shkollën e Cërrikut, e cila në formë formale u mbyll në vitin 1999. Siç bëhet me dije nga burime të akuzës, rreth viteve të tranzicionit disa nga anëtarët kyç të “grupit të Elbasanit” janë ndaluar nga policia dhe janë marrë në pyetje. Ndonëse kishte të dhëna se këta persona ishin të përfshirë në veprimtari të paligjshme, predikime ekstremiste dhe lidhje me celula të rrezikshme, ka qenë e pamundur arrestimi i tyre dhe procedimi. “Ka raporte voluminoze për veprimtarinë e këtyre personave dhe të dhëna që tregojnë se shumë frekuentues të takimeve dhe predikimeve të tyre shkonin në këto aktivitete të pajisur me armë zjarri. Rreth katër vjet më parë, është bërë një referim nga SHISH dhe antiterrori për “grupin e Elbasanit” që përbëhej nga imamë dhe besimtarë që vazhdonin aktivitetin ilegal të ndërprerë pas mbylljes formale të xhamisë apo shkollës së Cërrikut. Hetimi asokohe nuk filloi sepse baza ligjore ishte e mangët, thirrjet për terrorizëm dhe aktivitete të tilla janë futur e detajuar në Kodin Penal pas 2011. Një tjetër arsye pse nuk u fillua atëherë hetimi ishte fakti se nga mbikëqyrja që iu bë këtij aktiviteti rezultoi se gjithçka mbetej në teori, pra predikohej për akte ekstreme, për daljen nga rregullat legale të fesë islame, për mosnjohjen e KMSH-së, por mbetej gjithçka me kaq, nuk kishte veprimeve konkrete në terren, aktiviteti nuk bëhej burim konfliktesh të armatosura, nuk cenoheshin anëtarët e feve të tjera dhe institucioneve. Çështja është bërë serioze rreth një vit më parë, kur është parë se ka pasur fluks të dërguarish nga Shqipëria në Siri”, – bëjnë me dije burime nga akuza.
Hetimet
Medi Manellari, video nga Siria, thirrje për t’u bashkuar në luftë
Medi Manellari, 65-vjeçari me origjinë nga Dibra, familja e të cilit jeton në zonën e Unazës së Re në Tiranë, është një ndër personazhet që propagandon në njërën nga videot e sekuestruara nga Prokuroria. Për këto thirrje dhe aktivitete të tjera të ngjashme, ai tashmë është shpallur në kërkim ndërkombëtar, me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe vendndodhja e tij mendohet se është Siria. Nga burime mësohet se Manellari është edhe dhuruesi i truallit, ku është ndërtuar xhamia në Unazën e re, ku predikonte i vetëshpalluri imam Genc Balla, tashmë i arrestuar, i njohur mes besimtarëve me emrin Shejh Abdurrahim Balla. Në emër të këtij të fundit, në rrjetin “Youtube”, janë hedhur shumë video, ku ai është treguar i kujdesshëm të mos shfaqë fytyrën, por vetëm zërin.
Fushë-Krujë
Eksploziv në oborrin e Bashkisë, lënda plasëse u hodh nga një makinë
Një shpërthim lënde plasëse ka ndodhur në Fushë-Krujë. Lënda plasëse është hedhur në oborrin e Bashkisë, ndërsa dyshohet se bëhet fjalë për një sasi të konsiderueshme eksplozivi. Lënda shpërthyese është hedhur nga disa persona që ndodheshin në një makinë dhe më pas janë larguar me shpejtësi. Fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar, por janë dëmtuar xhamat e dritareve të ndërtesës së Bashkisë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë dhe po punohet për identifikimin e autorëve dhe kapjen e tyre. Shpërthimet me lëndë plasëse në Fushë-Krujë janë bërë shqetësuese për qytetarët, pasi gjatë dy muajve të fundit është sulmuar edhe posta e policisë së qytetit, më 20 janar dhe 3 mars. E njëjta skenë si me Bashkinë ndodhi me 3 mars në komisariatin Fushë-Krujës, ku lënda plasëse u hodh nga një automjet “Mercedes-Benz”, por ende asnjë sinjal nga autori. Sulmet me tritol brenda komisariatit të Fushë-Krujës janë cilësuar si akte terroriste nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Sipas Prokurorisë, lidhur me ngjarjet janë hapur tri pista hetimi. E para është përhapja e panikut në popullatë. Pista e dytë e hetimit është presion ndaj policisë dhe pista e tretë ndonjë konflikt i mundshëm i drejtuesve të policisë. Lënda e përdorur në sulmet ndaj komisariatit të Fushë-Krujës dyshohet të jetë eksploziv për minierat. Sipas Prokurorisë, autori rrezikon dënim nga 15 vite burg në burgim të përjetshëm.