Imami Hysa/ Indoktrinues i ideologjisë ekstremiste tek fëmijët

0
141

Anxhela Tato

 

Nxiste urrejtjen ndërfetare dhe rekrutonte “ushtarë” që dërgoheshin për luftë në Siri

 Bujar Hysa dhe Genci Balla, lidhje të ngushte bashkëpunimi, ndjekës të rrymës tekfiriste

 

bujar Asllan HysaImami i arrestuar i xhamisë së Mëzezit cilësohet si një element radikal, i cili propagandon kundër shtetit ligjor dhe institucioneve. Nga përgjimet ai rezulton si një ndjekës i rrymës ekstremiste tekfiriste, nën udhëheqjen e Genci Ballës dhe predikues në mbështetje të vendosjes së ligjit islamik, Sheriatit. Sipas hetimeve të akuzës, Bujar Hysa ushtron veprimtari fetare ilegale, të palegalizuar/ligjëruar nga institucioni fetar i KMSH-së (Komuniteti Mysliman Shqiptar) në xhaminë e Mëzezit, Tiranë. Hysa është aktiv në drejtim të përhapjes/nxitjes së urrejtjes ndërfetare, rekrutues, mbështetës dhe ndihmues, i një numri të konsiderueshëm shtetasish shqiptarë që i janë bashkuar formacioneve luftarake terroriste në Siri. Dy imamët e vetëshpallur kanë lidhje të ngushtë dhe bashkëpunim mes tyre. Bashkë me persona të tjerë janë baza kryesore e indoktrinimit, rekrutimit, nxitjes dhe ndihmues për dërgimin nga radhët e besimtarëve në Siri. Dyshohet se Hysa kryen rolin indoktrinues të ideologjisë fetare ekstremiste, me fëmijë të moshave të vogla, të cilët ndjekin shkollën fetare pranë xhamisë në Unazë të Re. Hysa është mësues i lëndëve fetare për fëmijët. Bujar Hysa mban komunikime me individë me pikëpamje radikale brenda vendit dhe në rajon, si edhe me personat që aktualisht gjenden përkrah grupeve ekstremiste në Siri.

 

Imami Balla

 Imami i vetëshpallur Genci Balla është anëtar i një rryme radikale ekstremiste, e cila predikon dhunën kundër shtetit dhe mbizotërimin e ligjit islam mbi qeverinë dhe demokracinë. Burime nga organi i akuzës e identifikojnë Ballën si një nga imamët më ekstremistë, i cili prej gjashtë vjetësh ishte aktivizuar në qarqet e indoktrinimit dhe rekrutimit të shqiptarëve, të cilët dërgohen si ushtarë mercenarë në luftën në Siri. Nga të dhënat e akuzës mësohet se Balla ka përfunduar studimet në Arabinë Saudite dhe këtu ai ka rënë në kontakte me anëtarë të një rryme radikale, të cilët e kanë indoktrinuar me principet e Sheriatit dhe fesë islame të dhunshme. Balla është një ndër aktivistët më të flaktë të luftës në Siri, duke propaganduar dhunën ndaj shtetit ligjor dhe organeve të demokracisë, nxitjen e urrejtjes kundër kulteve të tjera fetare dhe përhapjen e mesazhit për bashkimin e shqiptarëve në luftën e Sirisë. Nga hetimet dhe përgjimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda është zbuluar kontributi i fuqishëm dhe bashkëpunëtorët e Ballës në dërgimin e ushtarëve shqiptarë në Siri. Faqet e uebeve, videot në “Youtube” dhe libri fetar janë disa nga provat kyçe të organit të akuzës në dosjen voluminoze të terroristëve. Për t’i shërbyer principit të Sheriatit dhe idealeve të grupeve radikale Genci Balla arriti që në formë ilegale të hapte një shkollë islami brenda ambienteve të Xhamisë. Në këtë shkollë jepeshin leksione indoktrinimi për “të besuarit”, me të cilët do të dërgoheshin ushtarë në Siri. Gjithashtu nxënës të kësaj shkolle ishin edhe fëmijë, përfshirë këtu djalin e imamit të vetëshpallur. Genci Balla nuk ka lejuar fëmijët e vet që të vijonin studimet në shkollat shqiptare, sepse imami ishte për mosnjohjen e shtetit, mosnjohjen e Komunitetit Mysliman.

 

 

Biseda

I shpalluri në kërkim Almir Daci konfirmon vdekjen e Ervis Alianjit

 “Ervis Alianji ka vdekur dhe  ju duhet të vini në Siri”, – është mesazhi që Almir Daci i ka dhënë familjarëve të 26-vjeçarit. Mësohet se me anë të një bisede Facebook i shpalluri në kërkim ka kërkuar që familja e Alianjit të shkojë në Siri, pasi djali i tyre ka vdekur duke luftuar. Ndërsa vetë ai është shprehur se ka mashtruar të rinj, të cilët i dërgonte si ushtarë në Siri. Sipas Almir Dacit shkaku i vdekjes së 26-vjeçari ka qenë nga një shpërthim lëndësh plasëse.

Almir Daci: Ne kemi ardhur këtu për të ndihmuar myslimanët që po masakrohen dhe gratë që po torturohen. Se kjo është prej fesë islame që të ndihmohen myslimanët.

Kushëriri i Ervis Alianjit: Po Mili vazhdo.

Almir Daci: Nuk është e lehtë dhe ne morëm parasysh çdo gjë. Këtu normalisht edhe unë një ditë jam i rrezikuar, se një ditë do të vritem, por nuk kam frikë nga kjo, unë dhe të tjerët se duam të japim gjithçka për Allah. Që Allahu të na shpërblejë me xhenetin më të lartë në botën tjetër. Dhe kjo është ajo që na ka nxitur të gjithëve që të vijmë këtu. Pra çdo gjë ka lidhje me urdhrat që ka dhënë Allahu në Kuran.

Kushëriri i Ervis Alianjit: Po po.

Almir Daci: Visi nuk ju tregoi se ku ishte. Edhe mua më mbeti tani kjo përgjegjësi, që t’ju tregoj. Të mos ua mbaj të fshehur. Se u vra Visi kjo nuk është për fajin tim, se nesër do vritem edhe unë. Dhe dje u vra edhe Bledi i Gramozit, edhe Bledin unë e mashtrova. Ai ishte në Tiranë dhe unë në Pogradec, prandaj kuptojeni mirë.

Kushëriri i Ervis Alianjit: Poo.

Almir Daci: Unë e di që ju keni të drejtë të mërziteni për Visin, se ai është njeriu tuaj.

Kushëriri i Ervis Alianjit: Po është njeriu jonë, si të mos mërzitemi, nuk kthehet më apo jo

Almir Daci: Por aman nuk mund të jem unë përgjegjës për çdo njeri që është këtu me mua prej Pogradeci apo prej qyteteve të tjera. Mirëpo çfarë tju bëj unë. Kjo është e vërteta.

Kushëriri i Ervis Alianjit: Mili sa kohë ka është vra Visi, po ti a e pe në atë moment?

Almir Daci: Ai u vra nga një shpërthim i fuqishëm dhe nuk u gjet asnjë pjesë e trupit. Dhe ai nuk ka varr as këtu. Çfarë trupi t’ju japim, hë më thuaj ti.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency