Bulevardi i ri i Tiranës / Gjykata Administrative rrëzon vendimin e INUK-t, të rifillojnë punimet

0
132

Përfaqësuesit e INUK-t nuk u paraqitën në Gjykatën Administrative

 Projekti i bulevardit u miratuar nga KRTRR, nga qeveria dhe Këshilli Bashkiak

 

bulevradi1 Gjykata Administrative ka rrëzuar dje vendimin e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik për bllokimin e punimeve për ndërtimin e bulevardit të ri të Tiranës. Ky vendim pritet të sjellë rinisjen e punimeve për ndërtimin e bulevardit. Bashkia e Tiranës pak ditë më parë ankimoi në Gjykatën Administrative vendimin e INUK-t për bllokimin e përkohshëm të punimeve. INUK e argumentonte vendimin me ankesat që ishin bërë nga banorët, për shkak të vlerës së ulët të shpronësimit. Ndërkohë, Bashkia e Tiranës e argumentoi shkresën e INUK-t të pabazuar në ligj dhe nuk kishte argumente ligjore për të bllokuar punimet. Sipas Bashkisë, projekti për ndërtimin e bulevardit është miratuar nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikë së Shqipërisë, nga Këshilli i Ministrave si dhe nga Këshilli Bashkiak i Tiranës. Përfaqësuesit e INUK-t nuk u paraqitën ditën e djeshme në Gjykatën Administrative në momentin që është dhënë vendimi.

 

Bllokimi nga INUK-u

Në shkresën drejtuar Bashkisë së Tiranës rreth 11 ditë më parë, Inspektorati Ndërtimor Urbanistik bllokonte punimet e bulevardit të ri nga stacioni i trenit te lumi i Tiranës. Sipas INUK-t do të bëheshin verifikimet tekniko-ligjore të projektit, për shkak se shumë banorë ishin ankuar pranë këtij institucioni për shpronësimet. Reagimi i Bashkisë së Tiranës ishte i menjëhershëm, duke argumentuar se vlerën e shpronësimit nuk e përcaktonte bashkia, por qeveria. Nënkryetari i bashkisë, Enno Bozdo, u shpreh se ky ishte një bllokim politik me urdhër nga Kryeministri. “Kjo bandë e tritolit e komanduar nga Edi Rama, që shkatërroi qindra objekte prone private, që la pa shtëpi qindra familje në mënyrë antiligjore dhe jonjerëzore, mori përsipër të dilte mbi Gjykatën Kushtetuese, gjykatën supreme të vendit. Ky është një veprim xheloz i një Kryeministri të paaftë, që ka vendosur të kryejë çdo funksion në këtë vend, përveç atij për të cilin është mandatuar”, – u shpreh Bozdo pak ditë më parë.

 

Projekti i bulevardit

Projekti që po zbatohet për bulevardin e ri dhe lumin e Tiranës u hartua nga studioja arkitekturore britanike “Grimshaw Architects”. Ajo është përzgjedhur nëpërmjet një konkursi ndërkombëtar, ku morën pjesë 7 nga studiot më prestigjioze të planifikimit urban dhe arkitekturës. Ndërkaq, firma që do të ndërtojë bulevardin e ri te Tiranës, është “Copri Construcsion Enterprise LLW”, e njëjta firmë që ndërtoi autostradën Tiranë – Elbasan dhe tunelin e Elbasanit. Bulevardi i ri i Tiranës është projekti më i rëndësishëm i 70 viteve të fundit për kryeqytetin. Në fazën e parë të punimeve që nis nga stacioni i trenit, përfshihet edhe një parkim i madh nëntokësor. Kostoja e ndërtimit është 26 milionë euro. Nga zbatimi i projektit të bulevardit të ri të Tiranës preken 204 objekte dhe 38.642 m² truall. Në total janë 262 pronarë të cilët do të shpronësohen nga Bashkia e Tiranës.

 

 

Miratohen paketat

Transplanti i veshkave dhe dializa, ja sa do të kushtojnë

Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ka miratuar paketën e parë për shërbimet shëndetësore të dializës dhe transplantit të veshkave. Gjatë një konference me temë “Paketat shëndetësore, qasje e re e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore për kujdesin ndaj popullatës”, drejtori i Fondit, Astrit Beci, u shpreh se nga këto paketa do të përfitojnë rreth 900 pacientë. “Sipas kostove të përcaktuara drejt, ne do të mbulojmë rreth 900 pacientë, si në spitalet tona publike ku aktualisht mundësohet shërbimi i dializës (QSUT, Shkodër, Gjirokastër dhe Elbasan), ashtu edhe në shërbimin privat”, – tha Beci. Këto paketa u hartuan mbi bazë të kritereve mjekësore, ekonomike dhe sociale, që do të thotë se në hartimin e këtyre paketave, u vlerësua shkalla e ofrimit të shërbimit në ndihmë të përmirësimit të cilësisë së jetës, të shmangies së përkeqësimit të mëtejshëm të shëndetit dhe të rritjes së jetëgjatësisë. i pranishëm në konferencë ishte dhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili tha se këto paketa ofrojnë më tepër siguri dhe shënojnë qartësisht progres. Grupi i punës ka paraqitur një propozim, i cili më pas do të kalojë për miratim në qeveri, për kostot e këtyre shërbimeve.

 

Për transplantin e veshkave:

Janë kostuar ekzaminimet mjekësore pre dhe postoperatore, operacioni dhe ndjekja si dhe shpenzimet indirekte (që janë kostot e mirëmbajtjes dhe shpenzimet administrative). Vlera – 7499 euro (pa TVSH).

 

Për dializën:

Janë kostuar ekzaminimet mjekësore, terapia ditore e trajtimit – me barna dhe materiale mjekësore dhe shërbimi i aparaturës së dializës, si dhe kostot indirekte. Vlera – 71.92 euro (pa TVSH).

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency