Vizita Moore: KQZ-ja duhet të ketë një minimum prej 5 anëtarësh, në mënyrë që të mbajë zgjedhjet

0
56

Ina Jano

berishaKQZ, me anëtarësi të plotë, palët të njohin rezultatin e zgjedhjeve

Berisha: Qeveria zotohet të zhvillojë zgjedhje të ndershme dhe të respektojë rezultatin

Zyrtari i lartë amerikan: Protesta përpara pallatit të Kastritot Islamit. Presioni kundër tij e familjes së tij është i gabuar

 

 

Zgjedhjet e përgjithshme kanë sjellë në Tiranë në një vizitë disaditore drejtorin e Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit zotin Jonathan Moore, i cili ndër të tjera po zhvillon një tur edhe në vendet e rajonit. Pas disa takimeve me anëtarë të ndryshëm të forcave politike në vend, por edhe me ambasadorë të akredituar, në ditën e fundit të qëndrimit në vend, zyrtari i lartë amerikan u shpreh se KQZ-ja duhet që të ketë anëtarësi të plotë, në mënyrë që të funksionojë, duke vlerësuar se ky është institucioni më i lartë në vend dhe përgjegjës për administrimin e zgjedhjeve. Duke shtuar se zgjedhjet e 23 qershorit janë tepër të rëndësishme Moore u shpreh se sytë e SHBA-së për Shqipërinë janë të drejtuara vetëm në procesin zgjedhor dhe se ky është një moment thelbësor për demokracinë në vend. Sipas tij, KQZ-ja mund që të funksionojë edhe me 5 anëtarë.

Deklarata

“Sigurisht, ne do të donim të shihnim anëtarësinë më të plotë të mundshme të KQZ-së. Më thanë se me më pak se pesë anëtarë, nuk do të jetë e mundur të mbahen zgjedhje. Kjo është natyrisht një çështje për secilin anëtar të KQZ-së për të vendosur se si do të veprojnë. Sërish, pasi dëgjova nga udhëheqësit e partive politike, si të qeverisë dhe të opozitës, që ata duan zgjedhjet të ndodhin në kohën e caktuar në 23 qershor dhe kjo nënkupton që përpjekjet duhet të bëheshin për të siguruar anëtarësi të plotë të KQZ-së. KQZ-ja, mesa kuptoj, duhet të ketë një minimum prej pesë anëtarësh në mënyrë që të mbajë zgjedhjet”, – bëri me dije Moore. Me superlativa ai është ndalur edhe në kontributin që jep vendi ynë në organizma të nivelit të lartë si NATO apo edhe partneriteti i fortë që Shqipëria ka me SHBA-në. Por duke u rikthyer përsëri te procesi zgjedhor, drejtori i Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore në DASH tha se të gjitha zhvillimet janë duke u monitoruar nga ambasada në vend, ndërsa ritheksoi se zëri i Arvizusë është zëri zyrtar i SHBA-së. “Ne jemi shumë të zhgënjyer dhe të shqetësuar që kishte presion të drejtpërdrejtë nga protestues para shtëpisë së një anëtari të parlamentit. Presioni kundër tij e familjes së tij është i gabuar”, – theksoi zyrtari i lartë amerikan, referuar protestës që dy ditë më parë të rinjtë e FRESSH-it realizuan përpara shtëpisë së deputetit

Takimi

Edhe Kryeministri u takua me zotin Moore dhe e siguroi atë për angazhimin e palëkundur të tij dhe të mazhorancës së udhëhequr prej tij për çuarjen përpara të të gjitha reformave të nevojshme për integrimin e Shqipërisë në BE. Berisha i deklaroi zotit Moore se qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka për standardet më të larta në zgjedhjet e 23 qershorit dhe se do të pranojë rezultatin e dalë prej këtyre zgjedhjeve. Ai nënvizoi se besimi për procesin zgjedhor bazohet në një kornizë ligjore plotësisht konsensuale dhe në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare, një infrastrukturë zgjedhore moderne dhe përgatitje solide. Kryeministri Berisha nënvizoi se balancimi politik i KQZ dhe të gjithë administratës zgjedhore është guri i themelit që ka çuar në përmirësimin shumë të madh të procesit zgjedhor që nga viti 2005 gjeri sot dhe se ruajtja e këtij parimi si dhe integriteti i çdo anëtari ka rëndësi themelore për mbarëvajtjen dhe besimin e të gjitha palëve në proces. Në këtë kuadër kryeministri Berisha shprehu shqetësim për politizimin e mëtejshëm nga zoti Rama të çështjes së KQZ nëpërmjet tërheqjes së dy anëtarëve dhe shprehu shpresën se Partia Socialiste do të plotësojë brenda afateve ligjore anëtarësinë e KQZ. Në takim bashkëbiseduesit ndanë shqetësimin e presioneve të papranueshme politike të ushtruara mbi deputetin Kastriot Islami dhe familjen e tij.

 

 

Berisha takon raporterët e KE-së

Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim me raporterët e Asamblesë Parlamentare të KiE-së, Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco, të cilët ndodhen në Shqipëri për të vlerësuar përgatitjet për procesin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të 23 qershorit. Kreu i qeverisë vlerësoi bashkëpunimin dhe ndihmën që Këshilli i Evropës i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve, në te gjitha aspektet dhe në veçanti për sa i përket konsolidimit të standardeve të larta të demokracisë. Raporterët e Asamblesë parlamentare të KiE-se, Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco theksuan se qëllimi i tyre në këtë vizitë është të vlerësojnë se si faza përgatitore e zgjedhjeve ka ecur deri tani. Më tej, në takim u diskutua mbi infrastrukturën zgjedhore dhe masat për një proces sipas standardeve ndërkombëtare. Kryeministri i bëri me dije atyre se arritjet e rëndësishme që janë shënuar gjatë kësaj periudhe, duke filluar nga kuadri ligjor tërësisht i përditësuar, duke implementuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR, bazuar tërësisht mbi propozimet e opozitës shqiptare. “Shqipëria ka sot sistemin më të mirë e më të sigurt që ekziston për numërimin e votave, i cili përbën një garanci të jashtëzakonshme që rezultati që do të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit do të reflektojë besnikërisht vullnetin e qytetarëve. Këto arritje janë një garanci solide për zhvillimin e një procesi zgjedhor konform standardeve ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira e të ndershme”, – pohoi lideri i qeverisë. Berisha i siguroi raporterët e Asamblesë Parlamentare të KiE-së, Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco se qeveria shqiptare është tërësisht e vendosur për të realizuar në Shqipëri zgjedhjet më të mira të realizuara gjatë dy dekadave të fundit konform standardeve ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe u kërkoi atyre të ushtrojnë të gjithë influencën ë tyre që në Shqipëri të vijnë sa më shumë vëzhgues ndërkombëtarë për të vëzhguar nga afër procesin e zgjedhjeve.

 

 

Vendimi

Ndryshon burimi i fondit për kompensimin e pronave

Me një vendim të marrë dje në Këshillin e Ministrave, qeveria ka vendosur që të ndryshojë ligjin për kompensimin e pronave. Më konkretisht me amendimet e bëra dje, të propozuara nga qeveria, ndryshojnë burimet e fondit special të kompensimit të pronave. Deri më tani burimet e fondit special të kompensimit të pronave kanë qenë të ardhurat e realizuara nga shitja me ankand e pasurive shtetërore, për të cilat nuk ka vendim të dhënë nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave, në masën 65 për qind të vlerës së shitjes për objektet dhe 100 për qind të vlerës së shitjes për truallin, ndërsa me ndryshimet e djeshme ajo që do të kalojë në masën 20-65 për qind të vlerës së shitjes për objektet, në varësi të shumës që është shlyer në lekë. Vendimi nuk do të kalojë në procedurën normale për hyrjen në fuqi prej 15 ditësh, por do ta ketë të menjëhershëm hyrjen në fuqi.

 

Ishte

“Të ardhurat e realizuara nga shitja me ankand e pasurive shtetërore, për të cilat nuk ka vendim të dhënë nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave, në masën 65 për qind të vlerës së shitjes për objektet dhe 100 për qind të vlerës së shitjes për truallin”

Bëhet

“Të ardhurat e realizuara nga shitja me ankand e pasurive shtetërore, për të cilat nuk ka vendim të dhënë nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave, në masën 20 deri në 65 për qind të vlerës së shitjes për objektet, në varësi të shumës që është shlyer në lekë”

 

Qeveria ndjek me vëmendje zhvillimet Kosovë-Serbi

Në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave është bërë publike dje deklarata e kreut të qeverisë, zotit Berisha, në lidhje me situatën që është duke u zhvilluar mes Kosovës dhe Serbisë, për çështjet e dialogut mes tyre. “Kryeministri Berisha po ndjek me shumë interes vijimet pozitive të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe mirëpret arritjen e marrëveshjes. Marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë është një arritje e madhe jo vetëm për këto dy vende fqinj, por edhe për të gjithë rajonin. Ajo u hap rrugën proceseve të bashkëpunimit dhe integrimit rajonal dhe shpejton integrimin evropian të tyre”, – thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit të Ministrave.

 

Afati i përdorimit të bonove, deri në dhjetor të 2014-ës

Ashtu siç kishte lajmëruar një javë më parë edhe vetë zoti Berisha, dje qeveria miratoi ndryshimet për afatin e përdorimit të bonove të privatizimit dhe gjithashtu dyfishimin e përqindjes së përdorimit të tyre. Këshilli i Ministrave ka vendosur që propozimet të kalojnë në Kuvend për shqyrtim dhe gjithashtu të kenë një procedurë të përshpejtuar. Menjëherë ka ardhur dhe reagimi i Parlamentit, i cili ka vendosur që pas 15 ditësh të hyjnë në fuqi ndryshimet. “Ne edhe njëherë shtyjmë aftët e përdorimit për dy vjet të letrave me vlerë dhe dyfishojmë përqindjen e përdorimit të tyre në të gjitha destinacionet e miratuara deri tani. Kjo bëhet me qëllim që të valorizohet edhe më tej dhe unë ftoj qytetarët që ti përdorin ato në tregun e letrave me vlerë dhe të mos i mbajnë se ky është një shans real që qeveria krijon për përdorimin e tyre. Edhe njëherë ju rikujtoj se letrat me vlerë nuk janë lekë, por janë letra me vlerë dhe tregu i tyre është treg i lirë, ndaj dhe është mirë ti përdorin sipas interesit të tyre ekonomik”, – tha Berisha gjatë fjalës së tij.