Zbardhet kërkesa/ Nisma në Kuvend, mazhoranca kërkon kontrollin e SHISH-it. PD: Po cenoni sigurinë kombëtare

0
92

Gëzim Saliu

 

Propozimi: Komision parlamentar me 5 deputetë që do të kryejnë kontrollin tek mjediset e SHISH-it

 Noka: Kërkesa e pabazuar në ligj, akt i paprecedentë. Lutaj: Mos ngatërro minierat me sigurinë

 

 

komisioni i sigurise Mazhoranca zyrtarizon nismën për të kontrolluar Shërbimin Informativ Shtetëror. Deputetët e PS-së depozituan dje kërkesën në Kuvend përmes së cilës propozojnë ngritjen e një komisioni parlamentar për të kontrolluar nga afër ligjshmërinë e veprimeve të SHISH-it, si edhe udhëzimin për përgjimin e punonjësve të Policisë së Shtetit. Sipas kërkesës, komisioni do të përbëhet nga 5 anëtarë, 3 nga mazhoranca dhe 2 nga opozita dhe ai do të kërkojë verifikimin e ligjshmërisë të Shërbimit Sekret dërguar drejtorive të SHISH-it, ku kërkohet informacion mbi persona të implikuar në veprimtari antiligjore te emëruar në pozicione drejtuese në Policinë e Shtetit si dhe të gjitha veprimet apo mosveprimet e ndërmarra nga SHISH në zbatim të kësaj kërkese. Kërkesa e firmosur nga deputeti socialist Piro Lutaj jep arsyet edhe për nismën në kuvend për grupin e kontrollit ku thuhet: “Nisur nga fakti se në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë nuk u morën përgjigje për shkak të mospasjes së certifikatës së sigurisë nga kreu i SHISH për t’u njohur me dokumentacionin sekret, është e nevojshme kryerja e kontrollit në ambientet e këtij shërbimi”.

 

Reagimet

Ndaj nismës së ndërmarrë nga mazhoranca në Kuvend për ngritjen e komisionit parlamentar për të kontrolluar SHISH-in ka reaguar dje nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka, i cili ka cilësuar kërkesën si tërësisht të pabazuar në ligj. “Kërkesa e paraqitur nga mazhoranca sot (dje) pranë Komisionit të Sigurisë për kontrollin e SHISH-it është tërësisht e pabazuar në ligj. Ky akt i paprecedentë marrëzie është përpjekje për të dhunuar dhe vënë nën kontroll partiak institucionet e pavarura si SHISH dhe që cenon dhe trondit sigurinë kombëtare”, – tha Noka. Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar edhe deputeti i PS-së, Piro Lutaj, i cili ka firmosur kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor, duke pohuar: “Noka të mos ngatërrojë çështjen e minierave me sigurinë”. I pyetur nëse akuzat ndaj SHISH-it dhe kreut të tij për mosbashkëpunim për shpërthimet me tritol, por edhe për përgjimin e drejtuesve të policisë synojnë shkarkimin e Visho Ajazit, Lutaj tha për TCH se, : “Kompetencat e komisionit parlamentar hetimor shkojnë deri në verifikimin e problematikës. Këtu nuk ka asnjë veprim paragjykues. Thjesht nuk mund të pranojmë që SHISH-i të shmanget nga misioni i tij”. Pak ditë më parë, mazhoranca dhe opozita u përplasën mes tyre në Komisionin parlamentar të Sigurisë, ku u shty mbledhja për shkak se sipas deputetëve të majtë kreu i SHISH-it nuk kishte certifikatën e sigurisë. Nga ana e tyre, deputetët e PD-së e kanë cilësuar këtë veprim të mazhorancës si një akt që kërkonte që Visho Ajazi të mos raportonte në komision lidhur me çështjet e sigurisë dhe rendit në vend. Pas shtyrjes së mbledhjes, në takimin e radhës në Komision, deputeti socialist Lutaj bëri të ditur se mazhoranca do të ngrejë një grup deputetësh për të mbikëqyrur veprimtarinë e Shërbimit Informativ Shtetëror. Sipas mazhorancës lënia në mes e një praktikë që lidhet me raportimin e drejtorit të SHISH-it, Visho Lika, “detyron” që një grup deputetësh të Komisionit të shkojnë e të verifikojnë problemet e ngritura para shtyrjes së seancës me kreun e këtij institucioni. Ky qëndrim i mazhorancës u cilësua si një vendim i njëanshëm nga ana e opozitës, e cila theksoi se nëse do të ndërmerrej një veprim i tillë, anëtarët e djathtë do të rishikonin marrëdhëniet me Komisionin e Sigurisë.

 

 Mazhoranca kërkon ndryshimin e SHISH-it

 Mazhoranca prej më shumë se një muaj ka bërë publike përmes përfaqësuesve të lartë të saj kërkesën për rishikimin e skemës së funksionimit të Shërbimit Informativ Shtetëror. Ishte Kryeministri Rama, i cili në një prej seancave parlamentare, paralajmëroi reformimin tërësor të SHISH-it. “Niveli i shërbimeve inteligjente shqiptare, jo vetëm i SHISH-it që ngrihet mbi një ligj të vitit ‘98, që nuk përmbush më nevojat për të përballur sfidat e kohës, duhet ngritur në një shkallë tjetër. Edhe këtu lypset një reformë tërësore, ligjore edhe organizative, e cila ka filluar, siç ka filluar edhe strategjia e re e Sigurimit Kombëtar”, – deklaroi Rama. Po ashtu edhe deputetë të tjetër të mazhorancës kanë kërkuar një rishikimin e skemës së funksionimit të SHISH, ku përkatësisht Pjerin Ndreu ka theksuar se ky institucion duhet reformuar. Nga ana e saj, opozita i ka cilësuar si sulme ndaj institucioneve të pavarura, qëndrimet e mazhorancës ndaj Shërbimit Informativ Shtetëror.

 

 

Vizita

Bushati në Kosovë, takim me Jahjagën, Thaçin e Krasniqin

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, u nis dje për një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës pas ftesës së homologut të tij Enver Hoxhaj. Në programin e kësaj vizite, veç bisedimeve zyrtare ndërmjet dy ministrave të Punëve të Jashtme, pritet që ministri të zhvillojë takime të veçanta me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, Kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, Kryeministrin Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministrin, Slobodan Petroviç. Gjithashtu, kryediplomati i Shqipërisë do të zhvillojë takime edhe me drejtues të partive parlamentare në Kosovë, si dhe me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Në kuadër të kësaj vizite, Bushati do të mbajë një ligjëratë në Akademinë Diplomatike të Kosovës dhe do të zhvillojë veprimtari në nderim të figurave të rëndësishme të Republikës së Kosovës.

 

 

Takimi

Leskaj me Cohen: Rritje të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Izraelit

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri – Izrael, Valentina Leskaj zhvilloi dje një takim me Ambasadorin e Izraelit në Shqipëri, David Cohen. Në takimin ku Leskaj shoqërohej nga deputetët Florion Mima dhe Besnik Bare, anëtarë të Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri – Izrael u theksua nevoja e forcimit të marrëdhënieve mes dy parlamenteve dhe bashkëpunimit në fushat me interes reciprok, veçanërisht në fushat e bujqësisë, turizmit. Në vijim të bisedës, Leskaj vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera  politike mes Shqipërisë dhe Izraelit e ndërsa ambasadori Cohen e ftoi Leskaj që së bashku me Grupin Parlamentar të Miqësisë Shqipëri – Izrael, së shpejti të zhvillojnë një vizitë zyrtare në Izrael. Dy bashkëbiseduesit u ndalën gjatë takimit edhe në intensifikimin e mëtejshëm të  bashkëpunimit parlamentar mes dy vendeve.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency