Në supermasa sigurie/ Rekrutimi i myslimanëve për në Siri, Gjykata lë në burg 4 nga të akuzuarit

0
189

Sonja Caka

 

Sot masa për 4 të arrestuarit e tjerë. Pas protestës para Gjykatës, në “Facebook”, mbështetësit bëjnë thirrje për protestë para Kryeministrisë

 

mbeshtetes te te arresturve per terrorizemNë supermasa sigurie është gjendur dje Gjykata e Krimeve të Rënda si gjatë orëve të paradites, ashtu edhe gjatë orëve të mesditës kur ishte parashikuar zhvillimi i masave të sigurisë për 4 nga 8 të arrestuarit për rekrutim të myslimanëve për në Siri. Forca speciale të RENEA-s dhe FNSH-së ishin vendosur para dhe pas mjediseve të kësaj Gjykate, për shkak edhe të grumbullimit të një numri të madh mbështetësish të të arrestuarve gjatë orëve të paradites. Madje, prej tyre ka pasur një protestë lidhur me arrestimet e kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me policinë e Tiranës. Më pas ata janë larguar për t’u rikthyer sërish në mesditë, në kohën kur 4 nga të arrestuarit u shoqëruan për në Gjykatë, për t’u njohur me akuzat dhe masën e arrestit të marrë në mungesë. Përgjatë gjithë kësaj kohe, Gjykata ka qenë e rrethuar me punonjës policie civilë dhe me uniformë, të cilët janë ndihmuar nga kolegët e tyre të forcave speciale për të shmangur ndonjë problem me mbështetësit e të arrestuarve.

 

Seanca

Në mesditë, në orën 15:00, dy makina policie shoqëruan për në brendësi të Gjykatës 4 nga të arrestuarit. Me gishtin drejtuar në qiell, simbolikën që mbrohen nga Allahu, ata përshëndetën nga furgoni familjarët dhe mbështetësit që ndodheshin para Gjykatës. U zhvillua me dyer të mbyllura, pasi Gjykata vendosi të mos pranonte as media dhe as familjarë brenda mjediseve të Krimeve të Rënda. Masat ishin marrë në mungesë nga vetë kreu i kësaj Gjykate, z. Sandër Simoni, ndërsa akuza u përfaqësua nga prokurorja Elisabeta Ymeri. Nga burime pranë Gjykatës mësohet se katër të arrestuarit janë asistuar nga avokatë kryesisht pasi nuk kanë pranuar të mbrohen, duke u shprehur se i mbron Allahu. Dje u njohën me masën dhe kushtet e zbatimit të saj të arrestuarit Genc Balla, Bujar Hysa, imam Zeqir Ymeri dhe Fadil Myslimani, për të cilët Gjykata në fund të fjalës së prokurores, avokatëve kryesisht dhe vetë pretendimeve të tyre, vendosi t’i linte në burg. Katër të arrestuarit, të cilësuar edhe si organizatorë të rekrutimeve për në Siri, mësohet se nuk kanë pranuar akuzat para Gjykatës, ndërkohë që 4 të arrestuarit e tjerë, Edmond Balla, Verdi Morava, Astrit Tola dhe Orion Reçi pritet të dalin sot para Gjykatës. Nga burime pranë akuzës mësohet se prokurorët e çështjes kanë në dorë disa video-mesazhe të hedhura në Youtube dhe një botim, që nxit urrejtjen fetare, të cilat japin një ide më të qartë të veprimtarisë së të arrestuarve.

 

Operacioni

Tetë personat e arrestuar akuzohen se kanë rekrutuar njerëz për t’i dërguar më pas për të luftuar në Siri. Më 11 mars 2013 policia arrestoi 8 persona, ndërsa shpalli në kërkim 5 të tjerë nën akuzën e krijimit të celulave të rekrutimit të besimtarëve myslimanë për të luftuar me grupet e opozitës në Siri. Në pranga ranë Genci Balla, Bujar Hysa, Edmond Balla, Zeqir Imeri, Verdi Morava, Fadil Muslimani (Dervishi), Astrit Tola, Orion Reçi ndërsa janë në kërkim Gerti Pashja, Shkëlzen Dumani, Shyqyri Kaca, Almir Daci, Medi Manallari. Operacioni për kapjen e tyre u zhvillua në 4 qytete të vendit, në Tiranë, Elbasan, Pogradec dhe Librazhd, ndërsa të arrestuarit janë Genci Balla, i vetëshpallur imam i xhamisë së Unazës së Re në Tiranë, Bujar Hysa, i vetëshpallur imam i xhamisë së Mëzezit dhe shtetasit Edmond Balla, Zeqir Ymeri, Verdi Morava me rolin e financuesit, Fadil Myslimani dhe Astrit Hajdar Tola në rolin e ndihmësit. Sipas Prokurorisë të Krimeve të Rënda të gjithë këta persona akuzohen për veprat penale të “Rekrutimit të personave me qëllim kryerjen e veprimeve terroriste”, të “Nxitjes, thirrjes publike dhe propaganda për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste” dhe të “Nxitjes së urrejtjes ose e grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve”.

 

Akuza

Sipas Prokurorisë, shtetasit Genci Balla dhe Bujar Hysa, të cilët ushtrojnë aktivitet fetar ilegal, të palegalizuar në zonën e Unazës së Re dhe në fshatin Mëzez, Tiranë, dyshohet se kanë kryer veprime aktive për indoktrinuar persona të ndryshëm me ideologji radikale, për t’u angazhuar më pas në luftime në përbërje të grupeve terroriste ekstremiste që janë nën sanksione nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Ndërsa shtetasit Edmond Balla dhe Verdi Morava dyshohet se kanë kryer veprime konkrete për dërgimin e disa shtetasve shqiptarë në Siri, 3 të tjerët Fadil Musulmani, Zeqir Imeri dhe Astrit Tola dyshohet se kanë kryer veprime aktive për të ndihmuar organizatorët në rekrutimin dhe më pas dërgimin e disa shtetasve shqiptarë në Siri.

 

Thirrje për protestë nesër para Kryeministrisë

 Ndërkohë, përveçse u mblodhën para Gjykatës, mbështetësit e 8 myslimanëve të arrestuar pak ditë më parë, bëjnë thirrje për protestë. Në një postim në faqen e “Facebook”-ut “Kundër arrestimit të Hoxhës Abdurrahim Balla” u bëhet thirrje të gjithë besimtarëve që të dalin nesër pas faljes në protestë para Kryeministrisë. “U bëjmë thirrje gjithë vëllezërve nga Tirana të dalin në shenjë proteste kundër arrestimit të vëllezërve tanë nga policia!”, – thuhet në njoftim.

 

 

Rekrutimet në Siri

 Qeveria: Me SHBA-në dhe NATO-n, luftë fenomenit. Emiratet e Bashkuara: Ja problemet që sjell

Qeveria shqiptare është e vendosur të dënojë dhe të mos tolerojë pjesëmarrjen e shqiptarëve në luftën e Sirisë. Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati bëri të ditur dje se ekzekutivi së bashku me aleatët e tij do të luftojë në mënyrë të drejtpërdrejtë fenomenin. “Qeveria shqiptare, besoj të gjitha qeveritë që kanë drejtuar Shqipërinë në këtë periudhë, kanë treguar një vullnet të qartë politik për ta luftuar këtë fenomen. Aleanca jonë me partnerin strategjik, me SHBA-në në këtë drejtim, qenia jonë anëtar i NATO-s na detyron ta luftojmë në mënyrë të pamëshirshme këtë fenomen”, – tha Bushati në konferencën për shtyp me homologun nga Emiratet e Bashkuara Abdullah Bin Zayed Al Nahyan. Ky i fundit e konsideroi të gabuar rekrutimin e të rinjve dhe dërgimin e tyre për të luftuar në konfliktin në Siri. “Personat që kanë marrë pjesë në konflikte të tilla të armatosura në vende të tjera, pas kthimit në vendet e tyre ata kanë qenë persona që kanë përbërë shqetësim të veçantë për popullin dhe qeverinë e tyre. Duhet ta luftojmë nga ana ideologjike këtë fenomen. Është më se e nevojshme që të gjithë të kenë një pjesë konkrete në sensibilizimin e opinionit publik. Fatkeqësisht, gjejmë në këtë kohë ekzistencën e disa shteteve që nxisin dhe promovojmë dërgimin dhe infiltrimin në organizatat ekstremiste”, – tha ai.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency