Të bëhet Kinostudio në një muze!

0
111

SOS – edhe i vetmi objekt i mbetur i Kinostudios ka rrezik të zhduket

 

Abaz Hoxha*

 

ish kinostudioNga burime të ndryshme merret vesh se objekti i mbetur i Kinostudios, sot “Albafilm”, po bëhen përpjekje për ta privatizuar dhe për ta përdorur për qëllime të tjera abuzive jashtë destinacionit.

Si një nga themeluesit e kinematografisë, si një studiues dhe historian i kinemasë, pedagog i disa brezave, si kuadri i parë me arsim të lartë i saj, si kryeinxhinieri i parë që jam marrë me ngritjen e të gjitha objekteve te kinematografisë që nga fillimi, si të prodhimit ashtu edhe të rrjetit të gjerë të kinemave që u ngritën në Shqipëri, dhe sidomos si themelues, organizator dhe drejtues i Arkivit Qendror të Filmit ku ruhet një pasuri e jashtëzakonshme që ka të bëjë përgjithësisht me historinë e vendit, ndihem i indinjuar në rast se do të viheshin në zbatim përpjekje të tilla për zhdukjen edhe të vetmet objekte që ende sot ekziston në fushën e kulturës. Them të vetmet, mbasi janë zhdukur dhe po zhduken gradualisht të gjitha objektet që kanë të bëjnë me kinematografinë dhe historinë e saj duke krijuar idenë e një vendi antikulturë dhe pa asnjë traditë.

Një krim i shëmtuar ishte prishja e kinemasë së parë të ndërtuar në Shqipëri që në vitin 1925-26, siç ishte kinema-theatër “Nacional”, më vonë “17 Nëntori”, kur vende të zhvilluara si Austria ruajnë si muze në qendër të Vjenës kinemanë e parë të ndërtuar atje. Po kështu u prish kinema “Partizani”, kinemaja e parë e ndërtuar pas çlirimit 1955, nuk u duken as gjurmët kinemave të ndërtuara në qytete të ndryshme të Shqipërisë në Tiranë, Elbasan, Fier, Lushnjë, Berat, Vlorë, Gjirokastër, Krujë, Lezhë, Skrapar Shkodër, Pukë, Librazhd, Sarandë, Delvinë, Bilisht e shumë të tjerave.

U shkatërruan dhe u përdorën për skrap disa dhjetëra aparatura lëvizëse dhe autokinema që jepnin shfaqje filmash në të gjitha skajet e vendit. Rrjeti kinematografik në Shqipëri u shpërbë plotësisht, kinematë u kthyen në qendra bixhozi, bingo dhe biznese të tjera, por jo për shfaqje filmash. Është një fatkeqësi e madhe dhe një revansh antikulturë kur çdo gjë po shpërbëhet kur figura tona të shquara të gazetarisë, letërsisë dhe shtypit që në fillim të shekullit të kaluar bënin thirrje që çdo bashki e madhe ose e vogël, sipas mundësive ekonomike të ngrinte një kinema për ta tërhequr brezin e ri nga mjediset e korrupsionit, mejhanet e kumarhanet dhe ta drejtonin drejt kulturës dhe progresit. Është paradoksale që vetëm Shqipëria ndër vendet ish-socialiste nuk ka një rrjet kinemash kur shtete e tjera jo vetëm që nuk e kanë shpërbërë, por e kanë fuqizuar dhe modernizuar rrjetin kinematografik. Bullgaria jo vetëm që nuk e shkatërroi, por e fuqizoi qendrën e prodhimit të filmave, duke vendosur teknikën e re dhe sot përdoret jo vetëm për prodhimin e filmave vetjakë, por edhe si një servis për shoqëri të ndryshme kinematografike evropiane e më gjerë, duke sjellë të ardhura të mëdha që subvencionojnë prodhimin e filmave.

Çfarë ndodhi tek ne? Kinostudioja “Shqipëria e re” u shkatërrua plotësisht dhe nuk i duken as gjurmët dhe mbasi u shkatërrua iu dha bizneseve private për një copë bukë ndërsa kineastët shqiptarë që janë ende në aktivitet, qëndrojnë pas arkave të bananeve duke pritur që të marrin ndonjë subvencionim që të bëjnë ndonjë film. Vetë territori dhe objektet e kinostudios në një sipërfaqe të madhe do të ishin një burim i madh të ardhurash që prodhimit kinematografik në vend të mos i jepeshin nga shteti subvencione qesharake rreth 500.000 euro në vit që nuk mjaftojnë për xhirimin e vetëm një apo dy filmave, kur komshinjtë tanë të Maqedonisë subvencionojnë me rreth 1.000.000 euro në vit vetëm për Arkivin e Filmit. Kinematë janë një shërbim publik për kulturën dhe në vende të zhvilluara si Norvegjia janë rreth 50-60% pronë e bashkive, janë kinematë më të mira dhe me të ardhurat e tyre subvencionojnë edhe prodhimin e rreth 12-14 filmave për fëmijë që është një traditë e tyre për edukimin e fëmijëve me historinë, traditat, legjendat, përrallat dhe virtytet kombëtare. Po përgatiten studentë në fushën e teatrit, kinematografisë, muzikës etj. Kush do t’i ndihmojë këtë brez të ri për xhirimin e filmave.

Edhe po të xhirohen filmat përse do t’i xhirojmë kur ata shfaqen vetëm ne veprimtaritë ndërkombëtare se rrjeti i kinemave tona është inekzistent.

Por le të hidhemi tek problem që u ngrit në fillim. Përse kjo kinostudio të mos shpallet një monument kulture, të shndërrohet në një muze të kinemasë shqiptare që është shume e përshtatshme për një objekt të tillë.

I them këto se edhe Arkivi sot është i pa mbrojtur dhe në mëshirën e fatit pa roje e sistem sinjalizimi që ishin planifikuar që në ndërtimin e tij. Në të gjitha vendet ka një muze të kinemasë dhe ne edhe atë që e kemi duam ta shkatërrojmë, ku po shkojmë, ku po shkon kultura shqiptare?

I bëj thirrje Ministres së Kulturës që jo vetëm të ndalojë privatizimin për qëllime abuzive të objektit të kinostudios por të ndërhyjë që edhe pjesa prapa kinostudios/ ish studio e zërit/ ti rikthehet asaj dhe të ngrihet një muze i kinematografisë shqiptare. Përveç kësaj Ministria e Kulturës duhet të ndihmojë me fonde për ngritjen e këtij muzeu. U drejtohem të gjithë kineastëve shqiptarë, regjisorëve, operatorëve, piktorëve, kompozitorëve dhe aktorëve tanë të shquar dhe dashamirësve të këtij arti magjepsës që të ndërhyjnë për të mos lejuar që edhe ky objekt i vetëm që tashmë ka mbetur për kinematografinë të mos zhduket. I bëj thirrje Bashkisë së Tiranës, që edhe ajo të vërë dorë për të mos e zhbërë këtë monument kulture.

 

 

*Studiues dhe historian i kinemasë

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency