Protesta/ Opozita braktis seancën plenare, deputetët i bashkohen protestës para Parlamentit

0
120

Florenc Drizari

 

“Do të keni të gjithë mbështetjen e opozitës, kudo që të jeni”

 

parlamenti pa opoziten 2014 sakte gjitheperfshiresePara se Kuvendi i Shqipërisë të fillonte punimet në seancë planare, qindra qytetarë të shkarkuar nga puna në administratën publike protestuan para ambienteve të këtij institucioni, duke kërkuar rikthimin në vendet e tyre të punës. Më pankarta në duar ku shkruhej “Na mashtruat”, “Ku ma ke konkursin”, “Deputet mos shkel ligjin”, protestuesit u kërkuan deputetëve zbatimin e ligjit të nëpunësit civil. Një pjesë e tyre kërkoi të ndiqte edhe punimet e Kuvendit të Shqipërisë. Protesta e djeshme u zhvillua pa incidente, ndërkohë që qytetarëve iu bashkuan për një kohë të shkurtër edhe deputetët e opozitës.

Kreu i grupit të PD-së, Edi Paloka, por edhe ligjvënës të tjerë të djathtë, e cilësuan të drejtë protestën e ish-punonjësve të administratës. Deputetja Majlinda Bregu u tha protestuesve se do të kenë mbështetjen e opozitës, kudo që ata do të jenë. “Ata të cilët nuk interesohen për të drejtat e qytetarëve, për jetën e qytetarit ata nuk meritojnë që ta drejtojnë këtë vend asnjë orë. Ne do t’ju mbështesim çdo ditë çdo orë, në çdo moment tuajin, kudo që të jeni”, – u shpreh Bregu. Ndërkohë, pak ditë më parë qeveria u hoqi shpresat të shkarkuarve nga puna në administratë për një rikthim, pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese të aktit normativ për nëpunësin civil. Sipas ministres për Inovacionin dhe Administratën, Milena Harito, kjo gjë është e pamundur, pasi largimet nga puna këta 3 muaj nuk kanë shkelur asnjë ligj, po ashtu dhe emërimet e reja.

Paralel me protestat e qutatarëve në sheshin para Kuvendit të Shqipërisë, deputetët e opozitës protestuan në sallën e Parlamentit për shkarkimet nga puna në administratë, ku fokusi ishte rasti i fundit me kreun e ILDKP-së. Ish-kryeparlamentarja Topalli kërkoi që një pjesë e përfaqësuesve të protestës të merrnin pjesë në mbledhjen e Parlamentit në vendet ku ulen qytetarët, por kjo nuk u pranua në Kryeparlamentari Ilir Meta. Seanca e djeshme zhvilloi punimet në një atmosverë të ndezur debatesh që shkuan deri në shkëmbime akuzash.

Fillimisht deputetët e opozitës kërkuan të bllokojnë punimet e Kuvendit, duke tentuar moslejimin fjalimeve të kolegëve të mazhorancës. Ata u ngritën në këmbë në shenjë proteste, duke goditur tavolinën, ndërsa deputeti i PS-së Armando Subashi ishte duke shpjeguar shkaqet, që sipas tij, çuan në lirimin nga detyra të ish-kryeinspektores së ILDKP-së Zana Xhuka.

“Zonja nuk plotësonte kriteret taksative që kërkonte ligji. Duhet të jetë ekonomiste financiare ose juriste, duhet të kishte 10 vjet në profesion, ajo nuk i kishte. Nuk ka asnjë shkelje të rregullores, kuvendi ka qenë në të drejtën që i njeh rregullorja.”- deklaroi Subashi.

Në deklaratat e tyre deputetët e djathtë theksuan se nuk kanë nbojkotuar Kuvendin e Shqipërisë, por seancën planare për t’i dhënë një mesazh koalicionit të majtë për të reflektuar.

Në vijim të seancës së djeshme pa praninë e opozitës, Kuvendi miratoi me 74 pro projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e Vjenës “Për të drejtën e traktateve midis shteteve dhe organizatave ndërkombëtare ose midis organizatave ndërkombëtare”, 1986” dhe me 77 vota pro projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë, për realizimin e “Programit të ndihmës së integruar për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare”

 

 

 Paloka: Nuk bojkotojmë Kuvendin

Pas braktisjes së seancës së djeshme plenare nga deputetët e opozitës, kryetari i grupit parlamentar i Partisë Demokratike shpjegoi se pakica parlamentare nuk ka një vendim për bojkotin e institucionit të Kuvendit. Sipas tij, opozita do ta vazhdojë betejën parlamentare dhe do t’i kërkojë mazhorancës të rikthejë ligjshmërinë e institucionit të Kuvendit të Shqipërisë. Këtë qëndrim Paloka e lidhi me shkarkimin e bërë një javë më parë ndaj kreut të ILDKP-së.

“Ne do të jemi në parlament gjithë kohës për t’i kërkuar kësaj mazhorance që të kthehet ky Parlament brenda ligjshëmrisë. Absolutisht nuk kemi vendim për t’u larguar nga Parlamenti, por mesa duket me këtë arrogancë që kjo mazhorancë që po vepron ndaj opozitës, ndaj atyre që i ka bllokuar bukën e gojës, shoferëve të furgonave, me atë arrogancë që vepron ndaj atyre qindra njerëzve që protestojnë këtu dhe bizneseve, duke shkelur ligj, Kushtetutë, duke mos pyetur as për vendimet Gjykatës dhe kërkesat e Bashkimit Evropian, ndërkohë që Parlamenti është i pari”,-deklaroi Paloka.

 

DASH: Korrupsioni shqetësim kryesor në Shqipëri

Departameti Amerikan i Shtetit thekson në një raport se problemet kryesore në Shqipëri në fushën e të drejtave të njeriut, kanë të bëjnë me korrupsionin e përhapur në të gjitha degët e qeverisë, veçanërisht në sistemin e drejtësisë. Në raportin e tij të përvitshëm për gjendjen e të drejtave të njeriut në botë, Departamenti i Shtetit thekson se ndër problemet e tjera kryesore në Shqipëri gjatë vitit 2013 kanë qënë bllokimi i reformave, veçanërisht bllokimi i luftës kundër korrupsionit, ndërsa partitë politike e përqëndruan vëmendjen në zgjedhjet e Qershorit. Pandëshkueshmëria, thuhet në raport, është një tjetër problem. Përpjekjet e qeverisë për të ndëshkuar zyrtarë që kanë kryer shkelje kanë qënë sporadike dhe jo të vazhdueshme. Zyrtarët qeveritarë dhe politikanët, si dhe gjykatësit dhe ata me interesa të fuqishme biznesi, shpesh i kanë shpëtuar drejtësisë. Disa zyrtarë më të vegjël janë ndëshkuar për shkelje. Disa zyrtarë qeveritarë, që ishin përfshirë qartazi në raste abuzimesh, u hoqën nga postet e mëparshme dhe u vendosën në poste të tjera qeveritare, pa asnjë lloj ndëshkimi.  Shkelje të tjera serioze për Shqipërinë në fushën e të drejtave të njeriut,  sipas raportit, janë dhuna në familje dhe diskriminimi i grave.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency