Ne, viktima të inateve dhe sedrës!

0
146

teater_1Robert Ndrenika i refuzon kamerat dhe diktofonët e nxituar të medias. Hyn vonë në skenë, si një rit hijerëndë që zakonisht ndodh për të shfaqur potencën e një personaliteti. Por dukshëm, gjithnjë në daljet para mediave, Ndrenikës i lexohen emocionet. Ky aktor duket sikur ka ardhur pas një stuhie të gjatë e të fortë dhe i duhet të rrëfejë shkurt ç’ka hequr.

Ngacmimi vjen pasi të dielën pritet premiera e komedisë së Neil Simon, “Djemtë gazmorë”.

Kjo vepër është një psikë dramatike, ashtu si e ka trajtuar regjisori nga Maqedonia, Sulejman Rushiti. Në këtë analizë shqetësimet prekin mentalen njerëzore, si marrëdhënie mes njerëzve të artit apo çdo fushe. Inati, egoizmi kanë pasojë vetminë, vetizolimin. Këtyre u trembet njeriu kur ballafaqohet. Djemtë “gazmorë” janë: Robert Ndrenika dhe Viktor Zhusti. Kolegë, që tregojnë se jetët e tyre janë mjaft të ngjashme me atë që ndodh në spektaklin e Neil Simonit.

Dy personazhe, njëri Uill Klarku, dikur ka shkëlqyer, por tani është plot brengë, me sedër të rënduar në pamundësi për të riparë inatet e hershme. Ejl Luisi është personazhi tjetër që shtyn ditët në pension, në rikthimin e së shkuarës plot mllefe, dhe grindje.

Të dy aktorë karriere, ish-miq që takohen me njëri-tjetrin pas 12 vitesh dhe tani planifikojnë rikthimin në skenë.

Kjo është një vepër që i takon repertorit të teatrit të famshëm “Brodway”, vënë në skenë më 1972.

Nuk ka shkuar larg me kontekstin politik, kur regjisori Sulejman Rushiti, ish-politikani shqiptar në Maqedoni, prek me shqetësimin e tij imazhin e tjetrit, përballë një “Ballkani kokëfortë”, mbushur me inate. Ndrenika e Zhusti janë aktorët që “mishërojnë”, sipas regjisorit, ndjeshmërinë, përplasjet e brendshme për të na thënë se drama njerëzore ka mbidozë tek artistët, mu për këto arsye. “Ajo çfarë mua si regjisor më ka intriguar nuk është shtresa e parë e veprës, ajo që quhet komike, por thellësia psikologjike që trajton ky tekst dramatik, siç është harresa, vetmia dhe tjetërsimi. Pamundësia ose mosgatishmëria për të tejkaluar egon, shpesh na kushton shumë në jetë, të gjithëve. Djemtë gazmorë, është më shumë sesa një komedi situatash, është një drame e thellë psikologjike”, – ka thënë Rushiti para mediave.

Pa pretenduar komiken, regjisori ndalet në dramën e dy personazheve, dy djemve që kanë kaluar miqësi të thellë, por një marrëdhënie e ndërprerë. Me kthimin e tyre në skenë nis përplasja, konflikti. Drama e Neilit tejkalon egon, inatin – thotë regjisori, duke kërkuar që kjo parathënie në prag premiere të ketë rezonancën dhe në skenë, në interpretimin.

“Shfaqja është e thellë dhe mbështetet te loja e aktorëve, sepse është dramë psikologjike, që i bën një analizë të thellë shpirtit. Shpesh ne bëhemi viktima të inateve”. Regjisori përmbledh kontekst e këtij viktimizimi: izolimin, frikën dhe vetminë. Inatet kushtojnë me vetminë, shqetësimin, rastin e Ballkanit, përmend Rushiti, si njeri që ka buruar nga politika.

Aktori Viktor Zhusti, në pak fjalë, ka treguar pjesën e përvojës së tij, në të njëjtën linjë: marrëdhënia e artistit, njerëzve, mosha e tij, problemet si frika, inati, sedra apo vetmia i trembemi si njerëz. Pa iu përgjigjur drejtpërdrejt pyetjes, nëse shqetësimi konkret i Ndrenikës në një përvojë të gjatë në teatër, ka një përgjigje se si kanë qenë këto marrëdhënie, për të cilën aktori tha: “Gjërat që më kanë udhëhequr në jetë janë: lufta për mbijetesë dhe dashuria e madhe për jetën!”

V. Murati

 

Premiera

Premiera do të jetë këtë të diel dhe do të vijojë fundjavave në skenën e Teatrit të Komedisë. Të tjerë protagonistë janë aktorët: Elia Zaharia, Albana Sancolli, Nigda Dako, Dorian Ramaliu dhe Genti Decka!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency