Vrasësi me pagesë / “Kam frikë të tregoj për krimet, kushërinjtë Mëhillaj janë të rrezikshëm”

0
113

Anxhela Tato

Julian Sinanaj nuk pranon të rrëfejë identitetin e biznesmenit misterioz të videos së tretë

Prokuroria, në videon e vrasjes së Agron Çelës janë të pranishëm Sinanaj dhe Andon Mëhillaj

 

sinanaj-vrasesJulian Sinanaj ka frike që të tregojë detaje rreth krimit të mbetur mister. Vrasësi me pagesë ka rrëfyer se i trembet faktit që Andon Mëhillaj tashmë ndodhet në qeli. Para prokurorëve të çështjes Sinanaj është shprehur se e di mjaft mirë rrezikshmërinë e lartë që paraqesin kushërinjtë Mëhillaj, si dhe njohjet e tyre me politikanë. “Kam frikë të flas dhe të tregoj më shumë nga ato që di. Kushërinjtë Mëhillaj kanë lidhje shumë të fortë me politikanët dhe e di mjaft mirë rrezikshmërinë e tyre. Unë kam frikë për jetën time, e cila  më është shtuar në momentin e vetëdorëzimit të Andon Mëhillajt. Kam frikë për jetën time dhe jetoj me frikën se mos më vrasin”, – është shprehur Sinanaj. Ndërkohë që prokuroria siguron një video ku vrasësi me pagesë Julian Sinanaj dhe personi i dyshuar si porositësi i vrasjeve, Andon Mëhillaj janë filmuar bashkë, në vrasjen e biznesmenit Agron Çela në Vlorë. Video, sipas burimeve të prokurorisë ka qenë pjesë e materialeve të hetimit, por ka qenë e pamundur të dalloheshin personat e filmuar. Pas rrëfimit të Sinanajt, video është parë edhe njëherë nga oficeret e policisë gjyqësore dhe ajo që ndodh në filmim përputhet plotësisht me rrëfimin e vrasësit. Filmimi do t’i shtohet provave kundër Andon Mëhillajt, i cili ka mohuar të ketë pasur dijeni për vrasjet që ka kryer Julian Sinanaj.

Vrasja e biznesmenit dhe peshkatarit

Porosia për ekzekutimin e biznesmenit Agron Çela dhe peshkatarit Sokol Veizi ka ardhur nga kushërinjtë Mëhillaj. Ata i kanë kërkuar 31-vjeçarit Sinanaj që të hiqte qafe Çelën, i cili sapo ishte kthyer nga Italia. Pagesa për këtë krim ishte 35 mijë euro. Julian Sinanaj ka treguar se dy sekserët i kanë thënë që preja e radhës ishte biznesmeni Çela, por 31-vjeçari nuk ka dashur të dijë porositësin real. Sipas dëshmisë Sinanaj e ka pritur jashtë banesës biznesmenin dhe e ka ekzekutuar me pistoletë. Ai ka shfrytëzuar momentin që Çela po parkonte makinën dhe familja e tij ishte duke u ngjitur në banesa. Ngjarja është parë nga gjithë kalimtarët, të cilët të tmerruar kanë njoftuar policinë. Dyshimet e para të bluve u ngritën mbi konflikte të mundshme pronësi, meqë biznesmeni kishte në pronësi një restorant. Kanë qenë sërish kushërinjtë Mëhillaj që e kanë porositur për një vrasje tjetër. Sokol Veizi ishte në konflikt me ta për çështje pronësie dhe kushërinjtë Mëhillaj i kanë premtuar Sinanajt ta shpërblejnë me 1 mijë e 500 metra toke. Veizi është vrarë me dy plumba në një lokal në Orikum në gusht të vitit të kaluar dhe më pas Julian Sinanaj është shpërblyer me një apartament në Vlorë nga dy kushërinjtë Mëhillaj. Në dëshminë e tij Juliani ka rrëfyes se i është vënë në dispozicion një foto e viktimës, por pamja nuk ka qenë e qartë. Për këtë arsye sapo është futur në lokal ai ka pyetur viktimën për emrin dhe më pas e ka qëlluar.

 

Dosja Frroku

Familjarët e Dritan Lmajat: Ia kemi lënë ën dorë drejtësisë

Vetëm pak dit pas mbylljes së hetimeve për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, familjarët e tij shprehen se ia kanë lënë në dorë drejtësisë. Në një bisedë telefonike motra e kryekomisarit tregon se do të prononcohen vetëm me fakte në momentin e përshtatshëm. Përsa i përket akuzës ndaj Arben Frrokut, ajo thotë se kjo çështje është në dorë të drejtësisë. “Nuk jemi shprehur deri tani për këtë çështje, por në momentin e duhur do të prononcohemi me fakte. Besoj se e kupton që nuk jam në gjendje të flas, pasi ai ishte vëllai im. Por ia kemi lënë në dorë drejtësisë, kjo është e vetmja gjë që mund të them”, – është shprehur motra e Dritan Lamajt. Më 19 shkurt Prokuroria ka dërguar në Gjykatën e Krimeve të Rënda dosjen me të pandehur Arben Frrokun. Në dosjen voluminoze, që u dorëzua pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda, pasditen e se enjtes, mësohet se ndër provat kryesore të akuzës është rrëfimi i një dëshmitari të mbrojtur, që në momentin e vrasjes ka parë të pandehurin duke qëlluar me automatik në drejtim të kryekomisarit. Kjo provë, është kundërshtuar nga avokatët, të cilët pretendojnë se dëshmitari i mbrojtur është i manipuluar. Ata thonë se Arben Frroku në momentin e vrasjes ka qenë në dalje të qytetit të Elbasanit, duke udhëtuar për në Greqi, ku edhe u arrestua në orët e para të mëngjesit të 25 shkurtit 2013, në një hotel në Selanik. Pas arrestimit, drejtësia shqiptare, kërkoi nga Gjykatat greke, lejimin e ekstradimit të Frrokut drejt Shqipërisë, kërkesë që u pranua dhe rezultoi me ekstradimin e pak muajve më parë të Frrokut. Sipas akuzës, shkak i ekzekutimit në prite të ish-shefit të Komisariatit nr.6, ka qenë një konflikt fizik i kryekomisarit me të pandehurin, për të cilin Arben Frroku, ka qenë shoqëruar edhe disa orë në polici.

 

Shkodër

Plagosi bashkëmoshatarin, shkaka një konflikt i çastit

Një 19-vjeçar është plagosur me armë zjarri nga një bashkëmoshatar i tij në një lokal në qendër të qytetit të Shkodrës gjatë një konflikti momental. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pranë dollarit në qendër të qytetit të Shkodrës, rreth orës 17-15 minuta të së shtunës. Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, adoleshenti ka qenë duke qëndruar brenda lokalit së bashku me disa të afërm të tij, ndërsa ka nisur të debatojë me disa bashkëmoshatarë të tij. Në këtë moment njëri prej tyre ka qëlluar në drejtim të 19-vjeçarit, Francesk Malaj i cili ka qenë i ulur në një prej tavolinave të lokalit. Si pasojë, 19-vjeçari ka marrë dy plagë në këmbën e djathtë. Kanë qenë bashkëmoshatarët e Malajt, të cilët e kanë dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës, ku aktualisht ndodhet në gjendje jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, në vendngjarje ka mbërritur edhe grupi hetimor, i cili ka nisur punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa ka identifikuar autorët, që për arsye hetimi nuk bën të ditur emrin e të dyshuarit.

 

Tiranë

Brenda 1 orë grabiten 2 dyqane, dyshime për grup të strukturuar

Kryeqyteti pre e krimit të rrugës, vetëm brenda një ore grabiten dy dyqane, në rrugët “Arkitekt Kasemi” dhe “Georg Bush”. Dyshimet e policisë janë për një grup të strukturat, i cili ka vepruar në formë paralele. I vetmi dallim është se në grabitjen e parë në rrugën “Arkitekt Kasemi” nuk është ushtuar dhunë ndaj shitëses, rasti që ka ndodhur në vjedhjen e dyqanit të veshjeve në rrugën “Georg Bush”. Sipas uniformave blu ngjarja e parë ka ndodhur rreth orës 19:30 në një dyqan në rrugën “Arkitekt Kasemi” në Tiranë. Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar. Ndërkohë policia po punon për të identifikuar dhe kapur autorin e grabitjes, i cili është fshehur nëpër rrugica duke shfrytëzuar errësirën. Vetëm pas një ore raportohet grabitja e një dyqani veshjes për femra në afërsi të rrugës së “Elbasanit”. Nga dëshmia e shitëses dy autorët janë futur në dyqan dhe i kanë kërkuar lekët, duke e goditur në kokë. E terrorizuar shitësja i ka dhënë lekët dhe të dy autorët janë larguar. Nga ana e forcave të policisë është sekuestruar kamerave e sigurisë në mënyrë që të arrihet në identifikimin e autorëve. Dyshohet se grabitësit kanë kryer edhe një vjedhje tjetër në rrugën “Bardhyl”, por mbetet për t’u faktuar.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency