Konfindustria: Politika fiskale e qeverisë rrezikon arritjet e ekonomisë

0
152

Ervin Kaduku

–   Mungon parashikimi afatgjatë, është nxitur evazioni fiskal nga biznesi i madh, ndërkohë që provokohet largimi i kapitaleve nga Shqipëria drejt vendeve më konkurruese në rajon e gjetkë

 

issues-sl2Në mënyrë shumë të saktë dhe të qartë, komuniteti i biznesit prodhues shqiptar është shprehur dje me kritika të ashpra ndaj politikës fiskale, të adoptuar nga ana e qeverisë “Rama”. Në një komunikatë për shtyp, edhe Konfindustria shqiptare ka publikuar analizat e një sondazhi, të kryer nga ky grupim biznesesh lidhur me qëndrimin ndaj politikave të reja fiskale, sondazh që u paraqit në Tirana Business University nga ana e administratorit të përgjithshëm të Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku.

Pasi i ka bërë një analizë sondazhit, që shpreh mendimin e qindra bizneseve që operojnë në vend, Konfindustria shpall se paketa fiskale 2014 është ndërtuar vetëm nga këndvështrimi fiskal i sigurimit të të ardhurave në buxhet në afatshkurtër. Mungon vlerësimi i domosdoshëm profesional për parashikimin e mënyrës së sjelljes së tregjeve nga zbatimi i PF 2014, parë nga këndvështrimi i zhvillimit ekonomik, detyrë kjo e Ministrisë së Ekonomisë. Politikat fiskale si qëllim vetëm për tejkalimin e vështirësive në afatshkurtër, të mbështetura në rritje të borxhit publik dhe shtim taksash, mund të japin frymëmarrje financiare të përkohshme, por rrezikojnë të japin pasoja mjaft të padëshirueshme, nëse nuk prodhojnë zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Kështu, 72% e biznesit të madh, 75% e biznesit të vogël shprehet se paketa fiskale rrit kostot dhe ul konkurrueshmërinë e prodhimeve vendore.

Ndërkohë, një qëndrim i qartë është ai që thekson se rrezikohet sigurimi i të ardhurave të parashikuara në buxhetin 2014 për shkak të thellimit të copëtimit të skemës fiskale në kategoritë biznes i madh – biznes i vogël (me kufi 8 milionë lekë xhiro vjetore) me rritjen 2 herë të ndryshimit të tatimfitimit (nga 7.5% në 15%). Bizneset kanë shtysë të fuqishme për fshehje fiskale, që do të vinte në trysni shqetësuese evazioni, me drejtim poshtë-lart, gjithë ekonominë kombëtare. Objektivisht, sa më sipër ve në vështirësi serioze edhe institucionet fiskale (Tatimet, Doganat). 63% e biznesit të madh, 79% e biznesit të mesëm shprehen se kanë vështirësi në marrjen e faturave, 33% e biznesit të mesëm po merr në konsideratë mundësinë e kalimit në biznes të vogël.

Rritja e tatimfitimit në 15% për biznesin e madh dobëson konkurrencën e Shqipërisë krahasimisht vendeve të rajonit për tërheqjen e investimeve të huaja (rajoni ka taksë të sheshtë 10%) dhe është shtysë për dalje të kapitalit shqiptar për investime në tregje të huaja, më tërheqëse. 22% e biznesit të madh mund të vlerësojnë kalimin në tregje jashtë Shqipërisë.

Duhet t’i jepet koha e mjaftueshme sipërmarrjes për njohjen dhe përshtatjen me ndryshimet e politikave fiskale. Ndryshimet e shpeshta – dhe sidomos të ndjeshme në politikat fiskale, (sikundër ishte rasti i kalimit nga taksimi i sheshtë në taksimin progresiv, në rritje në Paketën Fiskale 2014) – dëmtojnë sipërmarrjen vendore dhe investimet e huaja. 57% e biznesit të madh shprehet se koha e njohjes dhe hyrjes në fuqi të ndryshimeve fiskale duhet të jetë më e gjatë.

 

 Banka Botërore: Shqipëria, me barrë shumë të rëndë taksash në rajon

Shqipëria është renditur në vendin e 146 në botë për sa i përket pagesës së taksave. Ky ka qenë përfundimi i raportit “Pagesa e Taksave 2014”, i hartuar nga Banka Botërore, IFC dhe PwC.

Barra e taksave mbi biznesin në Shqipëri është cilësuar e lartë në krahasim me ekonomitë fqinje të Maqedonisë, Bosnjës dhe Kosovës, të cilat kanë një taksë për biznesin 10%, përveç Malit të Zi që e ka 9%. Vendi ynë kaloi në tatimin progresiv mbi bizneset dhe individët, në Janar të këtij viti dhe kjo e ka rritur normën mesatare të taksimit.

Të ardhurat nga biznesi i mesëm dhe i madh në Shqipëri tani janë 15%, ku vendi ynë barazohet me Serbinë. Kroacia dhe Turqia, e cila synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian kanë normat më të larta në rajon, në 20%. Kalimi në tatimin progresiv për të ardhurat personale në Shqipëri ka rritur gjithashtu edhe taksat për personat që fitojnë më shumë se 130 mijë lekë në muaj, në 12%.

Raporti i fundit i Bankës Botërore, “Pagesa e taksave 2014” ka përllogaritur se norma e përgjithshme e taksimit në Shqipëri është 31.7% të fitimit, duke qenë shumë më e lartë se në Kroaci, Maqedoni, Malin e Zi, Kosovë, Bosnje, por më e ulët se në Serbi. Banka Botërore ka zhvilluar një studim në harkun kohor 2004-2012 dhe ka vënë re përfundimin e një periudhe të rritjes ekonomik,e me një recesion të ashpër dhe një rimëkëmbje të ngadaltë në të gjithë botën.

Gjatë kësaj periudhe, qeveritë kanë vijuar të jenë nën presionin e balancimit, të nevojës për të tërhequr investime dhe për të nxitur rritjen. Raporti ka arritur në përfundimin se qeveritë kanë vijuar me reformat e tyre në fushën e taksave, pavarësisht pasigurive globale ekonomike. 32 ekonomi botërore kanë bërë hapa para, që në periudhën maj-qershor të vitit të kaluar, si dhe kanë lehtësuar barrën e taksave për SME-të.

Raporti “Pagesa e taksave 2014”, i hartuar nga Banka Botërore, IFC dhe PwC ka marrë parasysh regjimet e taksave në 189 ekonomi, si dhe ka nxjerrë në pah reformat e përbashkëta të ndërmarra nga 11 vende, në përmirësimin apo futjen e sistemit elektronik të pagesës së taksave si dhe eliminimin e nevojës për 74 pagesa taksash të ndryshme.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency