Takimi me zyrtarët e lartë suedezë/ Kreu i PD-së: Standardet demokratike, nën kërcënimin e qeverisë

0
119

Florenc Drizari

 

Basha: Qeveri, sulme të paprecedenta ndaj institucioneve të pavarura, si ILDKP dhe AMA, presionin politik ndaj gjyqësorit

 

Foto_nga_takimi_Basha-SvenningssonKryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi dje takime me përfaqësues të lartë të Suedisë, duke u paraqitur atyre shqetësimet e fundit të opozitës lidhur me situatën politike në vend dhe proceset integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjatë takimit që zhvilloi në selinë e PD-së me drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ola Svenningsson, i cili shoqërohej nga i ngarkuari me punë i Suedisë në Shqipëri, Patrik Svensson, dhe i ngarkuari për Shqipërinë në MPJ të Suedisë, Mats Nyström, Basha the se klima bllokuese e ish-opozitës është zëvendësuar tashmë me një fushatë sulmesh gjithnjë e në rritje kundër standardeve demokratike dhe shtetit të së drejtës.

Kjo fushatë, theksoi kryetari Basha, e cila filloi me prishjen e konsensusit për ligjin “Për statusin e nëpunësit civil”, ka shkaktuar një shqetësim mbarëpopullor për revanshin ndaj administratës profesioniste publike dhe zëvendësimin e saj me militantë partiakë, për politizimin dhe paralizimin e Policisë së Shtetit përmes shkarkimeve në kundërshtim me ligjit të oficerëve dhe drejtuesve profesionistë, për sulmin e paprecedent në shkelje të Kushtetutës dhe parimit demokratik të check and ballance ndaj institucioneve të pavarura, si ILDKP dhe AMA, presionin politik ndaj gjyqësorit dhe shkeljeve të vazhdueshme të të drejtave kushtetuese të opozitës shqiptare.

Fryma antikushtetuese e antiligjore e kësaj mazhorance, nënvizoi Basha, shënoi kulmin me skandalin e vjedhjes se miliona deklaratave konfidenciale të tatimpaguesve shqiptare dhe me blerjen në mes të ditës se votës të lirë të qytetarëve në zgjedhjet vendore në Korçë.

“Kjo frymë antikushtetuese e antiligjore që po intensifikon përditë me sulmet e saj qeveria shqiptare, ka sjellë si pasojë rritjen e pasigurisë së shqiptarëve për lirinë, jetën dhe pronën e tyre, shpërthimin e indiceve të krimit të të gjitha llojeve dhe hapa pas në standardet e arritura me aq mund nga shqiptarët gjatë këtyre viteve”, – u shpreh Basha.

Ai shtoi se e vetmja rrugëdalje nga kjo situatë është insistimi i aleateve dhe partnereve euroatlantike në ruajtjen e standardeve të arritura që kjo qeveri po përpiqet përditë t’i zhbëjë çdo ditë.

Gjithashtu në takimin e djeshëm, kryetari Basha i shprehu drejtorit Svenningsson mirënjohjen për mbështetjen që Suedia i ka dhënë dhe vijon t’i japë integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. “Drejtori Svenningsson e falënderoi kryetarin Basha për pritjen, dhe i theksoi atij se dhënia e statusit të vendit kandidat Shqipërisë do të ishte rikonfirmim i të gjithë punës së mirë që është bërë nga qeverisja e Partisë Demokratike gjatë 8 viteve dhe se e njëjta punë e mirë duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen. Në këtë kontekst, drejtori Svenningsson shprehu keqardhjen për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat çka përbënte surprizë duke marrë në konsideratë faktin që atmosfera dhe gjasat përpara muajit dhjetor ishin tërësisht pozitive.

Kryetari Basha iu përgjigj komenteve vlerësuese të drejtorit Svenningsson, duke theksuar se ishte mbështetja e vendosur dhe pa asnjë ekuivok e shqiptarëve ndaj projektit madhor të anëtarësimit në BE e cila ka përbërë shtysën vendimtare në hapat e hedhur përpara në këtë proces. Kryetari Basha shprehu keqardhjen që, për shkak të bllokimit të opozitës së atëhershme dhe tashmë qeverisë Rama, hapat e mëtejshëm në këtë proces madhor u vonuan për më shumë se 2 vjet”, – thuhet në njoftimin e shpërndarë nga zyra e shtypit e Partisë Demokratike.

 

 

 

PD në Durrës, 70 anëtarësime të reja për një ditë

 70 anëtarësime të reja në Durrës iu bashkuan dje Partisë Demokratike. Lajmi konfirmohet nga burime brenda PD-së, ndërkohë që numri total i anëtarësimeve të reja në PD pritet të bëhet zyrtar në fund të procesit. Më herët, kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka udhëzuar krerët e PD-së në rrethe të vendit për të rifreskuar bazën e të dhënave të anëtarësisë si dhe për të mundësuar sa më shumë anëtarë brenda kësaj force politike. Pas ripërtëritjes së bazës së të dhënave të PD-së në qytete të ndryshme të vendit, pritet që demokratët të nisin procesin e zgjedhjeve në parti, proces i cili duhet të kishte përfunduar në fund të muajit dhjetor. Shtyrja e këtij procesi, sipas krerëve të Partisë Demokratike, është bërë për shkak të axhendës së ngjeshur të opozitës në raport me lëvizjet e fundit të qeverisë. Disa javë më parë, kreu i opozitës, Basha, pati thënë se për demokratët nuk është më e rëndësishme koha se kur do të mbyllen zgjedhjet e strukturave të reja në parti, por kryerja e këtij procesi brenda standardeve dhe dalja me një produkt që t’i shërbejë kësaj force politike në zgjedhjet e ardhshme.

 

 

“Rregullorja e Kuvendit”, PD: Propozim kushtetues, s’kanë lidhje me PS-në

 Partia Demokratike sqaroi dje kërkesën e saj për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, duke thënë se nuk është e njëjtë me atë të Partisë Socialiste kur ishte në opozitë. Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, në një prononcim për mediat tha se ajo që kërkon opozita është një barazi për të drejtën e fjalës në Kuvend.

“Po i referohem thelbit të propozimit tonë. Ne kërkojmë që në debatin parlamentar të respektohet një parim shumë i rëndësishëm që është ai i kushteve të barabarta. Të mos harrojmë që Kuvendi është formimi i vullnetit politik nëpërmjet “përplasjes” së vullneteve politike të forcave të ndryshme politike. Në këto kushte, duke qenë se për opozitën e drejta për fjalën është një e drejtë themelore dhe për të shprehur qëndrimin e saj, Kuvendi është forumi kryesor. Duke qenë se edhe kryeministri përfaqëson ekzekutivin në raportin me Parlamentin, ajo që kërkojmë ne është një barazi “armësh” në lidhje me shprehjen e këtyre vullneteve politike, në mënyrë që jo vetëm Kuvendi të krijojë vullnetin e tij por dhe opinioni publik dhe zgjedhësit ta kenë të qartë se kush janë vullnetet që përplasen. Kështu që ajo që kërkojmë ne është vetëm një e drejtë themelore që i takon çdo opozite dhe kërkojmë ta sanksionojmë këtë në mënyrë që debati politik të jetë sa më i qenësishëm”, – tha Bylykbashi.

Sipas Bylykbashit, propozimi i demokratëve nuk shkel Kushtetutën.

“Nuk ka asnjë përplasje me Kushtetutën. Ndërkohë ajo që kërkojmë ne është krejt tjetër. Ne kërkojmë ndërhyrje të përfaqësuesit, e kreut të grupit parlamentar ose të një përfaqësuesi, të jetë për ndërhyrje kryesore ndaj kryeministrit, ato ndërhyrje që krijojnë dhe shprehin një vullnet politik. Ndërkohë, ajo që kërkonin socialistët sigurisht që shkonte ndesh. Kryeministri ka pjesën e vet ndërkohë që opozita dhe lideri i opozitës në Parlament shpreh qëndrimin politik përballë qëndrimit të kryeministrit”, – theksoi ai.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency