Eksplozivi/ Merren në pyetje familjet Çela dhe Veizi

0
159

  Anxhela Tato

 

 

Mamaja e Sokol Veizit: Mëhillajt më vranë djalin për 800 m2 tokë që na e dha ligji

 Babai i Agron Çelës: Drejtësi për jetën e djalit tim, të kapen dhe të dënohen autorët

 

 

julian-sinanaj-dhe-materialet-e-kapura-640x405Merren në pyetje familjarët e viktimave të sekserëve Mëhillaj. Ngjarja e eksplozivit në banesën e Andon Mëhillajt ka çuar prokurorinë tek familjet e Agron Çelës dhe Sokol Veizit, të cilët u ekzekutuan nga dora e Julian Sinanajt pas pagesës së bërë nga sekserët e shpallur në kërkim ndërkombëtar Andon dhe Genis Mëhillaj. Por nga dëshmitë nuk është konstatuar asnjë dyshim që mund të përfshijë familjet Veizi dhe Çela në ngjarjen e së dielës mbrëma. Mësohet se mamaja e Sokol Veizit ka rrëfyer se kushërinjtë Mëhillaj i kanë ardhur në banesë rreth dy javë para publikimit të “Mega operacionit”, duke kërcënuar familjen. Ajo tregon se djali i saj u vra vetëm për 800 metra katrorë tokë. Nazo Veizi tregon momentin kur Genis Mëhillaj urdhëroi traktoristin të ndalonte punimet në tokën, për të cilën porositën vrasjen e djalit të saj. 16 muaj nga vrasja e Veizit, pjesa tjetër e familjes jeton nën terror. Gjyshja ka larguar vajzën nga shkolla. Shkaku i vetëm pse u vra Sokol Veizi ishin 800 m2 tokë që familja e tij mori nga shteti. Kjo pjesë ndodhej në pronën e ish-pronarëve, që në këtë rast ishin kushërinjtë Mëhillaj. Ata i kërkuan Veizit vetëm një herë të mos e punonte atë tokë, herën e dytë urdhëruan vrasësin të kryente ekzekutimin. Ndërsa babai i Agron Çelës kërkon drejtësi për jetën e djalit të tij. Ai rrëfen se Agroni e ka fituar çdo gjë me djersë dhe nuk ka pasur përleshje apo probleme me askënd. “Lekun e ka nxjerrë me djersë dhe punën e tij dhe djali im nuk ka pasur probleme me askënd. Kërkoj që të bëhet drejtësi dhe të arrestohen autorët e varjes së tij. Kam dëgjuar në media që kanë qenë kushërinjtë Mëhillaj ata që i kërkuar Julian Sinanajt që ta vriste. Të dënohen kriminelët”, – është shprehur babai i Çelës.

 

Transaksionet

 Përdorimi i llogarive bankare nga krimi i organizuar, si dhe transaksionet e dyshimta në llogari individësh apo biznesesh do të kalojnë në sitën e 23 njësive hetimore në të gjithë Shqipërinë. Burime nga organi i akuzës bënë me dije se kjo strukturë ka nisur nga puna në fillim të kësaj jave në pesë prokurori rrethesh, si dhe brenda muajit shkurt përfundon kompletimi i kësaj njësie në 18 prokuroritë e mbetura, pasi me ligjin në fuqi për pastrimin e parave, çdo bankë duhet të informojë agjencitë ligjzbatuese për transaksione të dyshimta. Po të njëjta burime sqaruan se nisur dhe nga rasti i vrasësit me pagesë Julian Sinanaj, për të cilin nga hetimet ka rezultuar se në llogarinë e tij bankare janë kryer disa transaksione me shifra të konsiderueshme, transaksione këto të kryera nga personat në hetim si pjesëtarë të bandës së tritolit. Vendimi për ngritjen e kësaj strukture hetimore është marrë nga prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, i cili ka kërkuar nga vartësit e tij të bashkëpunojnë dhe me ekspertë të fushave, si ekspertë elektronikë apo njohës të sistemeve bankare, pasi ky bashkëpunim do të rrisë efikasitetin në hetimin e çdo rasti. E një pikë tjetër ku do të fokusojë hetimet kjo strukturë siç shpjegoi i njëjti burim është dhe kontrolli i pagesave online, pasi për herë të parë pritet të monitorohen dhe transaksionet e lojërave të fatit, ku jo pak herë ka rezultuar se në mënyrë të jashtëligjshme realizohet pastrimi i parave.

 

Kushërinjtë Mëhillaj

Foto në faqen e Interpolit, në kërkim ndërkombëtar për terrorizëm

 Andon dhe Genis Mëhillaj, dy kushërinjtë vlonjatë të dyshuar si porositësit e disa prej krimeve të “killerit” Julian Sinanaj, shpallen në kërkim ndërkombëtar për “terrorizëm”. Faqja zyrtare e Interpolit në internet ka shtuar dje fotografitë e dy kushërinjve Mëhillaj në listën e personave të kërkuar “Wanted”. Në profilet e tyre përkatëse Interpoli ka vendosur fotografitë e dy të kërkuarve dhe gjeneralitetet e tyre. Poshtë emrit dhe mbiemrit shënohet “I kërkuar nga autoritetet shqiptare të drejtësisë”. Për Genis Mëhillajn pasqyrohet ditëlindja e tij, 24 nëntor 1970, dhe vendlindja e tij, Vlora. Fotoja e publikuar për të është e njëjta që është publikuar nga Ministria e Brendshme pas shpalljes së tyre në kërkim. Në profilin e të kërkuarit Andon Mëhillaj shënohet ditëlindja e tij, 9 korrik 1975, dhe bashkangjitur gjenden dy foto të tij. Në kategorinë e akuzave ndaj dy kushërinjve Mëhillaj renditen të parat në radhë ato të “akteve terroriste” dhe të “financimit të terrorizmit”. Me tej akuzat ndaj tyre vijojnë me “fshehje nga organet e drejtësisë”, “fshehje të fondeve dhe pasurisë që financojnë terrorizmin”, “dhënie informacioni nga persona që ushtrojnë funksione publike”, “prodhim dhe mbajtje të armëve dhe municioneve ushtarake” dhe për “trafikim të armëve dhe municionit”. Andon dhe Genis Mëhillaj “humbën gjurmët” pas publikimit të lajmit për arrestimin e Julian Sinanajt. Ata dyshohet të jenë “sekserët” e Sinanajt, personat që ndërmjetësonin mes porositësve të vrasjeve dhe ekzekutorit Sinanaj. Ky fakt është pranuar nga ana e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Sinanaj, sipas të cilit kushërinjtë Mëhillaj kanë ndërmjetësuar tek ai për të kryer krime për llogari të tyre, ose për llogari të personave të tjerë. Sipas Policisë së Shtetit, nga kushërinjtë Mëhillaj është porositur te Julian Sinanaj kryerja e krimeve: vrasja e shtetasit Sokol Veizi më datë 26 gusht 2012 në Orikum të Vlorës; vrasja e shtetasit Agron Çela më datë 20 gusht 2013 në Vlorë, vendosje e lëndës plasëse në banesën e shtetasit Ardian Kollozi më datë 1 qershor 2013 në Vlorë; vendosje e lëndës eksplozive në motoçikletën e shtetasit E. B. në rrugën Transballkanike në Vlorë më datë 24 tetor 2013 dhe vendosje e lëndës eksplozive në automjetin e shtetasin E. B. në Vlorë më datë 31 gusht 2013.

 

 

Aksidentet rrugore

 Paketa rrugore, përgjegjësi penale për kompanitë përgjegjëse

Aksidentet tragjike nxisin Ministrinë e Brendshme që të ndërmarrë një paketë të re për rrugore, ku prioritet do të jetë kontrolli i kompanive përgjegjëse për aksidentit. “Policia e Shtetit ka filluar aplikimin prej disa muajsh për hetime më të plota në raste aksidentesh dhe marrjen në përgjegjësi penale të Autoriteteve, qofshin edhe Publike por edhe Kontraktorët private, të cilët për shkak vonesash në përfundimin e punimeve në rrugë, apo për shkak të mosparashikimit të instrumenteve të sigurisë në rast punimesh, shkaktojnë apo sjellin pasoja të rënda ose fatale për shëndetin e njeriut. Këta do të konsiderohen subjekte të përgjegjësisë penale dhe do të hetohen si të tillë”, – është shprehur Tahiri. Në planin e masave është parashikuar gjithashtu “detyrimi në fazën e regjistrimit të mjeteve rrugore dhe pagimi i taksave dhe detyrimeve shtetërore në këtë moment, që drejtuesi i mjetit të jetë i detyruar të pajiset me kontratën e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve. Kjo është një masë jo vetëm për të garantuar dëmet materiale që nuk i kushtojnë në fakt pak shtetit, por mbi të gjithë për t’i garantuar shëndetin dhe jetën e njeriut”. “Ndërkohë kemi parashikuar në planin e masave kontrollin e qarkullimit të mjeteve me targa të huaja dhe regjim të përkohshëm. Në Bashkimin Evropian kjo gjë nuk është fare një problem, por në Shqipëri është problem dhe ne do ta trajtojmë si të tillë, duke përcaktuar një regjim të veçantë për mjetet që nuk mbajnë targa shqiptare. Këtu bëhet fjalë jo për mjete që vijnë jashtë Shqipërisë për qëllime të përkohshme, por për mjete që rijnë këtu për vite të tëra me targa të huaja, duke zgjatur vit pas viti lejen e qëndrimit. Kjo nuk do të jetë më e mundur”, – bëri të ditur Tahiri. Një mjet që drejtohet nga njeriu në gjendje të dehur, ose pa patentë, është një armë që udhëton. Ndaj, si e tillë, Ministria e Punëve të Brendshme ka propozuar që dënimi minimal i mundshëm që mund të propozojë prokurori ose të japë gjyqtari është 10 ditë heqje lirie ose, thënë ndryshe, burg.

 

Durrës

Gjendet trupi i pajetë i 51-vjeçarit, mund të jetë vetëvrarë

 Trupi i pajetë e një 51-vjeçari është gjetur mesditën e djeshme, në fshatin Fushë-Draç të Komunës së Ishmit, 35 km larg Durrësi. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut bënë të ditur se trupi i Dodë Kaçit u gjet në lokalin ku punonte si roje. Sipas të njëjtave burime, nga këqyrja e kufomës u konstatua një plagë nga një armë zjarri. Burimet bënë të ditur se nga pyetja e familjarëve dhe nga hetimet e para mund të bëhet fjalë për një vetëvrasje, ndërsa nuk përjashtohen edhe pista të tjera.

 

 

Tiranë

Qëllon me armë zjarri në ajër, nisin hetimet

 Një person ka qëlluar në ajër me armë zjarri për motive që ende nuk dihen në zonën e Rrugës së Dibrës në kryeqytet. Banorët përreth janë shprehur se një djalë i ri ka qëlluar dy herë në ajër me armë zjarri dhe më pas është larguar. Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për të identifikuar të riun dhe motivet se përse ka qëlluar me armë zjarri. Nga të shtënat fatmirësisht nuk ka persona të lënduar në njerëz.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency