Babai i Tahirit s’flet pa avokatin, zbërthehen dy personat e arrestuar

0
168

Elton Qyno

ilacetZbardhet skema e kontrabandimit të medikamenteve që shiteshin në farmaci

Nadire Taga ishte ndërmjetësja. Prokuroria: Arrestimi i ligjshëm, në flagrancë

 

 

Bashkim Tahiri, babai i deputetit të Partisë Socialiste Saimir Tahiri, ka preferuar të heshtë para oficerëve të policisë së Tiranës, duke mos dhënë asnjë deklaratë lidhur me tregtimin e medikamenteve farmaceutike në mënyrë të jashtëligjshme. 63-vjeçari është mjaftuar me fjalët se nuk ka asnjë lidhje me akuzat që i janë ngritur dhe se më tepër nuk ka vazhduar duke preferuar të kërkojë avokatin e tij, Plarent Ndreca. Megjithëse Bashkim Tahiri ka refuzuar të flasë, burime pranë policisë dhe prokurorisë së Tiranës kanë pohuar se dy personat e tjerë të arrestuar në operacionin e koduar “Rispendal”, Dritan Gjiza dhe Nadire Taga, kanë treguar me detaje të gjithë skemën e kontrabandimit të dhjetëra medikamenteve farmaceutike nga Italia në drejtim të Shqipërisë, ku i shisnin më pas në farmaci të ndryshme në kryeqytet. Njëra nga këto farmaci është dhe ajo që quhet “Sat Farm”, e cila rezulton të jetë në emër të nënës së deputetit të Partisë Socialiste, Luiza Tahiri. Policia sqaron se Bashkim Tahiri, në momentin e blerjes së medikamenteve, ka qenë në rrugën “Todi Shkurti”, ndërkohë që personi që kishte ndërmjetësuar për një tregti të tillë, ka qenë shtetasja Nadire Taga, 63 vjeçe edhe kjo e fundit e arrestuar nga ana e policisë së Tiranës.

Dëshmia në polici

Dritan Gjiza dhe Nadire Taga kanë qenë dy të arrestuarit që kanë pranuar autorësinë e krimit të kontrabandës, ndërsa i moshuari Bashkim Tahiri s’ka pranuar asnjë gjë nga ajo që ka pretenduar policia e Tiranës. Dritan Gjiza, 27 vjeç, nga Tirana, ka treguar në policinë e kryeqytetit se ishte ai personi që arrinte të merrte çantat me medikamente të llojeve të ndryshme, të cilat dërgoheshin nga vjehrra e tij. “Vjehrra ime punon në një klinikë mjekësore dhe aty ka shumë mundësi që të marrë medikamente të llojeve të ndryshme. Nuk e di nëse këto medikamente vidhen ose ia fal klinika vjehrrës sime, por ajo i dërgon në Shqipëri dhe personi që i pret jam unë”, – ka treguar në policinë e Tiranës Dritan Gjiza. Më tej ky i fundit ka shtuar se për shpërndarjen e ilaçeve është lidhur me shtetasen e moshuar Nadire Taga, e cila e ka lidhur me disa klinika të ndryshme në Tiranë, duke arritur të shiste medikamentet e sjella në mënyrë kontrabandë nga Italia. 27-vjeçari ka pohuar se nuk e njihte fare shtetasin Bashkim Tahiri dhe se nuk e dinte që ai ishte babai i deputetit të Partisë Socialiste Saimir Tahiri. Gjiza në dëshminë e tij ka theksuar se Nadire Taga ka qenë ajo që ka bërë rolin e ndërmjetëses për takimin mes tyre, me qëllim blerjen e disa prej medikamenteve mjekësorë nga ana e 63-vjeçarit Bashkim Tahiri. Pikërisht në këtë takim kanë ndërhyrë me shpejtësi efektivë të Grupit të Operacioneve Speciale, të cilët kanë bërë arrestimin në kushtet e flagrancës dhe sekuestrimin e një sasi të konsiderueshme medikamentesh, të cilat shërbejnë për kurimin e sëmundjeve të rënda.

Nesër në gjykatë

Pritet që ditën e nesërme tre të arrestuarit e kësaj çështje të dalin para Gjykatës së Tiranës, ku do të njihen me masën e sigurisë të arrestit. Burime pranë prokurorisë së Tiranës, thanë për gazetën “Standard” se arrestimi i kryer nga policia ka qenë i ligjshëm, pasi personat e ndaluar kanë qenë në kushtet e flagrancës. Nisur nga kjo situatë, burime pranë prokurorisë thanë se do i kërkojnë gjykatës vlerësimin si të ligjshëm të arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë për tre të arrestuarit. Mësohet se për 63-vjeçarin Bashkim Tahiri dhe të moshuarën tjetër shtetasen Nadire Taga, prokuroria do kërkojë një masë detyrim paraqitje në organet e rendit, kjo për shkak të moshës së tyre dhe mos pasjes së rrezikshmërisë shoqërore. Ndërkohë që për sa i përket të arrestuarit tjetër Dritan Gjiza, ndaj këtij të fundit do të kërkohet masa e arrestit në burg, për shkak se ky ka qenë personi që mundësonte futjen e medikamenteve në mënyrë kontrabandë dhe shitjen e tyre, pa licencë. Arrestimi i tre personave Bashkim Tahiri, Dritan Gjiza dhe Nadire Taga, është bërë në mesditën e të hënës, nga ana e policisë së Tiranës. Kanë mjaftuar tre muaj hetime që policia të zbardhë skemën e kësaj kontrabande, ndërkohë që pas ndalimit kanë reaguar përfaqësues të Partisë Socialiste duke e konsideruar ngjarjen si politike. Vetë deputeti Saimir Tahiri ka pohuar se arrestimi i babait të tij ka qenë një gjest i kryer nga Flamur Noka, Agron Kuliçi dhe Kryeministri Sali Berisha, të cilët, sipas tij, kanë kërkuar t’i mbyllin gojën, pasi kohët e fundit deputeti i PS-së ka denoncuar një sërë skandalesh, ku mendohet se janë përfshirë pikërisht këta persona.

 

 

Arratisja e bujshme, heton shërbimi inteligjent

Mediat greke: Sulmi mbi burgun

u krye nga efektivët e UÇK-së

 

Sulmi me armë i burgut të Trikallasë ku mundën të arratiseshin 11 persona, mes tyre 8 shqiptarë, mund të jetë kryer nga forcat e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës ose nga ato të Ushtrisë Çlirimtare të Çamërisë. Në këtë konkluzion kanë dalë disa media greke të cilat kanë sqaruar se krimi i rëndë është organizuar nga efektivë të këtyre dy njësive ushtarake, të cilat veprojnë si grupe tororiste dhe kriminale në Greqi. Gazetat i referohen burimeve të tyre nga shërbimi informative i Greqisë, të cilët kanë deklaruar se për arratisjen e bujshme janë angazhuar dhjetëra forca të këtij shërbimi, duke bërë mbledhjen e informacioneve operative, për zbulimin e personave që morën guximin të sulmojnë burgun. Në një analizë të kryer strukturat e këtij shërbimi, sqarojnë se sulmi ka pasur forca ushtarake, pasi është kryer në një pozicion luftimi të ndërthur në dy breza, ku fillimisht një brez ka hapur zjarr, duke u vetëmbrojtur, dhe një brez tjetër ka sulmuar nga afër ambientet e brendshme të burgut me granata. E gjithë kjo taktikë sulmi, ka shtyrë grekët në dyshimet se sulmi është organizuar nga eksponentë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ose Ushtrisë Çlirimtare të Çamërisë. Një gjë e tillë nuk është thënë nga zyrtarët e lartë të shtetit helen, por mediat kanë artikuluar se arratisja ka qenë më shumë se kaq, duke e quajtur atë si një sulm ushtarak ndaj Greqisë. Për 40 minuta me radhë, dhjetëra persona kanë mbajtur në shënjestër rojat e burgut, duke plagosur dy prej tyre, ndërkohë që kjo situatë është shfrytëzuar nga 11 të burgosur, të cilët kanë mundur të arratisen.

 

Arrestimi

Pranga 50-vjeçarit, kanosi dy persona

 

Një 50-vjeçar është arrestuar, pasi ka kanosur me jetë dy persona. Burime nga policia e Tiranës njoftojnë se Xh. Arapi është arrestuar pasditen e djeshme në zonën e Laprakës nga forcat e komisariatit nr. 3. Të njëjtat burime konfirmojnë se 50-vjeçari do të procedohet për veprën penale të kanosjes me armë. Policia bën me dije se ndaj këtij shtetasi ka pasur një denoncim për ushtrim dhune dhe kanosje me armë. 50-vjeçari është shoqëruar gjatë mbrëmjes së djeshme në komisariatin nr. 3 dhe se gjatë marrjes në pyetje ka treguar se ka qenë në gjendje të dehur kur ka kërcënuar me jetë dy persona në zonën e Laprakës. Policia nuk bën të ditur emrat e dy personave, por ka shtuar se shkak i këtij sherri mes tyre dhe autorit të krimit ka qenë një motiv banal, që për pak nuk ka degjeneruar në viktima. 50-vjeçari në momentin e dhënies së deklarimeve ka pohuar se ndjente pendesë për veprimin e kryer. Nisur nga kjo situatë, policia ka ngritur ndaj tij akuzën e kanosjes me armë dhe armëmbajtjes pa lejë.

 

Ngjarja në Durrës

Vdes 19-vjeçari, hetohet si vetëvrasje

 

Një 19-vjeçar humbi jetën, pasi ra nga pallati në të cilin banonte, pasditen e së hënës, në zonën e Shkëmbit të Kavajës, informoi policia e Durrësit. I riu Julian Çela, i cili punonte si banakier-kamerier në një restorantet e zonës, besohet se kreu vetëvrasje apo ra në mënyrë aksidentale. Shërbimet e ambulancës mbërritën menjëherë në ndihmë të tij, por 19-vjeçari ndërroi jetë rrugës për në spital. Hetime të mëtejshme po zhvillohen për të zbuluar të gjitha rrethanat e vdekjes tragjike të Çelës. Nga marrja në pyetje e familjarëve të tij është mësuar se adoleshenti nuk vuante nga asnjë shenjë depresioni. Nisur nga kjo situatë, policia e Durrësit ka drejtuar hetimet në ndonjë lidhje të mundshme intime apo në ndonjë problem me shoqërinë që viktima mund të ketë pasur. Hetimet rreth kësaj ngjarje janë duke u verifikuar me imtësi, ndërkohë që familjarët janë tronditur shumë nga humbja e njeriut të tyre, 19-vjeçarin Julian Çela.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency